Tumori i trurit është një rritje e qelizave jo normale dhe jo të shëndetshme të trurit.

Ekzistojnë shumë lloje të ndryshme të tumoreve të trurit. Disa prej tyre janë jo-kanceroze (beninje) dhe disa të tjera janë kanceroze (malinje). Tumoret e trurit mund të kenë fillesën në tru (tumoret primare të trurit), ose kanceri mund të ketë fillesën në një organ tjetër të trupit dhe të përhapet në tru (lezione sekondare, metastaza në tru).

Shpejtësia me të cilën mund të rritet një tumor i trurit ndryshon për secilin lloj tumori. Madhësia dhe lokalizimi i tumorit përcakton edhe ndikimin e tumorit ne funksionet e trurit e si rrjedhojë në simptomat që do të shfaqen.

Trajtimi i tumoreve të trurit varet nga lloji i tumorit, madhësia dhe lokalizmi.

Cilat janë simptomat e tumoreve në tru?


Shenjat dhe simptomat e tumoreve të trurit varen nga madhësia, lokalizimi dhe shpejtësia e rritjes së tumorit.

Në përgjithësi ato mund të jenë:

  • Dhimbje e koke e re ose ndryshim në intensitet dhe shpeshtësi e dhimbjeve të zakonshme të kokës
  • Nauze dhe të vjella të pashpjegueshme
  • Probleme me shikimin, si shikim i turbulluar ose humbje e shikimit periferik
  • Humbje e ndjesive ose e lëvizjes në një këmbë ose krah
  • Humbje të ekuilibrit
  • Probleme me të folurën
  • Konfuzion në çështje të përditshme
  • Ndryshime të personalitetit ose sjelljes
  • Atak konvulsiv (pa histori të mëparshme)
  • Probleme me dëgjimin


Cilat janë shkaqet e tumoreve të trurit?


Tumoret primare të trurit e kanë origjinën në tru ose në indin përreth, si në membranat e trurit (meningjet), nervat kraniale, gjëndrën e hipofizës dhe gjëndrën pineale.

Tumoret primare të trurit shfaqen kur qeliza normale të trurit pësojnë mutacione në materialin e tyre gjenetik të reja apo të trashëguara. Këto mutacione nxisin rritjen e pakontrolluar të qelizave kanceroze dhe rezultati është një masë qelizash jo normale – të cilën e quajmë tumor.

Në adultë, tumoret primare të trurit janë më të rralla se metastazat nga tumore të tjera në trup.

Ndër tumoret primare të trurit mund të përmendim:

Gliomat – tumore të cilat e kanë origjinën në tru ose palcën kurrizore dhe përfshijnë astrocitomat, ependimomat, glioblastomat, oligoastrocitomat dhe oligodendrogliomat.

Meningeomat – janë tumore të cilat e kanë fillesën në membranat e trurit. Në shumicën e rasteve meningeomat janë beninje.

Shvanomat akustike – tumore beninje të cilat e kanë fillesën në nerva që kontrollojnë ekuilibrin dhe dëgjimin.

Adenomat e hipofizës – tumori më i shpeshtë beninj që zhvillohet në gjëndrën e hipofizës. Këto tumore ndikojnë në hormonet e hipofizës, të cilat kanë ndikim në gjithë trupin.

Meduloblastoma – tumoret kanceroze të trurit më të shpeshta te fëmijët. Meduloblastoma ka tendencën të shfaqet në pjesët më inferiore të trurit dhe të përhapet në likuidin cerebro-spinal. Këto tumore hasen edhe në të rritur por janë shumë të rrallë.

Tumoret germinale – mund të zhvillohen në fëmijë, gjatë kohës së formimit të testikujve dhe ovareve. Por mund të ndodh që këto lloj tumoresh të shfaqen edhe në pjesë të tjera të trupit, si në tru.

Kraniofaringiomat – tumore të rralla jo kanceroze, të cilat e kanë fillesën në afërsi të gjëndrës së hipofizës, e cila kontrollon shumë funksione të trupit. Me zmadhimin e këtij tumori në tru, mund të preken struktura të tjera trurit në afërsi të tumorit.

Cilët janë tumoret më të shpeshta që shkaktojnë metastaza në tru?


Tumoret sekondare të trurit (metastatike) janë tumore të cilat e kanë fillesën diku tjetër në trup dhe përhapen në formën e metastazave në tru.

Zakonisht, metastazat e trurit ndodhin në persona të diagnostikuar me kancer por mund të ndodh të jenë edhe shenja e parë kancerit.

Në adultë, tumoret sekondare të trurit janë shumë më të shpeshta se tumoret primare.

Llojet më të shpeshta të kancerit të cilat mund të japin metastaza janë:

  • Kanceri i gjirit
  • Kanceri i kolonit
  • Kanceri i veshkave
  • Kanceri i mushkërisë
  • Melanoma


Cilët janë faktorët e riskut?


Në më të shumtë e rasteve, shkaqet e tumoreve primare të trurit mbeten të panjohura. Disa nga faktorët e identifikuar deri tani janë:

  • Ekspozimi ndaj rrezatimit. Personat e ekspozuar ndaj rrezatimeve jonizuese kanë risk më të lartë për tumore primare të trurit.
  • Histori familjare me tumor të trurit. Një pjesë e vogël e tumoreve të trurit ndodhin në persona me histori familjare për tumore të trurit, si pasojë e sindromave gjenetike të trashëguara.

5 gjëra që duhet të bëni para se të filloni trajtimin për kancer