Pijet energjike mund t`i gjejmë në çdo dyqan ushqimor, bare, pube apo edhe nëpër kioska. Shpesh nuk e mendojmë dy herë për të pirë një, nëse kemi përpara një rrugë të gjatë ose shumë për të studiuar apo punuar. Tek e fundit, ne e pimë kafen. Çfarë dëmi mund të sjellë pak më shumë kafeinë?

Në fakt, dëmi mund të jetë edhe i madh.


Pijet energjike përmbajnë megadoza kafeine dhe ndonjëherë edhe stimulantë. Ndonjëherë, personat që i përdorin përfundojnë në spital me goditje në tru (stroke) ose hemorragji cerebrale. Këta persona janë në përgjithësi të rinj, të shëndetshëm, rreth moshës 30 - 40 vjeç.

Çfarë e shkakton një stroke?


Gjendja që e shkakton strokun pas pirjes së pijeve energjike është sindromi i vazokonstriksionit cerebral (RCVS). Spazma e menjëhershme e enëve të gjakut në tru mund të pengojë furnizimin me gjak ose të shkaktojë një hemorragji.

Edhe pse RCVS është e rikthyeshme, nuk është një sëmundje beninje. Dr. Drini Dobi, mjek neurolog pranë MIA Clinic shprehet se ndonjëherë këta persona pësojnë një stroke dhe nuk rikuperojnë, madje në raste të rralla, RCVS mund të rezultojë edhe fatale.

Cilat janë simptomat e RCVS?


Simptoma më e rëndësishme e RCVS është dhimbje shumë e fortë e kokës - që shpesh përshkruhet si dhimbja më e fortë e kokës që kanë përjetuar ndonjëherë. Dr. Dobi shprehet se “Dhimbja është shumë intense dhe zgjat pak minuta.”

Simptoma të tjera mund të jenë mpirje në pjesë të ndryshme të trupit dhe konvulsione.

Dr. Dobi
shprehet se RCVS shpesh ngjason me vaskulitin e SNQ (Sistemit Nervor Qendror). Të dy ndajnë simptoma të ngjashme dhe shkaktojnë stroke të hershëm. Megjithatë, “trajtimi është plotësisht i ndryshëm” shton ai.

Pse shkaktojnë RCVS pijet energjike?


Ekspertët nuk janë të sigurt pse pijet energjike shkaktojnë RCVS. “Personat që pinë shpesh pije energjike mund të bëhen më sensitiv ndaj tyre. Disa të tjerë janë sensitiv që në fillim dhe mund të zhvillojnë RCVS që në herën e parë të përdorimit,” thotë Dr Drini Dobi.

Fatkeqësisht nuk ka një mënyrë për të identifikuar se kush mund të zhvillojë RCVS dhe kush jo.

Dhimbja e kokës agonizuese i çon shumicën e pacientëve në spital, ku ju kryhet një skaner i kokës. Skaneri fillestar mund të rezultojë normal, për këtë arsye RCVS mund të anashkalohet në fillim.

Pacientët dërgohen në shtëpi, derisa dhimbja e kokës persistente i rikthen në spital. Në një skaner të dytë duken edhe shenjat e stroke-ut ose hemorragjisë.

Meqenëse pacientët janë shumë të rinj për të pasur faktorët e zakonshëm të riskut për stroke - si psh. hipertension arterial ose hiperkolesterolemi - mjekët fillojnë të kërkojnë për shkaqe të tjera.


A mund substanca të tjera të shkaktojnë RCVS?


Përveç pijeve energjike, medikamentet që ngushtojnë enët e gjakut mund të shkaktojnë RCVS. Ndër to edhe dekongjestantët nazal.

Shkaqe më të rralla të RCVS janë përdorimi i antidepresivëve të klasës së SSRI, medikamentet për migrenë, patch-et e nikotinës dhe ginsengu.

RCVC është një ndër shumë problemet që shkakton përdorimi i drogave dhe marihuanës.

Gjithashtu, RCVS mund të ndodh edhe në gratë pas lindjes dhe kryesisht në personat që marrin shumë barna njëkohësisht.

Sa të rrezikshme janë pijet energjike për adoleshentët?


Statistikat për konsumimin e pijeve energjike janë pothuajse shokuese. Në një studim është parë se rreth 43% e 13-15 vjeçarëve i kanë provuar ato.

Pijet energjike mund të shkaktojnë ankth, hipertension arterial, palpitacione dhe intoksikim nga kafeina.

Edhe pse shumë adoleshentë dhe të rinj mund t`i përdorin pijet energjike gjatë orëve të gjata të studimit, përdorimi afatgjatë i tyre mund të jetë i dëmshëm për trurin.

Pijet energjike japin një “ngjallje" të momentit por nuk i përmirësojnë aftësitë konjitive. Dhe ndryshe nga çfarë mund të mendohet, nuk i ndihmojnë fëmijët me ADHD.

Fatkeqësisht, pijet energjike promovohen kryesisht te adoleshentët, veçanërisht në rrjetet sociale. Për këtë arsye duhet të përpiqemi më shumë për të edukuar fëmijët mbi riskun që mbart përdorimi i tyre.

Çfarë alternative kemi?


Ndonjëherë përpiqemi të luftojmë kundër kohës, ndaj kur jemi të lodhur kërkojmë të rezistojmë me çdo kusht duke e stimuluar veten me kafeinë. Por ajo për të cilën kemi nevojë, është thjesht gjumi.

Kështu që, herën tjetër që do të mendoni të qëndroni të stimuluar me pije energjike, kërkoni për një alternativë të shëndetshme - pushoni pak.

Dhimbja e kokës - kur duhet të shqetësohemi?


Paraliza faciale e BELL-it – Si mund të përmirësohet?