Limfonodujtë e zmadhuar të qafës zakonisht nuk janë arsye për shqetësim të madh, por ja çfarë duhet të dini nëse jeni të rrezikuar.

Ky është sezoni i hunëve të bllokuara dhe infeksioneve të fytit, e sigurisht ato mund të shoqërohen edhe me zmadhim të limfonodujve të qafës. Ndaj në më të shumtën e rasteve pas shkakut të zmadhimit të tyre qëndron një infeksion viral.

Megjithatë, në disa raste, gjëndra në një anë të qafës mund të jetë një shenjë e një gjendje më serioze se një virozë e stinës.

Çfarë janë limfonodujtë ose siç i njihen gjerësisht si gjëndrat?


Në qafë, kemi dy zona të cilat i quajmë gjëndra:

- Gjëndrat salivare (gjëndrat e pështymës) të cilat transportojnë saliven (pështymën) në gojë për të siguruar lagështinë e nevojshme. Ato ndodhen në të dy anët e fytyrës ose poshtë nofullës.
- Gjëndrat limfatike, të cilat njihen edhe si limfonodujtë, gjenden kryesisht në dy anët e qafës.

    Funksioni i gjëndrave limfatike në trup është të eliminojnë si mbetje të dëmshme si toksinat apo patogjenë si viruset, bakteret të cilat arrijnë të depërtojnë në sistemin tonë.

    Në trupin tonë kemi rreth 600 limfonoduj të cilat varjojnë në madhësi deri në 1 cm. Ato janë të shpërndara në të gjithë trupin, që nga nofulla deri te këmbët.



    Pse zmadhohen limfonodujtë?


    Kur limfonoduli identifikon diçka të dëmshme në trup, menjëherë fillon të përdor funksionet e tij për ta eliminuar atë. Në brendësi të limfonodulit gjenden qeliza të bardha të gjakut të cilat luftojnë infeksionet dhe sëmundjet. Kur limfonoduli fillon t`i përdor ato, gjëndra zmadhohet.

    Virozat e ndryshme, infeksionet e fytit dhe infeksionet e veshit mund të çojnë në zmadhim të gjëndrave limfatike. Kur arrijmë të trajtojmë siç duhet infeksionin edhe limfonodujtë zvogëlohen.

    Vendndodhja ka rëndësi: Gjëndrat poshtë nofullës rrallë përbëjnë problem për t`u shqetësuar. Ato shpesh zmadhohen si pasojë e bllokimit ose ngushtimit të duktuseve salivare që trasportojnë pështymën. Gjasat që një kancer të zhvillohet në këto gjëndra janë shumë të vogla. Më shumë duhet të shqetësohemi për limfonodujtë e ndodhur në anë të qafës.


    Kur janë limfonodujtë e zmadhuar një shenjë e kancerit?


    Limfonodujtë që janë të zmadhuar si pasojë e një infeksioni zakonisht janë të dhimbshëm. Ne fillojmë të shqetësohemi kur dikush ka një limfonodul me karakteristikat e mëposhtme:

    - Është i zmadhuar më shumë se 1 cm.
    - Nuk është i dhimbshëm në prekje.
    - Nuk është përmirësuar pas mjekimit të një infeksioni dhe është aty prej më shumë se 2 javësh.

      Nëse limfonoduli ka më shumë se 2 jave dhe vazhdon duke u zmadhuar, është një arsye e mjaftueshme për të thelluar më tej ekzaminimet dhe për të kuptuar më shumë mbi shkaqet e mundshme të zmadhimit.

      Ka edhe disa faktorë të tjerë të cilët duhen marr në konsideratë:


      - Të dhënat mbi pacientin
      . Kanceri është më i shpeshtë në personat mbi 40 vjeç dhe më i rrallë në personat në të 20-at e tyre.

      - Histori me kancer lëkure
      . Nëse keni patur një histori me kancer lëkure, gjithmonë konsiderohet mundësia e rikthimit të sëmundjes.

      - Stili i jetës
      . Është e rëndësishme t`i kushtohet vëmendje stilit të jetesës, i cili mund të ndikoj në rritjen e rrezikut për kancer. Këtu mund të përmendim duhanpirjen dhe alkoolin.

      - Infeksioni HPV
      . HPV-ja është një tjetër faktor i cili rrit rrezikun për kancer. Në përgjithësi është i lidhur me riskun për kancer të qafës së mitrës, por HPV-ja mund të shkaktoj edhe kancer të gojës dhe fytit që mund të jap si shenjë dalluese zmadhim të gjëndrave limfatike në qafë.


        Çfarë lloj kanceri është më shpesh i lidhur me zmadhim të gjëndrave limfatike?


        Kanceri skuamoqelizor është një ndër më të shpeshtët. Kanceri i lëkurës që nis në fytyrë ose skalp, është një arsye për t`u shqetësuar.

        Po ashtu, kanceri i gojës apo i fytit dhe limfomat janë të lidhura më zmadhimin e limfonodujve në qafë.

        Nuk duhet të harrojmë se historia e shëndetit të pacientit është shumë e rëndësishme për të planifikuar se cilat duhet të jenë hapat e mëtejshme në menaxhimin dhe kujdesin ndaj tij.



        Lexo më shumë:


        Limfoma Jo-Hodgkiniane. Çfarë duhet të dimë?