Dridhja rastësore e duarve mund të ndodhë në çdo moshë, por janë më të shpeshta në moshë më të madhe. Por nëse e shihni këtë shenjë te njerëzit e tuaj të dashur, frika gjithmonë është e madhe.

Kur njerëzit shohin dridhje dhe tremor në të moshuar, e para gjë që mendojnë është sëmundja e Parkinsonit - një sëmundje kronike e cila shkakton dhe një sërë problemesh të tjera.

Dr. Drini Dobi
- nurolog në MIA Clinic thotë se nuk duhet të dalim në konkluzione të nxituara.

“Pothuajse të gjithë ata që vijnë me dridhje të duarve, shqetësimin kryesor e kanë për sëmundjen e Parkinsonit” shprehet ai.

Janë pesë gjëra kryesore që duhet të kemi parasysh kur vëmë re një dridhje të duarve.

Kur ndodh dridhja?


Kur dridhja e duarve ndodh ndërkohë që jemi duke bërë një veprim - psh. kur tentojmë të kapim diçka, të shkruajmë, të mbajmë një gotë në dorë - quhet tremor aktiv. Tremori aktiv në përgjithësi, nuk është tregues i ndonjë problemi serioz, siç është sëmundja e Parkinsonit.

E megjithatë, Dr. Dobi thotë se është gjithmonë më mirë të konsultoheni me një mjek për të kuptuar shkakun pse po ndodh. Psh., tremori esencial, një tjetër çrregullim i lëvizjes, ndodh zakonisht pas moshës 50 vjeçare. Nëse arrihet të zbulohet shkaku, mund të trajtohet.

Nëse tremori ndodh kur duart janë në qetësi - psh., kur i mbështesni në prehër - quhet tremor i qetësisë. Nëse tremor i qetësisë shfaqet papritur ose përkeqësohet me kohën, është shumë e rëndësishme të konsultoheni menjëherë me një mjek. Tremori i qetësisë mund të jetë një shenjë ë sëmundjes së Parkinsonit.


Disa lloje dridhjesh janë të trashëguara


Disa persona janë më të predispozuar të zhvillojnë dridhje me moshën. Tremori esencial zakonisht është i trashëguar, për shembull.

“Tremori aktiv, pa dyshim nuk do i ndodh kujtdo me moshën, por nëse prindërit tuaj e kanë patur dridhjen e duarve, me shumë gjasa do ta keni edhe ju.”, thotë Dr. Drini Dobi.

Çfarë e nxit e tremorin?


Ankthi, stresi, lodhja, hipoglicemia ose konsumi i tepërt i kafeinës mund të përkeqësojnë tremorin.

Gjithashtu, përdorimi i disa lloje barnash mund të shkaktojë ose përkeqësojë tremorin. Ndër këto barna mund të përmendim:

- Stabilizuesit e humorit si litiumi.

- Acidi valproic.

- Bronkodilatatorët për astmë si albuterol ose teofilinë.


Flisni me mjekun tuaj nëse dyshoni që mjekimet qe jeni duke marrw, janë duke ju shkaktuar efekte të ngjashme anësore.

Disa lloje trajtimesh janë të mundshme


Barnat që përdoren për trajtimin e tremorit mund të kenë efekt sedativ. Pyesni mjekun nëse është e sigurt t`i jepni makinës nën efektin e këtyre barnave. Sedativët mund të ndërveprojnë me barna të tjera që mund të jeni duke marrë, ndaj flisni hapur për çdo medikament që po merrni me mjekun tuaj.

Në rastin më të mirë, barnat mund të reduktojnë tremorin por rrallë e largojnë plotësisht atë. Kur barnat nuk kanë më efekt për të kontrolluar tremorin aktiv, trajtime të tjera mund të aplikohen si stimulimi i thellë i trurit ose ablacioni me ultratinguj me frekuencë të lartë.

Sa më shpejt kërkoni ndihmë, aq më mirë


Nëse ju ose ndonjë i afërm i juaj ka dridhje rastësore apo ju ndodh gjatë gjithë kohës, është më mirë të konsultoheni me një mjek. Sa më shpejt qartësoni arsyet, aq me mirë. Në këtë mënyrë do të jetë më i lehtë trajtimi dhe kështu mund të qetësoheni mbi dyshimet tuaja.

Një arsye më shumë për të lëvizur – sëmundja e Parkinsonit