Duhanpirësit mund të kthejnë kohën mbrapa për mushkëritë e tyre nëse arrijnë të mposhtin zakonin, pasi një studim i fundit ka treguar se qeliza të shëndetshme zëvendësojnë qelizat e dëmtuara nga duhanpira me prirje më të lartë për kancer.

Ky studim i publikuar së fundmi në revistën Nature, sjell më shumë shpresë për duhanpirësit të cilët duan të luftojnë me zakonin, pasi personat që kanë 30 ose 40 vite që konsumojnë duhan shpesh janë të pashpresë për rikuperim duke menduar se tashmë pas kaq kohësh dëmi është i parikuperueshëm.

E bukura e këtij studimi është se tregon se nuk është kurrë vonë për të hequr dorë nga duhanpirja. Disa prej personave të përfshirë në studim, kanë konsumuar më shumë se 15.000 cigare në jetën e tyre e mëgjithatë, brenda pak viteve nuk ka më shenja të demtimit të mushkërive.

Për të kryer studimin u analizuan biopsitë e mushkërive nga 16 persona, duke përfshirë duhanpirës aktual, duhanpirës të vjetër që kishin hequr dorë, persona që nuk kishin pirë asnjëherë duhan dhe fëmijë. Analizimi i biopsive u bë për të parë mutacione të mundshme që çonin në zhvillimin e kancerit.

Ndryshimet gjenetike që vihen re në qeliza janë normale dhe shfaqen me kalimin e moshës, shumë prej këtyre mutacioneve janë të padëmshme dhe njihen si “mutacionet - pasagjer”. Por një mutacion në gjenin e gabuar dhe qelizën e  gabuar mund të ndryshojë tërësisht funksionin e qelizave duke i bërë ato të sillen si qeliza kanceroze. Nëse do të ketë mjaftueshëm qeliza të tilla, nga një qelizë e vetme mund të shkaktohet kanceri.



Nga ky studim u zbulua se 9 nga 10 qeliza të mushkërisë te duhanpirësit kishin mutacione përfshirë edhe ato që mund të shkaktojnë kancer. Por në personat që e kishin lënë pirjen e duhanit u vu re se këto qeliza të dëmtuara ishin zëvendësuar me qeliza të shëndetshme si ato që u vunë re tek njerëzit që nuk kishin pirë kurrë duhan. Deri në 40% të qelizave të mushkërive tek ish-duhanpirësit ishin të shëndetshme, 4 herë më shumë se numri i qelizave të shëndetshme te mushkërive të duhanpirësve aktual.

Mënyra se si këto qeliza të dëmtuara zëvendësohen nga qelizat e shëndetshme ende është i  paqartë, por sipas autorëve të studimit duket se në trup ka një lloj rezervuari qelizash të shëndetshme, të gatshme për të ndërhyrë në rigjenerim në rast nevoje. Pra, në momentin që individi ndërpret konsumin e duhanit, qelizat e shëndetshme proliferojnë gradualisht për të zëvendësuar qelizat e dëmtuara.

Ky studim hedh dritë mbi efektin mbrojtës që ka ndërprerja e duhanit në nivelin molekular të indeve të mushkërive. Qëllimi i studimeve të mëtejshme do të jetë gjetja e këtyre rezervuareve me qeliza të shëndetshme si dhe studimi i mekanizmit të tyre për të zëvendësuar qelizat e dëmtuara.

Lexo më shumë:


Kanceri i mushkërive – A mund të diagnostikohet në kohë?