Të gjithë burrat që bëjnë kontroll të përvitshëm të prostatës janë të qartë se nëse diçka nuk shkon në ekzaminim fizik duhet t`i nënshtrohen një analize laboratorike. Një tjetër opsion është kryerja e biopsisë, por analiza laboratorike që mat nivelin e PSA-së është jo invazive dhe më e thjeshtë.

Çfarë është PSA dhe f-PSA?


PSA është një proteinë e cila e bën spermën më likuide. Kjo bën të mundur që sperma të arrijë më lehtësisht vezën.

Është normalë që një pjesë e PSA-së të kalojë në qarkullimin e gjakut. Në rastin e kancerit të prostatës ose problemeve të tjera të lidhura më prostatën, sasia e PSA-së që do të qarkulloj në gjak është më e lartë.

Kryerja vetëm e analizës së PSA-së shpesh mund të tregojë rezultate fals-pozitive për kancer të prostatës. 3 nga 4 burra me nivel të rritur të PSA-së kanë rezultuar pa kancer të prostatës.

Një mënyrë edhe më saktë për të parashikuar kancerin e prostatës është analiza e f-PSA-së. Emërtimi vjen nga fakti se f-PSA qarkullon në gjak e lirë, pa nevojën e të lidhurit me proteina të tjera si në rastin e PSA-së.

Raporti i f-PSA-së dhe PSA-së mund të tregojë një rezultat më të qartë të riskut për kancer prostate.

Sasia e f-PSA-së është më e ulët në burrat me kancer prostate. E kundërta ndodh me PSA-në totale, niveli i lartë i të cilës mund të jetë një shenjë e kancerit të prostatës. Në dy burra me nivel të njëjtë të PSA-së, ai që ka nivel më të ulët të f-PSA-së ka më shumë gjasa të diagnostikohet me kancer prostate.

Cilat janë arsyet e nivelit të ulët të f-PSA-së?


Studimet kanë treguar disa arsye të lidhura më nivelin e f-PSA-së:

Pesha – Burrat mbipeshë, veçanërisht ata obezë, kanë tendencën për të patur nivel më të ulët të f-PSA-së.

Duhanpirja – Një studim ka treguar se burrat që pinë duhan ose që kanë qenë duhanpirës në të shkuarën kanë nivel më të ulët të f-PSA-së se jo duhanpirësit.

Mosha – Burrat në moshë të re kanë më shumë probabilitet të kenë nivel të ulët të f-PSA-së se burrat mbi 70 vjeç.

Zmadhim i prostatës – Një gjendje jo-kanceroze, e cila vështirëson urinimin, mund gjithashtu të shkaktojë nivel më të ulët të f-PSA-së.

PSA-ja totale dhe niveli i f-PSA-së


Analiza e PSA-së matet në nanogram për mililitër dhe është një analizë gjaku. Vlerat klasifikohen si më poshtë:

0 - 2 ng/ml – Gjasat për kancer prostate janë shumë të ulëta.

< 4 ng/ml – Në më të shumtën e rasteve është vlerë normale, por rreth 15% e burrave me këtë nivel PSA-je mund të kenë kancer prostate. Në këtë rast këshillohet kryerja e një analize f-PSA-je.

4 – 10 ng/ml – Rreth 20% e burrave në këtë grup mund të diagnostikohen me kancer prostate. Në këtë rast këshillohet  kryerja e një analize f-PSA-je.

> 10 ng/ml – Probabiliteti për kancer prostate është 1 në 2 burra. Në këtë rast rekomandohet biopsia.

Duhet të kujtojmë se edhe nëse vlera e PSA-së totale dhe e f-PSA-së nuk është “normale”, nuk do të thotë domosdoshmërish se kemi të bëjmë me një kancer prostate. Rezultatet duhet të interpretohen vetëm nga mjeku, i cili do t`ju rekomandojë ose jo për kryerjen e testeve të tjera diagnostikuese.