Me moshën vjen urtësia dhe eksperienca por fatkeqësisht dhe risku më i lartë për kancer vezike urinare. Sigurisht, kanceri i vezikës mund të ndodh në çdo moshë, por risku rritet ndjeshëm në burra të moshuar dhe haset shumë më pak në burra dhe gra të rinj.

Koha na jep më shumë gjasa të ekspozohemi ndaj elementëve të dëmshëm që përpunohen në trupin tonë. Këto elementë toksikë grumbullohen në vezikën urinare para se të eliminohen nga trupi.

Mosha është një faktor risku i rëndësishëm për të gjithë llojet e kancerit në përgjithësi. Ndaj, ekspozimi i shpeshtë ndaj faktorëve të riskut, përfshij duhanin, mund të çojë në akumulim të ndryshimeve gjenetike që kontribuojnë në zhvillimin e kancerit të vezikës.

90% e personave me kancer vezike janë > 55 vjeç. Ndërkohë, mosha mesatare e diagnostikimit me kancer vezike është 73 vjeç.

A ndryshon risku sipas gjinisë?


1 në 27 burra mund të zhvilloj kancer vezike gjatë gjithë jetës, ndërsa për gratë, risku është 1 në 89 gra.

Burrat sëmuren më shpesh nga kanceri i vezikës sepse ata më shpesh janë duhanpirës dhe ata më shpesh punojnë në profesione të cilat i ekspozojnë ndaj elementëve toksike dhe të rrezikshëm.

Profesione si zjarrfikësit dhe shoferë kamionësh mund të rrisin riskun për shkak se personat në këto profesione janë më shumë të ekspozuar ndaj toksinave dhe kimikateve. Nëse përveç këtij fakti janë edhe duhanpirës, risku rritet edhe më shumë.

Cilët janë faktorët e riskut për kancer vezike?


Të kuptoni se cilët janë faktorët e riskut që ndikojnë në zhvillim të kancerit të vezikës, mund t`ju ndihmoj të merrni masat e duhura sa jeni në kohë, për t`i ndryshuar ato.

  • Ekspozimi ndaj kimikateve industriale, si aminat aromatike, arseniku, goma, lëkurat, tekstilet, bojërat, alumini, plastika.
  • Histori personale ose familjare për kancer vezike ose të traktit urinar.
  • Irritim kronik i vezikës ose infeksione.
  • Defekte të lindura të vezikës urinare.
  • Disa kimiopreparate dhe trajtimi me radioterapi.
  • Dehidratimi.
  • Përdorimi i zgjatur i disa medikamenteve (psh. pioglitazone, phenacetin).

Si mund të ulet risku për kancer të vezikës urinare?


Edhe pse disa prej faktorëve nuk kemi mundësi t`i ndryshojmë, disa të tjera kemi mundësi t`i modifikojmë. Ndër to janë:

  • Mos pirja e duhanit.
  • Nëse punoni në profesione ku jeni i ekspozuar, merrni masat mbrojtëse përkatëse për të shmangur ekspozimin.
  • Pini ujë dhe qëndroni të hidratuar. Uji mund të eliminojë më shpejt nga vezika toksinat e grumbulluara.
  • Hani një dietë të mirë-balancuar. Hani shumë fruta dhe perime, fruta të thata, peshk dhe proteina. Reduktoni sasinë e mishit të kuq dhe shmangni ushqimet e përpunuara.
  • Flisni me mjekun për simptomat. Keni shansin më të mirë për kurim nëse diagnostikoheni në faza të hershme të sëmundjes. Në fazat e avancuara, mbijetesa mund të bjerë në më pak se 15%.

Edhe pse nuk ka evidenca të qarta mbi përfitimet e testeve depistuese për kancerin e vezikës urinare, është e rëndësishme të njoftoni mjekun tuaj për çdo ndryshim që mund të vini re në urinim (psh. urinim me gjak ose simptoma të tjera).

Po ashtu, është e rëndësishme që mjeku juaj të di mbi historinë tuaj familjare, për të përcaktuar më saktë riskun tuaj për kancer vezike.



Lexo me shume:


Pse mua?