“Pse mua?”
Është një pyetje që shpesh shoqërohet me “Unë ha ushqime të shëndetshme, bëj ushtrime, nuk kam pirë kurrë cigare dhe ndërkohë nuk kuptoj pse më ndodhi pikërisht mua.”

Të gjithë do të donim ta dinim se cfarë e shkakton kancerin, por në fakt nuk mund të themi me siguri asgjë.

Si, pse, ku dhe kur varen nga ndërlidhja e gjenetikës, faktorëve ambientalë dhe gjendjes shëndetësore të përgjithshme. Dhe ndonjëherë edhe fati luan rolin e tij!

Në fakt, ne jemi të gjithë të ndryshëm dhe kanceri për gjithsecilin është i ndryshëm. Kur predispozita gjenetike gjen mjedisin e duhur dhe kohën e përshtatshme shkakton kancer. Por janë disa gjëra që mund të bëjmë edhe pse mund të kemi lindur me një bashkësi gjenesh të pa fat.

Janë dy lloje mutacionesh gjenetike:


Muatacione të linjës germinale
– ato që trashëgojmë nga prindërit.

dhe

Mutacione somatike
– ato që ndodhin të reja në trup, nga të cilat të gjithë kemi shumë.

Për shkak të mutacioneve të linjës germinale, disa prej nesh lindin me një predispozitë gjenetike për të zhvilluar kancer. Për shembull mutacionet në gjenet supresore BRCA1/BRCA2 janë lidhur me një risk të shtuar për kancer gjiri dhe kancer ovari. Megjithatë, të kesh një mutacion gjenetik, nuk do të thotë që me siguri do të prekesh nga kanceri, por tregon një dobësi të trupit që përkthehet në risk më të lartë për kancer se personat pa këtë mutacion.

Çfarëdolloj qelizash që kemi trashëguar nga prindërit, replikohen me një ritëm të mahnitshëm, rreth 100 milion për minutë. Në rastin e krijimit të qelizave jo të shëndetshme, sistemi imunitar i identifikon ato dhe më pas i eliminon. Por ndonjëherë, kur sistemi imunitar është i frenuar për shkaqe të ndryshme, qelizat jo të shëndetshme i shpëtojnë kontrollit të tij. Në këto raste, këto qeliza vazhdojnë të lira të replikohen në qeliza të tjera jo të shëndetshme.

Ekspresioni i gjeneve


Një tjetër variabël që kontribuon në formimin e kancerit është mënyra si dhe kur aktivizohet një gjen. Jo e gjithë ADN-ja jonë është e përdorshme gjatë gjithë kohës. Disa gjene aktivizohen me raste, e në raste të tjera çaktivizohen – një dukuri që njihet si ekspresioni i gjeneve dhe ndikon në funksionin e qelizës. Ekspresioni i gjeneve ndihmon për të përcaktuar nëse një mutacion gjenetik do të çojë në kancer apo jo dhe mund të mbështes ose parandaloj mutacione të tjera somatike.

Mjedisi po ashtu, luan një rol kyç në ekspresionin e gjeneve. Toksinat nxisin mutacionet dhe çdo gjë që frenon sistemin imunitar shton riskun për mos eliminim të qelizave jo të shëndetshme. Ekspozimi i gjatë në diell, papastërtia e ajrit dhe ujit, ushqimet e përpunuara, formaldehidet, ftalatet, kimikate të tjera me bazë petroleumi, detergjentët për pastrim, disa materale rrobash, përbërësit në kremra e produkte kozmetike dhe disa infeksione virale mund të krijojnë mjedis të favorshëm për nxitje të mutacioneve.

Në anën tjetër, dieta dhe aktiviteti fizik mund të sjellë një influencë pozitive në ekspresionin e gjeneve. Me 30 minuta aktivitet fizik në ditë, ritmi metabolik rritet, po ashtu dhe përgjigja ndaj insulinës. Hani sa më shumë ushqime të pasura me vitamina dhe kështu aktivizoni gjenet supresore të inflamacionit dhe stimuluese të sistemit imunitar.




Oksidimi i brendshëm


Ka të bëjë më atë që njihet si stresi oksidativ. Mendojeni atë si ndryshk, por brenda qelizave. Praktikisht, ashtu si oksigjeni shkakton ndryshk në hekur, shkakton po të njëjtin efekt në qeliza me kohën. Sa më e vjetër qeliza, aq më shumë stres oksidativ ka kaluar. Sa më i moshuar një person, aq më shpesh qelizat janë replikuar dhe aq më shumë janë të predispozuara ndaj mutacioneve. Për këtë arsye, mosha është një faktor që ndikon në zhvillimin e kancerit.

