Marsi është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e kolonit. Në vitet e fundit, të dhënat kanë treguar një trend shqetësues – më shumë mosha të reja po diagnostikohen me kancer të kolonit në krahasim me vitet e shkuara.

Fatmirësisht, kanceri i kolonit jep disa shenja paralajmëruese të cilat pavarësisht moshës që keni, nuk duhen injoruar.

Më e rëndësishmja ndër to është:

Nëse vini re gjak në jashtëqitje – gjakderdhja nuk është asnjëherë normale. Ka shumë arsye të cilat mund të çojnë në gjakderdhje, të cilat jo domosdoshmërish janë të lidhura me kancerin, por këto situata, gjithmonë duhen vlerësuar nga një mjek.


Testi kryesor për diagnostikim për kancerin e kolonit është kolonoskopia
. Udhëzimet aktuale rekomandojnë për fillimin e kolonoskopisë nga mosha 50 vjeç, për persona që nuk kanë simptoma dhe na 45 vjeç ose 40 vjeç për personat me risk të lartë për zhvillim të kancerit kolorektal.

Një test alternativ depistues i kancerit të koloni është testi për praninë e gjakut okult në feçe.

Shpesh herë, njerëzit mendojnë se prania e gjakut në feçe është për shkak të hemorroideve, dhe në shumë raste sigurisht është kështu. Por është shumë e rëndësishme që kjo të konfirmohet nga një specialist me ekzaminimet e nevojshme diagnostikuese, dhe duke marrë parasysh trendin në rënie të moshës, vlerësimi nga mjeku duhet të bëhet për çdo moshë.

Për sa i përket mënyrës së parandalimit, aktiviteti i rregullt fizik, dieta e pasur në fibra dhe e varfër në yndyra, janë kyçe për uljen e riskut të përgjithshëm për zhvillim të kancerit kolorektal.

Nuk duhet të harrojmë se kanceri i kolonit mund të ndodh në çdo moshë, ndaj mos nënvlerësoni simptomat. Edhe nëse jeni 20, 30, 40, 50 vjeç apo çfarë do moshe tjetër, nëse keni një shqetësim, konsultohuni me një mjek. Mund t`i ndodh kujtdo.

A jeni të rrezikuar nga kanceri i zorrës së trashë?