Kohët e fundit, udhëzimet ndërkombëtare mbi depistimin e kancerit të gjirit nuk janë shumë të ngjashme dhe kjo e bën përzgjedhjen e planit më të mirë për depistim të kancerit të gjirit në çdo grua të vështirë.

Mjekja onkologe Kleida Mati shpjegon se kur është koha e duhur për çdo grua të diskutojë me mjekun e saj për mamografinë dhe depistimin e kancerit të gjirit në përgjithësi.

Mamografia është një ekzamimin imazherik që përdor rrezet X për të identifikuar rritje të mundshme patologjike ose ndryshime të indit të gjirit.

Sipas mjekes onkologe, është e rëndësishme që gratë të fillojnë të diskutojnë me mjekun e tyre për mundësitë e depistimit të kancerit të gjirit që nga mosha 30 vjeç.


Dr. Kleida thotë “Është e rëndësishme qe çdo vit gratë të diskutojnë me mjekun e tyre për ekzaminimet e duhura depistuese. Marrja e vendimit pasi çdo grua është e mirinformuar është më i thjeshtë, dhe në këtë rast ato janë të sigurta dhe të qeta që kanë kryer ekzaminimet e duhura për të diagnostikuar kancerin e gjirit në kohë. Po ashtu, rekomandohet që ky diskutim me mjekun të fillojë nga mosha 30 vjeç sepse në varësi të rastit, do të gjykohet nëse në vazhdim duhet ndjekur një protokoll depistimi për risk të lartë apo të ulët për kancer gjiri.”



Megjithatë, udhëzimet ndërkombëtare për depisitmin e kancerit të gjirit ndryshojnë dhe kjo e bën të vështirë përzgjedhjen e planit më të përshtatshëm të ndjekjes.

Përveç mamografisë, ekzaminime të tjera shtesë për depistimin e kancerit të gjirit janë eko e gjirit dhe rezonanca magnetike (MRI).

Dr. Kleida thotë se është e rëndësishme qe gratë të dinë nëse kanë një densitet të rritur të gjirit apo jo. Sepse në gratë me densitet të rritur është e vështirë të identifikohen ndryshimet me anë të mamografisë standarde 2D. Në këto raste do të ishte e nevojshme një mamografi 3D.

“Për të përcaktuar se cili është ekzaminimi depistues më i përshtatshëm për cdo grua duhet të merren në konsideratë shumë faktorë, të lidhur me moshën, densitetin e gjirit dhe historinë personale apo familjare me kancer gjiri.”
shprehet Dr. Kleida.

Mjekja onkologe shton se është shume e rëndësishme nisja e hershme e testeve depistuese, sepse në këtë mënyrë kanceri i gjirit mund të diagnostikohet në fazat e tij të hershme dhe kështu mund të shmanget një kirurgji e madhe e gjirit dhe në disa raste edhe trajtimi me kimioterapi.

Dr. Kleida shton se gratë të cilat kanë histori familjare me kancer gjiri, histori personale me kancer gjiri ose kanë qenë të ekspozuara ndaj rrezatimit për shkaqe terapeutike si psh. në rastet e trajtimit me radioterapi për limfoma, duhet të nisin depistimin në moshë më të hershme se gratë pa faktorë të tillë risku.

Ajo shton se kanceri i gjirit është një ndër llojet e kancerit me efekte shumë të mira të trajtimit në stadet e hershme dhe se rëndësia e ndjekjes me rigorozitet të protokolleve të depistimit është shumë e rëndësishme në  diagnostikim e hershëm.


Lexo më shumë:


Kanceri i gjirit: Çfarë duhet të dini