Nëse dhe ju vuani nga migrena, e dini mirë që një dhimbje e thjeshtë koke as që nuk i afrohet dhimbjes migrenoze. Shumë njerëz jetojnë me frikën se çdo moment dhimbja mund të rikthehet. Por, qarkullojnë shumë mite mbi migrenën dhe neurologu Drini Dobi ju tregon disa prej tyre.



1. Migrena është thjesht një dhimbje e fortë koke


    Gabim! Duke e përkufizuar kështu, nuk marrim parasysh pasojat e rënda mbi personat që e vuajnë. Migrena është një ndër sëmundjet më të shpeshta invalidizuese. Migrena arrin pikun nga mosha 30 deri në 49 vjeç. Studiuesit mendojnë se migrena është e shkaktuar nga disa disbalanca kimike.

    Ataku tipik i migrenës:

    • Shkakton një dhimbje që përshkruhet si pulsuese ose goditëse.
    • Shpesh shoqërohet me simptoma si sensitivitet ndaj dritës dhe nauze.

    “Njerëzit  mendojnë se migrena është diçka e cila mund të kalohet dhe mund t`i rikthehesh punës normalisht” shprehet neurologu Drini Dobi. “Por, e vërteta është se migrena është një sëmundje neurologjike e cila impakton punën, familjen dhe jetën sociale të personave që e vuajnë.”



    2. Të gjitha dhimbjet migrenoze janë njësoj


      Disa njerëz mund të mendojnë se nuk kanë migrenë, meqenëse ajo nuk u shfaqet në format e saj tipike, që do të thotë: e shoqëruar me nauze apo ndjeshmëri ndaj dritës. Por nuk është gjithmonë kështu. Migrena mund të shfaqet edhe ne forma jo tipike. Eksperiencat e personave me migrenë janë të ndryshme: Dikush mund të jetë i aftë të funksionojë edhe pse jo me gjithë kapacitetin e tij, persona të tjerë mund të jenë edhe të invalidizuar gjatë dhimbjeve. Sipas definicionit, migrena mund të shfaqet në formën e saj të moderuar deri në severe, por dikush mund të ketë një dhimbje migrenoze severe dhe mos të ketë simptoma shoqëruese tipike.


      Pyetësor për vlerësimin e dhimbjeve të kokës


      3. Vetëm ekzaminimet imazherike mund të diagnostikojnë migrenën


        “Në më të shumtën e rasteve një interviste e detajuar shoqëruar me një ekzaminim fizik është e mjaftueshme për të diagnostikuar migrenën” thotë Dr. Drini Dobi. Ai shton se shqetësimi për dhimbjen e kokës mund të diskutohet me një mjek familje ose me neurologun.



        4. Migrena ka një shkak të caktuar


          Shumica e njerëzve nuk e dinë nga se ju shkaktohen dhimbjet e forta migrenoze. “Kjo i bën personat me migrenë të ndihen shumë të pasigurtë, sepse duke mos ditur se çfarë e shkakton këtë atak, ata ndihen të rrezikuar vazhdimisht” thotë Dr. Drini Dobi.

          “Ata duan të dinë se çfarë duhet të shmangin, kështu qe fillojnë të eliminojnë disa nxitës të njohur si vera e kuqe e të tjera. Por për shumicën e tyre, identifikimi i nxitësve të dhimbjeve migrenoze është shume i vështirë dhe me raste i pamundur”.



          5. Nëse asnjë nga trajtimet e migrenës nuk funksionon për ju, nuk keni më zgjidhje


            Nuk duhet të dorëzoheni! Studiuesit janë duke eksploruar proteinën që mund të shkaktojë migrenën – një peptid i lidhur me gjenin e kalcitoninës (CGRP). CGRP shkakton inflamacion në meningjet e trurit dhe çon në atak migrenoz.

            Hulumtuesit kanë zbuluar një medikament të projektuar posaçërisht për të ndaluar CGRP që të shkaktoje inflamacion te meningjeve.


