Kanceri është shkaku kryesor i vdekjeve në botë, por sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, 1 në 3 raste mund të parandalohen. Sigurisht që nuk ka një ilaç magjik që t`ju mbaj larg nga kanceri, por ka gjëra që mund të bëni për të përmirësuar shanset tuaj të ndeshjes me këtë sëmundje.

Rënia në peshë


Kilet e tepërta e rrisin probabilitetin për disa lloje kanceri, përfshirë kancerin e ezofagut, pankreasit, kolonit, veshkave, gjëndrës tiroide, gjirit. Me kalimin e kohës dhe me rënien e numrit të duhanpirësve, pritet që obeziteti t`ia kalojë duhanpirjes si shkaku kryesor i parandalueshëm për zhvillimin e kancerit. Çdo kile më pak sjell përfitime për shëndetin.

Hani më pak mish të përpunuar


Këtu përfshihen të gjitha llojet e proshutave, sallamit, salsiçe, etj. Të cilat janë të lidhura me risk më të lartë për zhvillim të kancerit të kolonit dhe stomakut. Instituti Amerikan i Kërkimeve mbi Kancerin rekomandon jo më shumë se 500 gram në javë mish të kuq dhe mish të përpunuar së bashku.

Përdorni krem dielli


Rrezet e diellit mund të shkaktojnë më shumë se djegie të lëkurës. Rrezatimi ultraviolet mund të shkaktojë kancer lëkure. Personat që ekspozohen më gjatë në diell janë më shumë të rrezikuar. Nëse diagnostikohet në fazat e hershme, kanceri i lëkurës mund të shërohet, por nëse kalon në stade të avancuara është i rrezikshëm për jetën. Kremi i diellit me faktor mbrojtës mbi 30 ju ndihmon të mbroheni.

Hani më shumë perime


Frutat dhe perimet ju ndihmojnë të shmangni disa lloje kanceri si ai i gojës, fytit, ezofagut, etj. Këto ushqime ndihmojnë qelizat të parandalojnë dëmtimin e tyre që më pas mund të çojë në kancer. Duhet të hani të paktën 2 herë në ditë fruta dhe perime.

Mos i mbani shpresat te suplementet


Një dietë e pasur me fruta, perime dhe drithëra është më efikase se përdorimi i suplementeve në parandalimin e kancerit. Suplementet nuk ju japin të njëjtat përfitime si ushqimet edhe pse shumë herë janë të domosdoshme për të trajtuar mungesa ose disbalanca të ndryshëm të organizmit tonë.

Reduktoni sheqerin


Ushqimet dhe pijet me sheqer përmbajnë më shumë kalori. Nëse i konsumoni shpesh, merrni më shumë kalori se sa keni mundësi të digjni gjatë ditës. Kjo shkakton rritje të peshës - çka rrit riskun për kancer. Nuk duhet të shmangni tërësisht sheqerin, por bëni kujdes me ushqimet e pasura me sheqer dhe kryesisht ato të përpunuara.

Vaksinohuni kundër HPV-së


HPV mund të transmetohet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Mund të jetojë në trup për shumë vite pa shkaktuar simptoma specifike. HPV është shkaku i pothuajse të gjithë rasteve të kanceri të qafës së mitrës dhe mund të shkaktojë gjithashtu kancer të vaginës, penisit, anusit, gojës dhe fytit. Vajzat mund të vaksinohen në moshën nga 9 deri në 26 vjeç dhe djemtë nga mosha 9 deri në 21 vjeç. Përdorimi i prezervativëve ul shansin për infektim nga HPV.

Çohuni nga divani


Personat që ushtrohen fizikisht kanë më pak gjasa të sëmuren nga kanceri i kolonit, gjirit dhe endometrit. Kur jeni duke lëvizur, trupi harxhon më shumë energji, tret ushqimin më shpejt dhe parandalon depozitimin e disa hormoneve të cilat janë të lidhura me kancerin. Aktiviteti fizik mban larg edhe shumë sëmundje të tjera si ato kardiake dhe diabeti.

Mos pini duhan


Duhanpirja rrit riskun për shumë lloje kanceri, si dhe për sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje të mushkërive. Edhe pse numri i duhanpirësve për çdo vit është në rënie, duhanpirja vazhdon të mbetet shkaku i parë i parandalueshëm i kancerit në botë.

Mos pini alkool


Konsumi i tepërt i alkoolit rrit riskun për disa lloje kanceri të traktit digjestiv - për kancer stomaku, mëlçie, koloni, gjiri dhe fyti. Burrat nuk duhet të pinë më shumë se 2 gota në ditë dhe gratë jo më shumë se një gotë.

Vaksinohuni kundër Hepatitit B


Personat me Hepatit B janë 100 herë më shumë të predispozuar të zhvillojnë kancer të mëlçisë. Hepatiti B mund të parandalohet me anë të vaksinimit. Flisni me mjekun tuaj për vaksinimin kundër hepatitin B.

Kryeni testet depistuese


Sa më shpejt identifikohen shenjat e kancerit, aq më të mëdha janë shanset për kurim. Shumë teste dhe ekzaminime mund të shërbejnë për diagnostikimin e hershëm të disa llojeve kanceri, si kanceri i gjirit, kolonit, prostatës ose lëkurës. Flisni me mjekun tuaj se kur dhe cilat janë testet që duhet të kryeni.

Demonizimi i mishit të kuq dhe kanceri


Bukuria toksike – A rrezikojnë shëndetin produktet e kujdesit personal?