Pasi ke dëgjuar fjalinë se “është kancer gjiri”, është e vështirë të fokusohesh në gjërat që do të vijnë pas. Pa dyshim që je e frikësuar dhe në mendjen tënde ka 100 mendime njëkohësisht. Sigurisht, nuk je e përgatitur - askush nuk është, ndaj është shumë e vështirë të vazhdosh bisedën në lidhje më prognozën dhe vendimet që duhet të marrësh për trajtimin.

Nga eksperienca me pacientët tanë, kemi kuptuar se cilat janë pyetjet dhe përgjigjet që do të qartësonin sado pak situatën në të cilën mund të gjendeni. Ajo çka dimë me siguri, është se sa më shumë të informuara janë pacientet mbi sëmundjen, aq më shumë bëhen pjesë e përzgjedhjes së trajtimit dhe përballja me sëmundjen bëhet shumë më e lehtë.

Çfarë lloj kancer gjiri kam?


Kanceri i gjirit nuk është i të njëjtit lloj. Ka disa mënyra për të klasifikuar kancerin e gjirit dhe ajo më e thjeshta është në bazë të qelizës nga ka origjinën.

Shumica e llojeve të kancerit të gjirit, rreth 70-80%, e kanë origjinën nga kanalet (duktuset) e qumështit. Ato përcaktohen si invazive ose infiltrative (karcinoma duktale invazive), çka do të thotë që kanë depërtuar përtej mureve të kanaleve të qumështit. Këto qeliza invazive kanë aftësinë të përhapen më shumë ose të japin metastaza në organe të tjera të trupit.

10% e llojeve të kancerit të gjirit e kanë origjinën nga gjëndrat që prodhojnë qumështin që njihen si lobula. Ky lloj kanceri gjiri njihet si karcinoma lobulare invazive.

Lloje të tjera më të rralla mund të shfaqen në thithin e gjirit, indin lidhor ose në enët e gjakut. Disa lloje të kancerit të gjirit nuk janë invazive. Ato janë të kufizuara brenda kanaleve të qumështit dhe quhen karcinoma duktale in situ (DCIS). Përgjithësisht, prognoza për pacientet me DCIS është shumë e mirë.

Sa i madh është tumori?


Madhësia e tumorit është një tjetër faktor që përcakton mënyrën e trajtimit. Madhësia e tumorit mund të përcaktohet me anë të ekzaminimeve imazherike si mammografia, eko dhe rezonanca magnetike e gjirit. Por madhësia e saktë e tumorit duhet të përcaktohet nga mjeku anatomo-patolog, pas heqjes kirurgjikale të tumorit.

A është përhapur kanceri në limfonoduj?


Përhapja e kancerit në limfonoduj ose jo, është një ndër faktorët kryesorë prognostikë të sëmundjes. Prekja e limfondujve nga kanceri mund të na ndryshoj[ planin e trajtimit. Në këto raste, përzgjedhim plane më agresive të trajtimit që përfshijnë edhe kimioterapinë.

Çfarë stadi është kanceri?


Stadifikimi i kancerit është një mënyrë e standardizuar e klasifikimit të agresivitetit të kancerit. Mund të keni dëgjuar stadifikimin nga I në IV, i cili na tregon mbi shtrirjen e tumorit dhe praninë ose jo të metastazave. Stadifikimi i tumorit ndihmon në përcaktimin prognozës dhe planit të trajtimit.


Çfarë grade është tumori?


Grada tumorale nuk është e njëjta gjë me stadin e tumorit. Megjithatë, të dy janë indikatorë të agresivitetit të tumorit dhe prognozës. Stadifikimi na jep informacion mbi madhësinë e tumorit, lokalizimin dhe përhapjen e qelizave kanceroze, ndërsa grada tumorale ka të bëjë me pamjen e qelizave kanceroze nën mikroskop.

Sa më atipike të duken qelizat tumorale, aq më shumë janë gjasat që tumori të jetë agresiv dhe të përhapet më lehtë.

Grada kryesisht është nga I në III. Sa më e lartë të jetë grada, aq më agresiv është tumori. Ndonjëherë mund të ndodhë të kemi të bëjmë me një tumor të stadit të ulët - stadi I por të gradës së lartë - grada III.

Si janë receptorët e estrogjenit dhe progesteronit?


Hormonet si estrogjeni dhe progesteroni, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në prognozën dhe përcaktimin e planit të trajtimit të kancerit të gjirit. Nëse qelizat e kancerit të gjirit përmbajnë receptorë të estrogjeni dhe progesteronit, përcaktohen si ER/PR pozitive - çka do të thotë se rritja e tyre stimulohet nga këto hormone. Rreth 70% e pacientëve me kancer gjiri janë ER/PR pozitive.

