Çfarë është kanceri i laringut?

Kanceri i laringut është një lloj kanceri i fytit. Ndodh kur qelizat e shëndetshme të laringut transformohen në qeliza jo të shëndetshme dhe shumohen pa kontroll. Laringu është organ i vendosur në pjesën e sipërme të aparatit të frymëmarrjes. Në laring janë të vendosura kordat zanore, struktura të cilat mundësojnë zërin.

Cilat janë simptomat e kancerit të laringut?

  •  Zë i ngjirur
  •  Vështirësi dhe/ose dhimbje në gëlltitje
  •  Dhimbje veshi
  •  Kollë e vazhdueshme ose kollitje me gjak
  •  Vështirësi ne frymëmarrje

Të gjitha këto simptoma mund të vijnë dhe për shkaqe të tjera, jo të lidhura me kancerin e laringut. Por nëse i keni këto simptoma duhet të kontaktoni me mjekun, për të përcaktuar natyrën dhe shkakun e tyre.

A ka një test për kancerin e laringut?

Po. Mjeku mund t`ju pyes për simptomat dhe në vazhdim bën një ekzaminim fizik. Gjate ekzaminimit mund të përdor një pasqyrë specifike për të vëzhguar gojën dhe fytin.

Mjeku po ashtu, mund të përdor një laringoskop, një pajisje me kamer dhe dritë, për të vëzhguar më në brendësi të fytit. Gjatë kësaj procedure mund të merret dhe biopsia. Për biopsinë, mjeku merr një mostër nga indi i dyshuar për kancer. Mostra dërgohet në laboratorin e anatomopatologjisë, ku realizohet ekzaminimi mikroskopik.

Çfarë është stadifikimi i kancerit?

Stadifikimi i kancerit, është një mënyrë e përdorur nga mjekët, me anë të së cilës është i mundur përcaktimi i shtrirjes së sëmundjes. Stadifikimi tregon nëse kanceri është përhapur në organet e tjera apo është i lokalizuar dhe i kufizuar vetëm në laring. Trajtimi i duhur varet nga stadifikimi i sëmundjes.



Si trajtohet kanceri i laringut?

  • Kirurgjia – lloji i kirurgjisë varet nga shtrirja e tumorit dhe nga lokalizimi i saktë i tumorit në laring. Ndonjëherë kirurgët kryejnë kirurgji invazive minimale dhe herë të tjera kryjenë kirurgji më invazive ose mund të heqin në tërësi laringun.
  • Rrezatimi – eleminon qelizat kanceroze.
  • Kimioterapia – i referohet përdorimit të barnave për eliminimin e qelizave kanceroze.

Pas trajtimit me kirurgji dhe/ose rrezatim, mund të shfaqen probleme me ngrënien, gëlltitjen ose/dhe të folurën. Në këto raste, rekomandohen trajtime rehabilituese për simptomat përkatëse.

Shumica e njerëzve janë të shqetësuar nëse do jenë të aftë të flasin pas trajtimit me kirurgji. Por pas kirurgjisë, ka mënyra të tjera, si psh. me anë të pajisjeve të posaçme që shërbejnë për të ndihmuar në të folur.


Çfarë ndodh pas trajtimit?

Pas trajtimit, mjeku kurues do t`ju ndjek në vazhdimësi me takime periodike, për të parë nëse ka shenja të rishfaqjes së sëmundjes. Në testet që mund të rekomandohen gjatë këtyre takimeve mund të përfshihen ekzaminime imazherike dhe laboratorike.

Personat e trajtuar për kancer laringu duhet të konsultohen në mënyrë periodike dhe nga stomatologu.

Pas trajtimit për kancer të laringut, duhet të jeni të vëmendshëm për shfaqjen e ndonjë prej simptomave të përmendura më sipër. Në rast se evidentoni diçka të dyshimtë, duhet të konsultoheni menjëherë me mjekun tuaj.


Çfarë tjetër duhet të di?

Është shumë e rëndësishme të ndiqen gjithë këshillat dhe instruksionet e mjekut kurues, në lidhje me vizitat, testet e domosdoshme dhe rekomandime të tjera. Është e rëndësishme po ashtu, të flisni me mjekun tuaj për çdo efekt anësor apo shqetësim që jeni duke përjetuar gjatë trajtimit.

Sa herë qe ju rekomandohet një trajtim, mos harroni të pyesni për:
  1. Cilat janë benefitet e trajtimit?
  2. A do të më japë mundësinë te jetoj më gjatë?
  3. A do të reduktoj apo parandaloj simptomat?
  4. Cilat janë efektet anësore të trajtimit?
  5. A ka opsione të tjera përveç trajtimit?
  6. Çfarë ndodh nëse nuk mjekohem?