Kur fillon dhimbja e kokës duam ta ndalojmë menjëherë. Dhimbja mund të sjellë pasoja edhe në mungesat në punë apo të ndikojë në cilësinë e jetës në përgjithësi.

Pavarësisht nëse jeni të prirur për migrenë, dhimbje koke tensive ose dhimbje koke të tipit cluster, mund të reduktoni frekuencën e tyre duke identifikuar çfarë i shkakton ato. Më poshtë gjeni nxitësit më të shpeshtë për të gjitha llojet e dhimbjeve të kokës.

1. Stresi. Stresi mund të shkaktojë tendosjen e muskujve të shpatullave dhe qafës, çka shpesh shkakton dhimbje koke tensive. “Mendohet se fillon në muskuj. Kur dhimbja e kokës tensive bëhet më e shpeshtë, dhimbja në shpatulla dhe qafë ndihet si dhimbje e kokës”, thotë Dr. Drini Dobi, neurolog pranë MIA Clinic. Stresi gjithashtu, është një nxitës i zakonshëm edhe për migrenën.

    2. Dieta. Uria mund të jetë një nxitës i migrenës ose dhimbjes së kokës tensive. Por edhe ngrënia e disa ushqimeve të caktuara mund të shkaktojë migrenën. Mund të jetë vetëm një lloj ushqimi - si fasulet ose arrat - ose disa lloje, si avokadot, bananet, djathi, çokollata, limonët, bulmeti dhe qepët. “Ushqimet e përpunuara me përmbajtje nitritesh, nitratesh, ngjyruesish të verdhe ose glutamate monosodiumi mund të jenë veçanërisht problematike,” thotë Dr. Drini Dobi.

      3. Alkooli. Alkooli është një shkak i shpeshtë i migrenës dhe dhimbjes së kokës të titpit cluster. Për disa njerëz, pak mililitra verë e kuqe mund të jetë e mjaftueshme për të provokuar një dhimbje koke, megjithatë, çdo lloj alkooli mund të jetë një nxitës i mundshëm. Ajo çka nuk është e qartë ende, është se nuk dihet nëse është vet alkooli nxitës apo përbërës të tjerë të pijeve alkoolike.

       4. Mjedisi. “Dhimbjet e kokës të tipit Cluster janë më shumë sezonale dhe shpesh i hasim në pranverë dhe vjeshtë,” shprehet Dr. Drini Dobi. “Kjo tregon se mund të kenë ndikim edhe ndryshimet e stinës, por konkretisht nuk mund të themi çfarë ndikon,” shton ai. Faktorë të tjerë që ndikojnë janë drita e fortë, tymi, lagështia, aromat e forta, temperaturat e ftohta, të cilat lidhen me dhimbjen migrenoze të kokës.

        5. Hormonet. Ndryshimet në nivelin e estrogjenit janë të lidhura me migrenën te gratë. Gratë vuajnë më shpesh nga migrena se burrat. Cikli menstrual gjithashtu, mund të lidhet me atakët e migrenës. Ndryshimet e nivelit të estrogjenit në gratë perimenopauzante mund të shkaktojnë migrenë në gra që nuk kanë pasur ndonjëherë migrenë. Terapia me estrogjen gjithashtu, mund të jetë një shkaktar i migrenës. Ndërkohë qe, menopazua shpesh i jep fund migrenës për shumë gra.

          6. Mungesa e kafeinës. Nëse zakonisht merrni kafeinë me anë të kafes ose çajit, ndalimi i marrjes së saj në mënyrë të menjëhershme mund të nxisë migrenën. Kjo mund të ndodh pasi kafeina shkakton ngushtim të enëve të gjakut; ndaj pa kafeinë, enët e gjakut zgjerohen me çdo rrahje të zemrës - një ndër arsyet të dhimbjes së kokës pulsuese.

            7. Mungesa e gjumit. Mungesa e gjumit është e lidhur me migrenën dhe dhimbjen e kokës tensive. “Nuk dimë saktësisht pse, por dimë që ka një lidhje dhe se rregullimi i gjumit mund të çojë edhe në lehtësim të dhimbjes. Ndonjëherë edhe pas një gjumi të lehtë mund të arrihet përmirësim i dhimbjes,” thotë Dr. Drini Dobi.


              Çfarë mund të bëni?


              Është e rëndësishme të kuptoni se çfarë është duke e shkaktuar dhimbjen e kokës, për ta shmangur atë në të ardhmen. Por identifikimi i nxitësve mund të jetë i vështirë, sidomos në rastet kur ata mund të jenë të shumtë. Dr. Drini Dobi rekomandon mbajtjen e një ditari për të shënuar ditën, orën, simptomat dhe rrethanat në të cilat ka nisur dhimbja e kokës (Çfarë keni ngrënë? Ku ka ndodhur?).

              Nëse vetëm shmangia e nxitësve nuk është e mjaftueshme për të lehtësuar dhimbjen e kokës, duhet të diskutoni me mjekun për opsione të tjera. Ka barna të ndryshme të cilat mund ta lehtësojnë atë, si dhe trajtime të tjera jo-medikamentoze (akupunktura, meditimi, terapia relaksuese) të cilat mund të ndihmojnë gjithashtu.

              Por mos harroni “Kujdesuni të flini mjaftueshëm, të qëndroni aktiv gjatë ditës, të hani shëndetshëm dhe reduktoni alkoolin dhe stresin”, thotë Dr. Drini Dobi. “Dhimbjet e kokës janë një gjendje hipersensitiviteti, ndaj balancimi i gjithë sistemeve është i nevojshëm për të luftuar nxitësit.”