Edhe pse statusi pozitiv i receptorëve hormonalë nuk tingëllon shumë mirë, në fakt është një lajm i mirë. Këta lloj tumoresh mund të trajtohen me barna anti-estrogjenike si tamoksifeni, që bllokon receptorët e estrogjenit ose inhibitorët e aromatazës (anastrazole, letrozole ose ekzemestane) që ulin nivelin e estrogjenit në trup për të frenuar rritjen e qelizave tumorale. Këto lloj trajtimesh mund të merren deri në 10 vjet.

Tumoret ER/PR - negative, të cilat janë më agresive, nuk mund të trajtohen në të njëjtën mënyrë. Në këto raste, opsioni i preferuar mbetet kimioterapia.

Si është statusi i HER-2?


HER2 është një tjetër receptor që mund të jetë prezent në qelizat e kancerit të gjirit. Rreth 25% e llojeve të kancerit të gjirit janë HER-2 pozitive. Kanceri i gjirit HER-2 pozitv është një lajm i mirë dhe i keq njëkohësisht.

Lajm i keq pasi këta lloje tumoresh kanë më shumë tipare agresive se kanceri i gjirit HER-2 negativ. Ndërsa lajm i mirë është se, ashtu si kanceri i gjirit ER/PR pozitiv, ka opsione të trajtimit që targetojnë këtë receptor specifik në qelizat e kancerit të gjirit. Barnat si trastuzumabi, pertuzumabi, T-DM1 dhe lapatinibi kanë përmirësuar ndjeshëm prognozën e pacientëve me kancer gjiri HER-2 pozitiv.

Me përdorimin e këtyre barnave të reja, rezultatet e trajtimit për pacientet me kancer gjiri HER-2 pozitiv janë pothuajse po aq të mira sa në rastet HER-2 negativ.

Do të kem nevojë për kirurgji dhe çfarë lloji?


Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, por përgjigja nuk mund të jetë definitive, pasi ndryshon nga pacienti në pacient dhe ka më shumë se një opsion.

Nëse kirurgjia do të jetë e nevojshme ose jo, varet nga stadi i kancerit dhe madhësia e tumorit. Në gratë në të cilat kanceri i gjirit është i operueshëm, zgjedhjet janë për kirurgji konservative (që shoqërohet me rrezatim) ose mastektomi - heqja e plotë e gjirit dhe limfonodujve të afërt.

A mund të bëj rikonstruksion të gjirit dhe kur?


Kjo është një tjetër pyetje pa një përgjigje definitive. Nëse jeni duke konsideruar rikonstruksionin e gjirit, stadi i kancerit të gjirit përcakton edhe kohën e duhur se kur mund të kryhet kjo ndërhyrje. Për pacientet me kancer të hershëm të gjirit, rikonstruksioni i gjirit mund të bëhet menjëherë. Në rastet e kancerit të avancuar, është e nevojshme të diskutohet rasti më në hollësi me kirurgun dhe onkologun.

A do të kem nevojë për rrezatim?


Në pacientet që kanë kryer kirurgji konservative të gjirit, rekomandohet radioterapia. Ndërsa në rastin e mastektomisë, radioterapia rekomandohet në rastet që konsideron me risk të lartë për rikthim të sëmundjes, veçanërisht në tumore mbi 5 centimetra dhe me metastaza në limfonoduj.

A do të kem nevojë për kimioterapi?


Kimioterapia është një modalitet trajtimi që përdoret në pacientet me risk të lartë për rikthim të sëmundjes. Disa faktorë që favorizojnë trajtimin me kimioterapi janë:

- Metastaza në limfonoduj
- Tumor me gradë të lartë
- Receptorët ER/PR - negative
- Tumoret HER2 - pozitive
- Pikëzim i lartë në Oncotype DX, Mammaprint, etj
- Kanceri i gjirit në mosha të reja, veçanërisht në moshat nën 40 vjeç.

A do të duhet të trajtohem me barna të tjera?


Nëse kanceri i gjirit është HER-2 pozitiv, do të duhet të merrni Trastuzumab (Herceptin) për një vit. Ndryshe nga çfarë mendohet, Trastuzumabi nuk është kimioterapi.

Në rast se kanceri i gjirit është ER/PR-pozitv, rekomandohet trajtimi me barna anti-estrogjenike nga 5 deri në 10 vjet. Ky trajtim është shumë i rëndësishëm për parandalimin e rikthimit të sëmundjes.

Çfarë janë mutacionet gjenetike të kancerit të gjirit?


Vitamina D – Cili është roli i saj në parandalimin e kancerit të gjirit?



Koha e trajtimit vlen për mbijetesën nga kanceri i gjirit.