Pasi nëna e saj vdiq nga sëmundja e Alzheimerit, aktorja Rita Wilson mori një nismë për ndërgjegjësimin dhe ngritjen e fondeve për ata që vuajnë nga kjo sëmundje.

Rita Wilson-in mund ta kujtojmë nga roli i saj si Roxie Hart në “Çikago”, Broadway. Nëna e saj, Dorothy, lindi në New York, ajo ishte vajza e dy emigrantëve grekë. Kur Dorothy ishte një fëmijë, prindërit e saj bashke me fëmijët u kthyen për pushime në Sotira, ne fshatin e tyre të origjinës, që ndodhej në një vend malor në kufi me Shqipërinë. Babai i Dorothy-t vdiq në atë udhëtim ndërkohë me katër fëmijë nën moshën 10 vjeçare, nëna e saj zgjodhi të qëndronte në Greqi.

Kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore, familja planifikoi të largohej. Greqia në atë kohë ishte në mes të një lufte civile dhe situata politike dhe ekonomike ishte shumë e paqëndrueshme. Arratisja në atë kohë ishte shumë e vështirë, pothuajse e pamundur. E megjithatë, nëna e Dorothy-t arriti të kontaktonte me disa persona që do ta ndihmonin me planin e arratisjes. Dorothy, që në atë kohë ishte 19 vjeçe, ndihmonte vazhdimisht të ëmën në shkëmbimin e letrave me këta persona. Asaj shpesh i duhej të ecte në mal e vetme, në errësirë dhe të ftohtë. Familja më në fund, falë shumë përpjekjeve dhe sakrificave të Dorothy-t arriti të arratisej për në New York, aty ku Dorothy nisi punë në një fabrikë si rrobaqepëse.

Ajo u njoh me të atin e Ritës, Hassan Ibrahimoff, një emigrant bullgar. Vajza e tyre Rita (Margarita Ibrahimoff) lindi në Los Angelos në vitin 1956. Katër vite më vonë, i ati i saj ndryshoi mbiemrin e familjes në Wilson.


Edhe pse Rita e kishte dëgjuar shumë shpesh historinë e mamasë së saj, ajo kurrë nuk kishte kuptuar realisht vështirësitë që e ema kishte kaluar, deri në vitin 1995, kur ajo vizitoi bashkë me të ëmën vendin e origjinës. “Mamaja ime kishte një ankth të jashtëzakonshëm të rikthehej në atë fshat. Mendonte se komunistët do ta pikasnin dhe do ta dënonin për arratisjen e saj” thotë Rita. “Mamasë time iu deshën 50 vite të vendoste që të rikthehej përsëri aty. Ajo kishte vazhdimisht makthe mbi rikthimin në vendin e saj.”

Dorothy ishte një model i prakticitetit dhe shkathtësisë gjatë gjithë jetës së saj. Ajo jo vetëm që e shpëtoi familjen e saj por ka bërë që Ritës mos t`i mungonte asgjë. Ajo i qepte rrobat asaj dhe çdo gjë tjetër të nevojshme në shtëpi. “Ajo kishte aftësinë që vetëm duke i parë modelet e qepjes në një dyqan mund t'i krijonte ato në menyrë identike në shtëpi”, thotë Rita Wilson.

Megjithatë, asgjë nuk e pengoi atë të shkonte drejt demencës, e cila filloi të shfaqej jo shumë kohë pas vdekjes së babait të Ritës. Ajo nuk e pranoi kurrë vdekjen e tij. Me përkeqësimin e sëmundjes, ajo grua dikur e guximshme dhe e aftë nuk ishte më në gjëndje as të bënte gjerat më të thjeshta për të, si psh. të qepte, të gatuante e të njihte fëmijët e saj.

Shenjat e hershme të sëmundjes Alzheimer


Pas vdekjes së burrit të saj, Dorothy filloi të përkeqësohej si emocionalisht dhe mendërisht.
“Gjithçka nisi duke më thënë se nuk mund të kujtonte se si të shkonte diku. Unë në fillim nuk mund ta besoja por më pas e kuptova se humbja e sensit të orientimit nuk ishte normale”, thotë Rita.
“Në fillim i thosha: mami të gjithë harrojnë gjërat herë pas here. Pastaj ajo vazhdoi të përkeqësohej, ndërkohe që ne mendonim se kjo lidhej me moshën, me procesin e plakjes”.
“Por kishte gjëra të tjera të cilat më shqetësonin. Mamaja filloi të kishte vështirësi të gjente shtëpinë time, ajo filloi mos të gatuante, ndonjëherë nuk njihte më as njerëzit tanë të afërt”.

