Biopsia e gjirit është një procedurë gjatë së cilës merret një mostër indi nga gjiri dhe dërgohet në një laborator anatomo-patologjik për të kryer teste të tjera diagnostikuese.


Biopsia e gjirit është një mënyrë për të vlerësuar zona të dyshimta në gji dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një kancer gjiri apo jo.


Janë disa lloje biopsie të gjirit.


Pse bëhët?


Mjeku mund të rekomandoj një biopsi nëse:


- Ju ose mjeku juaj ndjeni një formacion në gji i cili sugjeron për kancer gjiri.

- Mammografia tregon një formacion të dyshimtë për kancer gjiri.

- Ekografia e gjirit ka treguar një formacion të dyshimtë për kancer gjiri.

- Rezonanca magnetike e gjirit ka treguar një formacion të dyshimtë për kancer gjiri.

- Ju keni ndryshime të dukshme të gjirit, thithit ose aerolës si lëkura e portokallit, retraksion i thithit, sekresione nga thithi i gjirit.


Çfarë rreziku ka biopsia e gjirit?


- Biopsia mund të shkaktoj një shenjë në zonën ku do të kryhet procedura e cila mund të shoqërohet me ënjtje.
- Në disa raste mund të shkaktohet infeksion dhe gjakosje në vendin ku është marr biopsia.

- Ndryshime në formën e gjirit në varësi të madhësisë së indit të hequr.


Duhet të kontaktoni me mjekun nëse keni temperaturë pas biopsisë, ose nëse vendi ku keni marr biopsinë është i skuqur dhe i ngrohtë. Këto mund të jenë shenja të infeksionit që kërkon mjekim.


Duhet të shtojmë se, biopsia e gjirit në asnjë nga llojet e saj, nuk shkakton përhapje të qelizave kanceroze nëse ka të tilla.


Si duhet të përgatiteni para biopsisë?


Para se të kryeni biopsinë, ju duhet t`i tregoni mjekut nëse:


- Keni alergji

- Keni marr aspirinë në 7 ditët e fundit

- Jeni duke marr antikoagulantë (medikamente për hollimin e gjakut)


Cilat janë llojet e biopsisë së gjirit?


Mjekët mund të rekomandojnë forma të ndryshme të biopsisë në varësi të madhësisë së gjirit, madhësisë së formacionit, vendndodhjes së formacionit e karakteristika të tjera.


Llojet e biopsisë së gjirit mund të jenë:


Biopsia me age të hollë (FNA – Citologji)


Ky është lloji më i thjesht i biopsisë së gjirit që mund të kryhet për të vlerësuar një formacion që evidentohet gjatë një ekzaminimi klinik. Për këtë procedurë, ju duhet të qëndroni shtrirë dhe mjeku me anë të një age të hollë merr një mostër nga formacioni në gji. Mostra e qelizave apo e likuidit grumbullohet në shiringë dhe më pas fiksohet në lama për testimet e mëtejshme në laborator.

Shpesh herë biopsia me age të hollë, kryhet me ndihmën e ekografisë, veçanërisht në rastet e formacioneve të vogla të gjirit.


CNB (Core Needle Biopsy)


Është një lloj biopsie e cila përdor një age me diametër më të madh se ajo e përdorur për kryerjen e citologjisë. Kjo lloj age mundëson marrjen e një mostre më të madhe se ajo që mundëson FNA. Kjo procedurë kryhet kryesisht me ndihmën e ekografisë. Gjatë kësaj procedure merren mostra të ndryshme në madhësinë e një kokrre orizi, të cilat analizohen për prezencën apo jo të tipareve patologjike.  


Biopsia stereotaktike


Kjo lloj biopsie kryhet me ndihmën e mammografisë për identifikimin e vendndodhjes së formacionit dhe piketimin e vendit të incizionit. Më pas me anë të një age, merren disa mostra nga formacioni të cilat analizohen në laborator.


Biopsia mund të kryhet edhe nën ndihmën e rezonancës magnetike përveç mënyrave të sipërpërmendura.


Biopsia kirurgjikale


Gjatë një biopsie kirurgjikale, një pjesë e formacionit në gji mund të merret për ekzaminim. Kjo procedurë njihet si biopsi incizionale. Në rast se gjithë formacioni në gji hiqet për ekzaminim, kemi të bëjmë me një biopsi ekscizionale. Biopsia kirurgjikale kryhet në një sallë operacioni nën anestezi.


Çfarë ndodh pas biopsisë?


Pas gjithë llojeve të biopsisë, me përjashtim të biopsisë kirurgjikale, ju nuk do të keni nevojë për hospitalizim. Por, nuk mund të jeni plotësisht aktiv gjatë ditës që keni kryer biopsinë. Për te reduktuar dhimbjen në zonën ku është marr biopsia, mund të merrni një qetësues (jo Aspirin), si psh Paracetamol dhe të vendosni një qese me akull mbi zonën ku është kryer procedura.


Në rastin e biopsisë kirurgjikale, do të keni sutura (penjtë) për të cilat duhet të tregoni një kujdes të veçantë dhe sipas rastit duhet të konsultoheni me kirurgun.


Kur dalin rezultatet?


Mund të duhen disa ditë për marrjen e rezultateve. Pas kryerjes së biopsisë, mostra dërgohet në laborator ku ekzaminohet me anë të një mikroskopi dhe disa procedurave të tjera specifike.

Patologu përgatit një konkluzion të ekzaminimit, i cili përmban sipas rastit informacion mbi madhësinë e përbërjen e mostrës dhe nëse janë prezente apo jo qeliza kanceroze.


Në varësi të rezultatit të biopsisë do të përcaktohet dhe plani në vazhdim ne lidhje me trajtimin e mëtejshëm apo jo.

Lexo më shumë:

Koha e trajtimit vlen për mbijetesën nga kanceri i gjirit.