            Trajtimi me CGRP është zhvilluar posaçërisht për trajtimin e migrenës dhe ndryshon nga medikamentet e deritanishme. Shumica e barnave aktuale parandaluese të migrenës janë barna antihipertensive, antidepresantë apo për trajtimin e epilepsisë që përdoren dhe ne trajtimin e migrenës. Ata janë zhvilluar për një tjetër qëllim primar dhe më pas janë parë të kenë efekt edhe në migrenë.



            6. Barnat OTC (pa recetë) mund të lehtësojnë migrenën


              Për dhimbjet e kokës, shumë njerëz përdorin medikamente të marra në farmaci pa recetë, në vend që të konsultohen me një mjek.

              “Njerëzit mendojnë se mund ta lehtësojnë dhimbjen migrenoze me barna pa recetë. Por, edhe pse këto barna mund të ndihmojnë pak, asnjëherë nuk mund të largojnë plotësisht atakun e fortë migrenoz” thotë Dr. Drini.

              “Për dhimbje koke okazionale, marrja e barnave OTC, mund të jetë efektiv, por nëse përjetoni 1 deri në 2 dhimbje migrenoze në javë, mbipërdorimi i këtyre barnave mund të përkeqësoj dhimbjet me kohën”.



              7. Nuk mund të bësh asgjë për të parandaluar ose menaxhuar dhimbjen


                Në fakt, ka të dhëna se tregojnë se ndryshimi i stilit të jetesës mund të jetë i dobishëm. A funksionon për të gjithë? Jo, por studimet tregojnë se vlen të provohet.

                Stresi njihet si nxitësi numër 1 për migrenën. Kryerja e aktiviteteve që ulin stresin si aktiviteti fizik, joga, meditim, mund të sjellë një ndryshim.

                Po ashtu, mund të provoni dhe suplemente si magnez, riboflavin dhe CoQ10. Këta suplementë mund të kërkojnë pak kohë qe të jenë efektive, ndaj duhet të jeni të duruar.



                8. Migrena e vërtetë është me aurë


                  Aura është një çrregullim sensor ose vizual që ndodh para fillimit të dhimbjes së kokës. Por miti që duhet patjetër të kesh aurë për të thënë se është migrenë, nuk është i vërtetë.

                  Migrena mund të jetë me ose pa aure. Në fakt, migrena me aurë ndodh vetëm në 30% të rasteve dhe personat qe e kanë, nuk e përjetojnë domosdoshmërish ne çdo atak.



                  9. Vetëm gratë kanë migrenë


                    Është e vërtete që gratë bëjnë më shpesh migrenë se burrat. Ky fakt, mendohet të jetë i lidhur me ndikimin hormonal. Por burrat po ashtu kanë migrenë. Djemtë kane më shumë dhimbje koke në fëmijëri se vajzat, por në moshën e adoleshencës vajzat preken më shpesh.

                    “Shpesh më ndodh të takoj pacientë, të cilët kanë fëmijë që vuajnë nga dhimbja e kokës. Por prindërit nuk arrijnë të identifikojnë që është një dhimbje migrenoze dhe shpesh ata nuk e kuptojnë impaktin që kjo dhimbje mund të ketë në jetën e fëmijëve të tyre” shprehet Dr. Drini. “Migrena ka tendencë të jetë e trashëguar, kështu që nëse fëmija juaj ankon për dhimbje koke, mos e nënvlerësoni. Nëse dhimbjet e kokës te ju mund të kenë filluar në një moshë të vonshme, nuk do të thotë që dhe fëmija juaj do t`i përjetojë në po të njëjtën moshë”.



                    10. Të jetosh në vende me klimë të mirë është kurë për migrenën.


                      “Ndryshimet e motit patjetër janë lidhur me migrenën dhe nuk e dimë arsyen përse. Por të zhvendosesh në një vend me klimë të mirë, nuk është një zgjidhje permanente për lehtësimin e dhimbjeve” thotë Dr. Drini.

                      Ai shton se “Zgjidhja më  e përshtatshme është një konsultë e detajuar e shoqëruar me trajtimin adekuat”.

                      Për të lexuar më shumë mbi dhimbjet e kokës:

                      Si mund të diagnostikohet migrena?

                      Dhimbja e kokës - kur duhet të shqetësohemi?