Mesatarisht, gratë përdorin rreth 12 lloje të ndryshme produktesh të kujdesit personal në ditë – larës për fytyrën dhe flokët, balsam për flokët, bojë për flokët, parfum, kremra për fytyrën, krem trupi, manikyr, make-up etj.

Por, po t`i hidhni një sy etiketës së përbërësve, do të shikoni një kokteil përbërësish kimikë.

Sigurisht, mund të mendoni se të gjithë këta ingredient janë testuar për sigurinë e tyre në përdorimin afatgjatë, por në fakt, nuk është gjithmonë kështu.

Kryesisht produktet testohen për të siguruar që nuk shkaktojnë probleme afatshkurtra, si psh. irritim të lëkurës. Por ato shpesh nuk testohen për sigurinë në përdorim afatgjatë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, FDA ndërhyn për analizë të përbërësve vetëm nëse përdoruesit raportojnë për efekte të mundshme në shëndetin e tyre, përndryshe ato tregtohen vetëm mbi bazën e studimeve të kompanive prodhuese.


Bojërat e flokëve dhe kanceri i gjirit


Ka një arsye për shqetësimin ndaj përbërësve kimikë në produktet e kujdesit personal. Një studim i publikuar Dhjetor të 2019 në International Journal of Cancer ka gjetur një lidhje ndërmjet përdorimit të bojës së flokëve dhe kancerit të gjirit. Gratë në studim, të cilat përdornin bojë flokësh të paktën një herë në 12 muaj, kishin 9% më shumë rrezik për të zhvilluar kancer gjiri se gratë që nuk përdornin bojë flokësh. Në studim është parë se nuk ka rëndësi për sa vite gratë kanë përdorur bojë flokësh.

Në fakt, gjetjet e studimit nuk janë surprizuese pasi, disa produkte për flokët përmbajnë më shumë se 5,000 përbërës kimikë. Disa prej këtyre përbërësve njihen për veti çrregulluese të balancave natyrale hormonale të trupit ose për efektin nxitës të zhvillimit të kancerit në kafshë.

E megjithatë, studimet që kanë analizuar bojërat e flokëve në të shkuarën, kanë treguar rezultate të ndryshme, disa prej tyre kanë gjetur lidhje me përdorimin e tyre dhe kancerin e të tjera jo.

Duhet përmendur se gratë të cilat janë bërë pjesë e këtij studimit kishin të gjitha një motër me kancer gjiri, pra konsideroheshinn si gra me risk të lartë për zhvillim të kancerit të gjirit. Numri total i grave në studim ishte 50,000.





Çfarë duhet të kuptojmë nga studimi?


Pra, a do të thotë kjo se gratë nuk duhet të lyejnë më flokët? Sigurisht, nuk mund t`ju këshillohet grave të mos e bëjnë këtë gjë vetëm mbi bazën e këtij studimi. Megjithatë, ky studim ka treguar një rritje të ndjeshme të riskut në gra të cilat tashmë kanë rrezik të shtuar për kancer gjiri, si pasojë e historisë familjare. Ndaj, këto gjetje nuk mund të anashkalohen.

Duhet të dimë se ka disa faktorë të lidhur me kancerin e gjirit, të cilat nuk mund t`i parandalojmë. Ato janë historia familjare, mosha e menstruacioneve të para, por ajo çka mund të kontrollojmë është përzgjedhja e produkteve për flokët dhe shpeshtësia e përdorimit të tyre.

Si të reduktojmë ekspozimin ndaj përbërësve kimikë?


Kërkoni informacion mbi produktin qe përdorni. Kur përzgjidhni një produkt, lexoni gjithmonë etiketën e përbërësve. Organizata jo fitimprurëse si Environmental Working Group kanë analizuar një sërë produktesh të përdorura gjerësisht dhe raportojnë mbi nivelin e sigurisë së tyre. Kjo organizatë bën edhe një renditje në një shkallë nga 1 deri në 10 për të treguar nivelin e sigurisë se produkteve.

Gjeni alternativa më të sigurta. Nëse produkti që jeni duke përdorur përmban përbërës kimikë të dëmshëm, zgjidhni një opsion më të sigurt. Një tjetër organizatë jo fitimprurëse Silent Spring Institute ofron një aplikacion të quajtur Detox Me, të cilin mund ta përdorni në dyqan për të skanuar barkodin e produktit dhe nëse mund të zëvendësohet me një opsion më të sigurt. Përdorimi i këtij aplikacioni në Shqipëri vështirësohet pasi aplikacioni nuk njeh një pjesë të mirë të barkodeve të skanuara. Megjithatë, ai përmban shumë informacione dhe këshilla të vlefshme mbi shmangien e toksinave të dëmshme.

Përdorni produkte natyrale. Shumë trajtime bukurie mund të përgatiten edhe në kuzhinën tuaj. Mund të kërkoni online për receta të ndryshme për trajtimin e lëkurës dhe flokëve. Por duhet të bëni kujdes, pasi edhe disa produkte natyrale mund të jene të rrezikshme për shëndetin. Për shembull, vajrat esencialë rekomandohen në vend të parfumeve, por disa prej tyre, si psh. Levanderi dhe tea tree oil kanë veti estrogjenike çka mund të përbëj një rrezik për shëndetin.

Ndryshoni standardin e bukurisë.

Nuk është e lehtë t`i lësh flokët të zbardhen plotësisht, apo të dashurosh rrudhat në fytyrë, por është një përpjekje që gratë duhet ta bëjnë. Të jesh e shëndetshme do të thotë të jesh e bukur dhe është pikërisht ky standard i bukurisë që gratë duhet të kërkojnë.

Duhet t`ju mësojnë fëmijëve tanë dhe gjeneratave të reja se duhet të pranojnë dhe të shijojnë të gjitha fazat e jetës pa kërkuar forcërisht të kthejnë kohën mbrapa.

Vitamina D – Cili është roli i saj në parandalimin e kancerit të gjirit?