Kistet e gjirit janë qese të mbushura me likuid, të cilat në përgjithësi kanë natyrë beninje. Mund të ndodh të keni një ose më shumë kiste, në njërin ose të dy gjinjtë. Shpesh përshkruhen sit ë rrumbullakëta ose ovale më konture të rregullta. Në prekje, kistet e gjirit ngjasojnë më një kokërr rrushi ose qese të mbushura me ujë, por ndonjëherë mund të ndihen edhe me konsistencë të fortë.

Kistet e gjirit nuk kanë nevojë për trajtim, përveç rasteve kur japin dhimbje ose ndjesi parehatie. Në këtë rast, drenimi i likuidit të gjendur brenda kistit është një opsion trajtimi.

Kistet e gjirit zakonisht shfaqen në gratë nga mosha 35 -50 vjeç, por nuk përjashtohet shfaqja e tyre në çdo moshë. Gjithashtu, mund të shfaqen edhe në gratë pas menopauzës, të cilat janë nën trajtim hormonal.

Cilat janë simptomat?


Kistet e gjirit mund të shfaqen në një ose të dy gjinjtë. Shenjat dhe simptomat e kisteve të gjirit përfshijnë:

- Formacion i njëtrajtshëm, i rrumbullaket dhe i lëvizshëm, me kufij të rregullt.
- Sekrecion nga gjiri, me ngjyrë transparante, të verdhë ose kafe e errët.
- Dhimbje gjiri në zonën ku ndodhet kisti.
- Rritje të përmasave të kistit dhe mbi ndjeshmëri disa ditë para periodave.
- Ulje të përmasave të kistit dhe dhimbjes pas periodave.

Nëse keni kiste të gjirit, nuk do të thotë se keni risk më të lartë për kancer gjiri. Por kistet e gjirit e vështirësojnë identifikimin e formacioneve të tjera, të cilat mund të kenë nevojë për vlerësim të mëtejshëm.

Kur duhet të konsultoheni me një mjek?


Indi normal i gjirit, shpesh ndihet në prekje si gjëndëror dhe nodular, por nëse vini re diçka të ndryshme nga gjendja normale e gjirit tuaj, e cila nuk ndryshon në varësi të periodave, ose një formacion të mëparshëm, i cili është zmadhuar në përmasa, kërkoni një konsultë me mjekun.

Cilat janë shkaqet?


Të dy gjinjtë përmbajnë lobe indi gjëndëror, të cilat janë të vendosura si petalet e një luleje. Këto lobe, ndahen në lobe më të vegjël, të cilat prodhojnë qumështin për ushqyerjen me gji të fëmijës. Indi përreth lobeve që i jep formën gjirit është i përbërë nga ind dhjamor dhe ind lidhor fibrotik. Kistet e gjirit formohen si rezultat i akumulimit të likuidit në gjëndrat e gjirit.

Kistet e gjirit mund të klasifikohen sipas përmasave:


Mikrokiste - janë të vogla për t`u ndjerë në prekje, por mund të evidentohen gjatë një ekzaminimi imazherik si mamografia ose ekografia.

Makrokistet 
- janë më të mëdha në përmasa dhe mund të ndihen edhe në prekje. Ato mund të rriten nga 2.5 deri në 5 cm. Kistet e mëdha të gjirit mund të ushtrojnë presion në indin rrethues, duke shkaktuar dhimbje dhe diskomfort.

Specialistët e kanë të vështirë të përcaktojnë shkakun e saktë të formimit të kisteve të gjirit. Ato mund të shkaktohen si pasojë e ndryshimeve hormonale. Disa të dhëna tregojnë se niveli i lartë i estrogjenit mund të jetë një ndër shkaktarët e formimit.

Si diagnostikohen?


Pas një bisede me mjekun mbi simptomat dhe historinë tuaj të shëndetit, do të kryhet nga mjeku një ekzaminim fizik dhe më pas mund të jetë i nevojshëm plotësimi me një mamografi ose/dhe ekografi e gjirit. Duke u bazuar në rezultatet e këtyre ekzaminimeve, mund të jetë i domosdoshëm një citologji e formacionit ose biopsi.

Si trajtohen?


Kistet e thjeshta të gjirit nuk kanë nevojë për trajtim. Me kiste të thjeshta nënkuptojmë, ata kiste që nuk shkaktojnë simptoma. Nëse kisti rritet në përmasa me kohën ose shkakton dhimbje dhe diskomfort, duhet të kontaktoni me mjekun.

Aspirimi me age (FNA)

Mund të shërbej edhe si mënyrë diagnostikimi dhe trajtimi, nëse aplikohet për të hequr gjithë përmbajtjen në brendësi të kistit.

Megjithatë, në disa raste, mund të jetë e nevojshme qe kjo mënyrë të përsëritet disa herë.

Hormonet


Përdorimi i kontraceptivëve oralë për të rregulluar ciklin menstrual mund të ndihmojë në reduktimin e rekurrencës së kisteve të gjirit. Por për shkak të efekteve të tyre anësore, kontraceptivët oralë dhe tamoxifeni rekomandohen vetëm në raste kur simptomat si pasojë e kisteve janë më të shprehura.

Kirurgjia


Kirurgjia për heqjen e kisteve mund të konsiderohet vetëm në raste shumë të rralla. Psh. kur kisti rikthehet për çdo muaj ose përmbajtja është hemorragjike dhe shoqërohet nga simptoma të tjera shqetësuese.

Çfarë ndryshime mund të bëni në stilin e jetesës?


Për të minimizuar diskomfortin të lidhur me kistet e gjirit, mund të provoni të:

- Përdorni recipeta të rehashme me fortesë, në mënyrë që gjiri të jetë i mirë mbështetur.
- Aplikoni kompresa. Nëse kistet janë të dhimbshme, kompresat e ngrohta ose të ftohta mund të lehtësojnë dhimbjen.
- Shmangni kafeinën. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme që lidhin përdorimin e kafeinës me kistet e gjirit. Megjithatë, shumë gra raportojnë përmirësim të simptomave nga kistet e gjirit pas reduktimit të kafeinës.
- Në rast të dhimbjeve, mund të merrni barna kundër dhimbjes pa recetë si Ibuprofeni, Paracetamoli ose Naprokseni.

Mjekime alternative


Evening Primrose oil
është një acid yndyror (acid linoleik) i cili mund të gjendet në formën e shtesave ushqimore. Disa studime kanë treguar se mund të përmirësojë dhimbjen e gjirit të lidhur me kistet e gjirit ose me ndryshimet hormonale në varësi të ciklit menstrual. Edhe pse mekanizmi i veprimit nuk është tërësisht i qartë, ekspertët mendojnë se gratë që kanë mungesë të acidit linoleik, janë më të prirura për të patur dhimbje gjiri si pasojë e ndryshimeve hormonale.

Këshillohuni me mjekun para se të merrni suplemente ose vitamina për shqetësimet të lidhura me kistet e gjirit.

Çfarë është biopsia e gjirit?


Fibroadenomat - A janë të rrezikshme?