Melanoma kutane, e njohur edhe si melanoma malinje, është lloji më i agresiv i kancerit të lëkurës, e cila ka potencialin të përhapet edhe në pjesë të tjera të trupit. Edhe pse melanoma përbën vetëm 1% të llojeve të kancerit të lëkurës, është përgjegjëse për më shumë se 90% të vdekjeve nga kanceri i lëkurës.

Megjithatë, falë zhvillimeve (shumica në dekadën e fundit) në lidhje me trajtimin e kësaj sëmundje, pacientët me këtë diagnozë kanë shanse më të mira për mbijetesë.

Çfarë është melanoma?


Melanoma zhvillohet si pasojë e rritjes së pakontrolluar të qelizave të njohura si melanocite. Një ndër funksionet më të rëndësishme të një melanociti është mbrojtja e lëkurës nga rrezet e dëmshme ultraviolet (UV). Këtë funksion e kryen duke prodhuar pigmentin e quajtur melaninë.

Janë shumë faktorë që mund të ndikojnë në zhvillimin e melanomës. Ato përfshijnë faktorët ambientalë si dëmtimi i lëkurës nga rrezatimi diellor ose frekuentimi i solareve si dhe faktorë që lidhen me trashëgiminë gjenetike, çka mund të bëj një person më të predispozuar për të zhvilluar melanomë. Po ashtu, duhen përmendur edhe mutacionet gjenetike spontane të cilat vijnë si rrjedhojë e ndikimit ambiental dhe atij gjenetik të trashëguar.

Opsionet e trajtimit: Të vjetrat dhe të rejat


Deri para pak vitesh, në vendet e zhvilluara, opsionet e trajtimit për personat me melanomë të avancuar ishin mjaft të limituara. Kirurgjia, kimioterapia dhe terapia me interferon (për të reduktuar proliferimin tumoral) ishin ndër opsionet e trajtimit. Por vetëm 1 në 10 pacientë me melanomë të avancuar mbijetonin për 5 vjet, dhe mbijetesa një vjeçare ishte më pak se 1 vit.

Falë zhvillimeve shumë të rëndësishme në fushën e kërkimeve gjenetike, përfshij të dhëna nga Human Project Genome, pacientët me melanomë metastatike tashmë kanë shanse më të mira mbijetese. Psh. shumë studime kanë treguar se disa lloje melanome kanë të aktivizuara rrugë sinjalizuese qelizore, të cilat kontribuojnë në rritjen e pakontrolluar të tumorit. Keto gjetje kanë çuar në zhvillimin e barnave të cilësuara si imunoterapi e targetuar.

Terapitë e reja, që në thelb shënjestrojnë këto rrugë sinjalizuese qelizore (terapite e targetuara) si dhe imunoterapia, janë tashmë të mundshme për pacientët me melanomë. Këto përfshijnë barna si dabrafenib, vemurafenib, nivolumab, pembrolizumab dhe ipilimumab. Edhe pse studimet kanë treguar rezultate të shkëlqyera në lidhje me rritjen e mbijetesës me përdorimin e këtyre trajtimeve, në Shqipëri ende jo të gjitha janë të mundshme për trajtimin e pacientëve. 

Parandalimi është gjithmonë më i vlefshëm se kurimi


Edhe pse tashmë ka terapi më efektive në trajtimin e melanomës, melanoma metastatike serish mbart një prognozë jo të favorshme. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se edhe trajtimet më të reja nuk janë pa efekte anësore, përfshij edhe riskun për kancer sekondar të lëkurës. Ndaj, gjithmonë është më e thjeshtë dhe e rëndësishme të parandalojmë se të kurojmë një melanomë.

Disa ndryshime në zakonet tona mund të ndikojnë shumë. Këto përfshijnë përdorimin e kremit mbrojtës ndaj diellit, shmangien e ekspozimit në diell në oraret e pikut (nga ora 10-14:00) dhe kontrollin e lëkurës nga mjeku dhe dermatologu.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme të njiheni me lëkurën tuaj. Kontrollojeni lëkurën tuaj çdo muaj. Kërkoni në lëkurën tuaj për “rosakun e shëmtuar” (një nishan që duket ndryshe nga të tjerët). Kujtoni ABCDE-n e melanomës, që mund t`ju ndihmojë për të vlerësuar nishanet tuaja dhe të njerëzve të dashur.

A – Asimetria (një anë duket ndryshe nga tjetra)

B – Borders (kufij jo të rregullt të nishanit)

C – Color (ngjyra e nishanit nuk është e njëtrajtshme)

D – Diametri (shpesh më i madh se 6 mm)

E – Evolucioni (një nishan që ndryshon me kohën)

Nëse vini re diçka të pazakontë në lëkurën tuaj, kërkoni menjëherë ndihmën e një mjeku. Mos harroni se, melanoma është e shërueshme nëse diagnostikohet në kohë.

Dr. Kleida Mati

Melanoma - Çfarë duhet të dimë?