Çfarë është kanceri i vezoreve?


Studimet tregojnë se ai që njihet si kanceri i vezoreve, fillesën e ka në fakt, në tubin e fallopit dhe më pas zhvendoset në vezore. Kanceri i ovarit shpesh diagnostikohet në fazat e tij të vonshme, në kohën kur është përhapur në pelvis dhe abdomen. Por nëse sëmundja diagnostikohet në fazë të hershme, kur ende është e kufizuar në vezore rezultatet e trajtimit janë shumë të mira.


Cilat janë simptomat?


Kanceri i ovarit rrallë shfaq shenja në stadet e hershme dhe kjo është një ndër arsyet pse shumica e grave diagnostikohen pasi sëmundja është e përhapur. Megjithatë, edhe në stadet më të vonshme të sëmundjes simptomat janë jo specifike.

Simptomat e kancerit të vezoreve përfshijnë:

  • - Fryrje barku
  • - Dhimbje barku ose në zonën pelvike
  • - Ndjesi ngopje edhe pas vakteve të lehta
  • - Humbje në peshë
  • - Urinim i shpeshtë
  • - Konstipacion


Kur duhet të konsultoheni me një mjek?


Këto janë simptoma që mund të shfaqen edhe në shumë gjendje të tjera shëndetësore apo ndonjëherë edhe pa një shkak të veçantë, megjithatë nëse persistojnë duhet të konsultoheni me një mjek.

Nëse keni të afërm me kancer të ovarit ose kancer gjiri, duhet të diskutoni me mjekun tuaj për riskun që ju mund të mbartni për zhvillim të kësaj sëmundje. Në këtë mënyrë, do të njiheni me testet e mundshme gjenetike dhe ndjekjen tuaj në vazhdim.




Cilët janë faktorët e riskut?


Historia familjare

Gjasat që një grua të zhvillojë kancer të ovarit janë me të larta nëse një i afërm i saj është diagnostikuar me kancer të ovarit, gjirit apo kolonit. Mendohet se 10% e rasteve me kancer të ovarit janë si pasojë e mutacioneve gjenetike të trashëguara të BRCA1 dhe BRCA2 dhe raste më të pakta si pasojë e sindromit Lynch.

Mosha

Njihet si faktori më i rëndësishëm për kancerin e vezoreve. Më shpesh shfaqet në gratë gjatë periudhës së menopauzës dhe përdorimi i hormoneve post menopauzale me përmbajtje estrogjeni e rrit riskun. Gjithashtu, gratë me menarke të hershme dhe menopauzë të vonë kanë risk më të lartë për zhvillim të sëmundjes

Obeziteti

Gratë obeze kanë risk më të lartë për kancer ovari. Po ashtu vdekshmëria është më e lartë në këtë grup.


A ka një test depistimi?


Nuk ka një test të validizuar depistues për kancerin e ovarit. Gjithë studimet të cilët kanë testuar vlerën e ekzaminimeve imazherike apo analizave laboratorike me ane të matjes së nivelit të markuesve tumorale, kanë treguar se kryrja e këtyre testeve nuk ndikon në uljen e vdekshmërisë nga ky kancer. Megjithatë, në gratë me risk të njohur të lartë për zhvillim të kancerit të ovarit mund të vlejë në disa raste kryerja e testit për markuesin tumoral - CA125.


Si mund të parandalohet?


Nuk ka një mënyrë të qartë për parandalimin e kancerit të vezoreve. Por ka disa mënyra për të reduktuar riskun për zhvillim të sëmundjes:

  • Konsideroni marrjen e kontraceptiveve orale – studime kanë treguar se kontraceptivet oralë ulin riskun për kancer të ovarit. Megjithatë, ato mbartin risqe të tjera, si lehtësisht rritja e riskut për kancer të gjirit në përdorim mbi 5 vite. Konsultohuni me mjekun për riskun tuaj individual dhe gjykoni nëse benefitet e përdorimit të tyre tejkalojnë risqet.
  • Nëse jeni mbartës i mutacionit BRCA1/BRCA2 mund t`i nënshtroheni kirurgjisë profilaktike.