Kanceri i gjirit është lloji më i hasur i kancerit te femrat

Në Shqipëri, kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te gratë me rreth 450-500 raste të reja çdo vit dhe zë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjeve nga kanceri tek femrat. Arsyeja kryesore për këto shifra është diagnoza e vonshme, në stade të avancuara. Kjo vjen si pasojë e kontrolleve të rralla, mosinformimit dhe mosedukimit për këtë çështje. Ja disa fakte të rëndësishme që çdokush duhet të dijë mbi kancerin e gjirit, sidomos femrat:


Jo të gjithë tumoret e gjirit janë njësoj


Ato janë lloje të ndryshme histologjike, pra struktura e tyre ndryshon në nivel mikroskopik e molekular. Ato ndryshojnë si në prognozë (parashikimin mbi ecurinë e sëmundjes), ashtu edhe në mënyrën e trajtimit.

Një test biopsie kryhet për të kontrolluar qelizat tuaja trupore dhe studiuar për ndryshime ose komplikacione të çdolloji. Të dhënat histologjike që vijnë nga rezultati i biopsisë bashkëlidhen me ekzaminimet imazherike, për të kuptuar shkallën e përhapjes së sëmundjes, prognozën dhe mënyrën e trajtimit. Pas vendosjes së diagnozës së kancerit të gjirit, mjeku onkolog njihet dhe me diagnozën dhe nëntipin histologjik të tumorit.



Çfarë është grada histologjike e tumorit?


Shkalla e diferencimit të qelizave tumorale nga ato të shëndetshme përcaktohet me anë të gradës histologjike. Në rezultatet e biopsisë së gjirit mund ta gjejmë me këtë ndarje të niveluar:

  • G1 – e mirë diferencuar

  • G2 – mesatarisht e diferencuar

  • G3 – e keq diferencuar

Agresiviteti i kanceri të gjirit rritet në përpjesëtim të drejtë me rritjen e gradës.



Në cilën pjesë të gjirit ka origjinën tumori?


Origjina e tumorit në gji jep informacion për prognozën dhe mënyrën e trajtimit. Mundësitë e origjinës së tumorit janë:

  • Duktuset e qumështit – Duktuset janë struktura që shërbejnë për transportin e qumështit nga lobulat e gjirit në thithkë. Tumoret që kanë këtë origjinë janë format më të shpeshta të kancerit të gjirit. Në rastin kur tumori është i kufizuar brenda duktuseve njihet si Karcinoma Duktale “in situ”. Në rast se ka kaluar barrierën e duktuseve njihet si Karcinome DuktaIe Infiltrative ose Invazive.

  • Lobulat e gjirit – Lobulat janë strukturat e gjirit ku prodhohet qumështi. Nëse tumori është i kufizuar në lobul, njihet si Karcinoma Lobulare “in situ”. Në rast të kalimit të kufijve të lobulës, njihet si Karcinoma Lobulare Infiltrative ose Invazive.

  • Indi lidhor – rrallë ndodh që tumoret e gjirit të origjinojnë nga indi lidhor në gji, siç janë muskujt, indi dhjamor apo enët e gjakut. Kanceri që ka këto origjina njihet si Sarkoma. Shembuj të sarkomës së gjirit janë tumoret Phyllodes ose angiosarkomat.


A ushqehen qelizat tumorale nga hormonet?


Disa lloje tumoresh të gjirit janë sensitive ndaj hormoneve femërore si estrogjeni dhe progesteroni. Qelizat kanceroze të gjirit kanë receptorë në membranën qelizore, të cilat ndërveprojnë me hormonet që qarkullojnë në trup. Për të përcaktuar nëse qelizat kanceroze përmbajnë ose jo këta receptorë, krahas biopsisë, nevojitet nje ekzaminim shtesë i quajtur imunohistokimi. Në këtë ekzaminim përcaktohet statusi i receptorëve hormonalë. Rezultatet mund të jenë:

  • ER-pozitiv – qelizat që përmbajnë këtë receptor përdorin hormonin e estrogjenit për rritje. Trajtimi me terapi hormonale, anti-estrogjenike bllokon rritjen e tumorit.

  • PR-pozitiv – Ky lloj kanceri gjiri është sensitiv ndaj hormonit të progesteronit dhe e përdorin atë për rritje. Trajtimi me terapi hormonale bllokon rritjen tumorale.

  • ER/PR – negativ – Ky lloj kanceri nuk përmban receptor hormonal dhe nuk është i ndjeshëm ndaj trajtimeve hormonale.


Cilët janë nëntipet gjenetike të kancerit të gjirit?


Në bazë të statusit të receptorëve hormonal dhe markuesve të tjerë të qelizave kanceroze të gjirit, ai kategorizohet në disa nëngrupe për arsye prognostike dhe terapeutike:

  • Luminal A - Tumoret ER/PR-pozitive por HER2-negativ me nivel proliferimi (ki67) te ulet. Tumoret e këtij grupi përfitojnë më shumë nga trajtimi hormonal dhe kanë një prognozë më të favorshme se kategoritë e tjera.

  • Luminal B - Tumoret ER/PR-pozitive ose ER+ dhe PR- dhe HER2-pozitiv. Tumoret e këtij grupi përfitojnë nga trajtimi hormonal, trajtimi i targetuar ndaj HER2 (Trastuzumab) dhe kimioterapia.

  • HER2 – pozitiv - Tumoret ER/PR-negativ dhe HER2-pozitiv. Këta lloj tumoresh përfitojnë nga trajtimi me terapi të targetuar ndaj HER2 (trastuzumab) dhe me kimioterapi.

  • ER-/PR-/HER2 - (triple negative) – Tumoret e këtij grupi me receptorë hormonal negativ dhe HER2 negativ përfitojnë nga trajtimi me kimioterapi.

Në bazë të veçorive të përmendura më sipër dhe ekzamineve imazherike përcaktohet prognoza e sëmundjes dhe modaliteti i trajtimit.


Disa nga mënyrat për të zbuluar herët kancerin e gjirit janë:


• Vetëkontrolli mujor i gjirit

• Kontrolli i gjirit te mjeku

• Mamografia

• Eko e gjirit

Femrat shqiptare në fillim të të pesëdhjetave janë grupi më i rrezikuar nga kanceri i gjirit. Mos harroni se kanceri i gjirit mund të trajtohet me sukses nëse zbulohet në faza të hershme.