Dhimbja e shpinës prek rreth 80% të të rriturve përgjatë gjithë jetës së tyre. Njerëzit shpesh hasin dhimbje të shpinës në tërësi, por edhe dhimbja e njëanshme e shpinës nuk duhet neglizhuar pasi mund të jetë mjaft e bezdisshme.

Kur duhet të shqetësohemi për dhimbjen e shpinës që shfaqet vetëm nga ana e djathtë apo vetëm nga ana e majtë?


Nëse nuk keni pësuar ndonjë rrëzim apo ndonjë dëmtim të dallueshëm, atëherë nuk kemi të bëjmë me një frakturë që mund të kërkonte një trajtim të veçantë. Vetëm në raste të rralla vlen të shqetësohemi që dhimbja është vetëm nga ana e majtë apo vetëm nga ana e djathtë.

Përjashtim janë:

  • Mosha: Tek të moshuarit, dëmtime në dukje të vogla mund të rezultojnë në dicka serioze; kjo për shkak të densitet të ulur kockor ose artritit.
  • Aktiviteti fizik: Sportistët janë më të prirur për të vuajtur nga dëmtime si fraktura, hernie dhe artrit, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë. Kjo për shkak të çarjeve muskulo-skeletike dhe konsumimit më të madh të masës së muskulit.


Dhimbja e njëanshme e shpinës lidhur me irritimin e indeve të buta është lloji më i zakonshëm i dhimbjes së shpinës


Dhimbja spontane e njëanshme e shpinës ka disa shkaqe, kryesisht të lidhura me indin e butë (muskuli, ligamentet, kyçet). Muskujt e shpinës shtrihen në drejtim lartë-poshtë në anën e majtë dhe anën e djathtë të shtyllës kurrizore por asnjëherë nuk kalojnë në mes të saj. Kështu që nëse irritohet masa muskulore e anës së djathtë, dhimbja do të ndihet në po atë anë.

Dikush që vuan nga dhimbja prej irritimit te indeve të buta përjeton ndjesi ngurtësie të muskulit dhe dhimbje. Shpesh zona e prekur e indit bëhet e ndjeshme ndaj të prekurit, dhe lëvizjet kufizohen prej diskomfortit.

Shkaqet e dhimbjes së indeve të buta mund të jenë:


  • Mos lëvizja në gjumë gjatë natës: Nëse gjumi gjatë natës bëhet vetëm në një pozicion, muskujt e njërës anë të trupit bëhen të tendosura dhe rrjedhimisht shkaktojnë dhimbje.
  • Qëndrimi para kompjuterit: Nëse shpenzoni shumë orë të ulura para kompjuterit duke harruar të lëvizni herë pas here, mund të ndjeni dhimbje në njërën anë të shpinës.
  • Udhëtimet e gjata: Të qëndruarit ulur në karrige për një periudhë të gjatë kohe shpesh rezulton në tkurrje të masës muskulore. Rekomandohet ngritja në këmbë dhe lëvizja herë pas here në rast udhëtimesh të gjata me makinë apo avion.

Zakonisht dhimbjet muskulore përmirësohen me marrjen e anti inflamatorëve josterioid, pushim dhe vendosjen e kompresave me akull te zona e dhimbjes.


Dhimbja e anës së majtë/djathtë të shpinës lidhur me organet e brendshme të trupit


Nëse dhimbja e shpinës ndihet më në thellësi dhe shoqërohet me simptoma të tjera, mund të jetë dhimbje që vjen nga organet e brendshme të trupit. Në këto raste duhet këshilluar me mjekun pasi simptomat mund të jenë si pasojë e një infeksioni ose irritimi:

  • Zorrët: Inflamacioni i kolonit (zorra e trashë) mund të shkaktojë dhimbje vetëm në njërën anë të fund-shpinës; por përveç kësaj shkakton edhe dhimbje abdominale, krampe abdominale, çrregullim të tretjes dhe ndryshime në peshë.
  • Veshkat: Infeksioni i veshkës apo edhe guri në veshkë, shkakton dhimbje të njëanshme të shpinës që shfaqet mes harkut brinjor dhe vitheve. Duhet patur parasysh që simptoma të tjera si: urinimi me gjak, dhimbje gjatë urinimit, si dhe temperaturë, mund të jenë shoqëruese të dhimbjes në këto raste.
  • Mitra: Dhimbja në fund të shpinës nga ana e djathtë mund të jetë tregues edhe i fibromiomave ose endometriozës. Në këto raste, mund të shfaqen edhe simptoma të tjera si çrregullime të ciklit menstrual, shpeshtësi urinimi dhe dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale.


Kur duhet këshilluar me mjekun për dhimbjen e njëanshme të shpinës?


Nëse dhimbja e shpinës nga njëra anë është shfaqur pa shkak, do të kalojë vetë pa nevojën e mjekimit në shumicën e rasteve. Në përgjithësi ne hasim që në rreth 50% të pacientëve dhimbja e shpinës e njëanshme përmirësohet brenda dy javëve dhe në 75% të rasteve brenda 6-8 javëve.

Nëse përjetoni dhimbje të forta për 10 ditë ose më gjatë dhe mjekimet qetësuese nuk ju lehtësojnë, është koha të kontaktoni me një mjek, i cili mund tëju rekomandojë:

  • Barna me efekt më të fortë: Mio-relaksantët dhe anti- inflamatorët janë mjaft të dobishëm në lehtësimin e dhimbjes.
  • Fizioterapia: Terapistët apo osteopatët masazhojnë zonën e dhimbjes për të ndihmuar lehtësimin e dhimbjes.

Nëse dhimbja e shpinës zgjat për më shumë se 6 javë, mjeku mund të rekomandojë ekzaminime imazherike. Grafia zakonisht rekomandohet e para, për të parë nëse ka frakturë kockash apo ndonjë arsye tjetër të dukshme të dhimbjes.