Dieta mund të kundërveproj ndaj stresit oksidativ. Boronicat dhe rrushi e të tjerë burime të antioksidantëve veprojnë kundër stresit oksidativ duke parandaluar dhe riparuar dëmtimet e ADN-së. E vetmja mënyrë për t`i përfituar këtë benefite është duke ngrënë shumë fruta e perime, pa nevojën e suplementeve të vitaminave.

Përgjigja e sistemit imunitar


Sistemi ynë imunitar ka evoluar për të na mbajur të shëndetshëm në rrethana nga më të ndryshmet. Qëllimi i tij është të identifikojë elementë të huaj në trup dhe t`i eliminojë ato nëse përbëjnë një rrezik për shëndetin. Disa patogjenë janë më të vështirë për t`u luftuar se të tjerë, ndaj shpesh temperatura zgjat më shumë e tështimat nuk pushojnë. Por në fakt, këto janë të gjitha reagime të betejës së sistemit imunitar. Në të njëjtën mënyrë, sistemi imunitar identifikon edhe toksina e qelizat me mutacione, duke i eliminuar ato për të parandaluar formimin e kancerit.

Kujdesi ndaj sistemit imunitar e ndihmon atë në identifikimin dhe eliminimin e qelizave kanceroze apo patogjenëve. Ky kujdes mund të sigurohet me anë të shumë phytonutrientëve, të cilët merren nga një dietë shumëngjyrëshe që përmban shumë vitaminë E, beta-karoten, Omega-3 dhe Vitaminë B. Trupi ynë i ka të nevojshëm ato për të siguruar mbrojtjen e duhur dhe ashtu si antikosidantët, burimi më i mirë janë frutat dhe perimet e freskëta.

Arsyeja pse frutat dhe perimet e freskëta preferohen është për shkak të gjithë procesit të tretjes dhe në veçanti për shkak të mikrobiomës.

Trupi ynë, strehon miliarda baktere të cilat jetojnë në lëkurë dhe në gjithë aparatin tretës. Këto baktere ndihmojnë në tretjen e ushqimeve dhe fuqizojnë sistemin imunitar. Kur i ushqeni ato, ushqeni dhe sistemin imunitar.

Stresi


Një ndër shkatërruesit e sistemit imunitar është stresi kronik. Në shumë studime është treguar se stresi kronik ndikon në çrregullimin e metabolizmit, çrregullimin e gjumit, ndërvepron me të menduarin dhe stabilitetin emocional dhe në përgjithësi frenon mbrojtjen e sistemit imunitar.

Kur prekeni nga një virozë pas një jave të gjatë e të lodhshme pune, mund të jetë edhe për shkak të frenimit të sistemit imunitar.

Në intervalet kur vigjilenca e sistemit imunitar është e ulur, qelizat kanceroze mund t`i shpëtojnë identifikimit dhe për pasojë eliminimit.

Cfarë mund të bëjmë për ta shmangur?


10 minuta meditim, një shëtitje në ajër të pastër, një pushim nga rrjetet sociale dhe telefoni, një gjumë i mirë natën dhe shoqëria me miq të mirë mund të vendos balanca të brendshme dhe të ul nivelin e stresit.

Çdo gjë nga pak


Si cdo gjë në jetë, është gjithmonë çështje balance. Është ndikimi i përbashkët i gjithë faktorëve që na mban të shëndetshëm apo shkakton kancer. Ndaj dhe shkaku specifik për kancerin është shumë e vështirë për t`u identifikuar.

Nuk mund të kontrollojmë çdo gjë. Kemi lindur me ADN-në e trashëguar bashkë më mutacionet e mbartura. Po ashtu, nuk mund të qëndrojmë përherë 25 vjeç për të parandaluar stresin oksidativ. Por mund të bëjmë shumë gjëra të tjera për të ulur barrën mutacionale dhe të forcojmë sistemin imunitar. Minimizoni ekspozimin në diell, hani një dietë të shëndetshme, kryeni aktivitet fizik dhe gjeni aktivitetin që ju ndikon në uljen e stresit.

Çfarë është po aq e rëndësishme - kryeni kontrollet periodike. Kushtojini vëmendje trupit tuaj dhe shenjave që ju jep. Dhe nëse kanceri ndodh, kujdesuni për sistemin imunitar dhe ndiqni këshillat mjekësore dhe trajtimet sipas rekomandimit të mjekut.

Nuk ka një përgjigje të thjeshtë për shkakun e kancerit, apo një formulë universale për ta parandaluar atë, por duke kuptuar më shumë për faktorët që mund të ndikojnë dhe duke qenë proaktivë ndaj tyre, mund të rrisim gjasat për të qenë të shëndetshëm.




Lexo më shumë:

A mund dieta të rrisë mbijetesën në kancerin e gjirit?