Shoqata Amerikane e Kancerit ka publikuar së fundmi udhëzuesit me rekomandimet e detajuara mbi dietën dhe aktivitetin fizik për parandalimin e kancerit.

Rekomandimet kryesore kanë qenë të fokusuara rreth ruajtjes së një peshe trupore të shëndetshme, të qenit aktiv përgjatë jetës, dietës së ekuilibruar dhe shmangies së alkoolit. Përtej mos pirjes së duhanit, shoqata rekomandon se këto zgjedhje mbi stilin e jetesës janë shumë të rëndësishme për një individ për të kontrolluar dhe ndryshuar riskun për zhvillim të kancerit.

Në një analizë të fundit, kombinimi i këtyre faktorëve të riskut përbënte të paktën 12.8% të rasteve të kancerit dhe 15.8% të vdekjeve nga kanceri ne SH.B.A në 2014. Këto rezultate tregojnë se rekomandimet specifike të lidhura me këto sjellje kanë një potencial të madh për të reduktuar zhvillimin e kancerit.

Udhëzuesit e përditësuar të publikuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit kanë sjellë disa ndryshime nga udhëzuesit e mëparshëm të vitit 2012. Rekomandimet e fundit vijojnë si më poshtë:

- Rekomandohet një peshe trupore e shëndetshme dhe të ruajtja e kësaj peshe përgjatë gjithë jetës. Personat mbipeshë ose obezë mund të reduktojnë riskun për kancer edhe me rënien në peshë të pak kilogramëve.

- Për të rriturit rekomandohet nga 150 deri në 300 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar në javë, 75 deri në 150 aktivitet fizik me intensitet të lartë në javë ose një kombinim i të dyve. Megjithatë, përfitimet më të mëdha shëndetësore janë në 300 minuta aktivitet fizik.


- Për fëmijët dhe adoleshentët rekomandohet të paktën 1 orë aktivitet i moderuar në të fortë çdo ditë.

- Duhet të kaloni më pak kohë ulur ose shtrirë, përfshij këtu kohën e shpenzuar në telefon ose para televizorit, etj.

- Konsumoni një mori shumëngjyrëshe frutash dhe perimesh, gjithashtu shumë drithëra dhe oriz kaf.

- Reduktimi i konsumit të mishit të kuq dhe kryesisht produkteve të përpunuara si proshuta, sallami, salsiçet, etj.

- Shmangia ose reduktimi i konsumit të pijeve të ëmbëlsuara dhe ushqimeve të përpunuara.

- Mundësisht, shmangia e plotë e alkoolit. Megjithatë, nëse nuk është e mundur, për gratë nuk rekomandohet më shumë se 1 gotë në ditë dhe për burrat jo më shumë se 2 gota. Një gotë pije alkoolike përmban 350 ml birre ose 150 ml verë.


Ajo çka duhet të kemi gjithmonë në vëmendje është se nuk ka një ushqim ose qoftë edhe një grup ushqimesh të cilët mund të parandalojnë të vetëm zhvillimin e kancerit. Kanceri është një sëmundje multifaktoriale për zhvillimin e të cilit, dieta përbën vetëm 20% të faktorëve të cilët ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes.

Gjithashtu, Shoqata Amerikane e Kancerit rekomandon implementimin e iniciativave publike për të mbështetur çdo individ në përshtatjen e këtyre zakoneve të shëndetshme mbi stilin e jetesës. Çdo individ duhet të ketë akses në ushqime dhe pije të shëndetshme dhe mbi të gjitha duhet të ketë akses mbi informacionin e nevojshëm për të bërë zgjedhje të shëndetshme.

Sipas këtyre rekomandimeve lind nevoja për një rregullore specifike në lidhje me reklamimin dhe aksesin ndaj ushqimeve pa vlera ushqyese dhe gjithashtu rritje të financimit për struktura që lehtësojnë dhe mundësojnë aktivitetin fizik.

Të siguruarit qe të gjithë individët të kenë akses në zgjedhje ushqimore të shëndetshme dhe mundësi për aktivitet fizik kërkon hartim të strategjive të ndryshme publike, që nga implementimi dhe promovimi i programeve për shëndetin në komunitet, vendin e punës, shkolla dhe kopshte si dhe planifikim më afatgjatë të lidhur me arkitekturën, transportin, edukimin fizik në institucione edukative si dhe komunikimin në media masive.

Dr. Kleida Mati
Onkologe, MIA Clinic


Roli i dietës në kancerin e gjiri