Kur Wilson dhe dy vëllezërit e saj e çuan nënën e tyre për konsultë, zbuluan se defiçitet e saj ishin edhe më të theksuara. “E pyetur nëse e dinte se ku ndodhej, ajo tha se mendonte se ndodhej në shkollë.” kujton Wilson. “Kur mjeku i kërkoi të vizatonte një orë, ajo nuk mundi ta bënte. Kur e pyetën për emrat e rrugëve nëpër të cilat ajo kalonte çdo ditë për dekada, ajo as nuk e kishte idenë”.

Diagnostikimi me Alzheimer në vitin 2010 ishte traumatike për Riten dhe vëllezërit e saj.

"Duke qenë afër saj, duke parë përkeqësimin e sëmundjes, ishte tepër hidhëruese për ne dhe për të. Vazhdimisht mendonim që ditët në vazhdim do të ishin edhe me të vështira" thotë Wilson. "Nëna ime u bë si një fëmijë dhe unë u bëra si një nënë për të. Më të vështirë e kisha të pranoja faktin se ajo nuk ishte më vetvetja dhe kishte humbur sensin e saj të humorit".
Wilson kujton njëherë se ndërsa nëna e saj përpiqej të skuqte një vezë mënga e bluzës të saj ishte duke marrë flakë. "Ajo nuk ishte e vetëdijshme se mund të digjej," thotë ajo.

Shpejt Dorothy ndaloi së qëndisuri, së luajturi me letra dhe bëhej paranojake derisa u mbyll në vetvete. “Ajo filloi t’u thoshte njerëzve se dikush po i vidhte para dhe ajo nuk mund ta toleronte këtë”, thotë Wilson. “Ajo i akuzonte njerëzit për gjëra të pavërteta. Më pas fillonte të paketonte valixhen dhe thoshte: Po largohem, po vijnë të më marrin dhe të më dërgojnë në shtëpi”. Nëna e Wilson i kishte thënë fëmijëve të saj se ajo kurrë nuk donte të jetonte në një azil, kështu që Wilson i kishte premtuar asaj se do të qëndronte gjithmonë në shtëpinë e saj. Ajo punësoi një kujdestar për të.

Pas vdekjes të së nënës në 2014, Wilson u bë ambasadore e Shoqatës së Alzheimerit, duke kontribuar me fuqinë e famës dhe paratë e saj në një fushatë ndërgjegjësimi.

Qëkur ajo u përfshi në Shoqatën Alzheimer, Wilson shpesh mendon për rrezikun e shfaqjes së sëmundjes tek ajo, pasi risku për të është më i lartë për shkak të historisë së nënës së saj.
"Është e rëndësishme të jesh i informuar, sepse në këtë mënyrë do të ndihmonim më shumë të afërmit tanë, që mund të vuajnë nga kjo sëmundje, por njëkohësisht njihemi dhe me riskun që ne mbartim për të zhvilluar këtë sëmundje.” shprehet ajo.

"Është shumë e frikshme," vazhdon Wilson. Por në vend që të fokusohet te faktori gjenetik, ajo përpiqet të mbajë një mënyrë jetese të shëndetshme: duke kryer aktivitet fizik, duke medituar dhe duke ngrënë një dietë me sasi yndyre të ulët.

Wilson ka të drejtë në lidhje me rrezikun e lidhur me trashëgiminë gjenetike. Por faktorë të tjerë risku janë dhe mosha, po ashtu faktorët kardiovaskularë dhe metabolikë, ndërsa kryerja e aktivitetit fizik është i lidhur me reduktim të riskut.

Sëmundja e Alzheimerit është lidhur me tre mutacione gjenetike që përfshijnë kromozomet 1, 14 dhe 21. Njerëzit me këto mutacione zakonisht e manifestojnë atë shumë më herët - në të tridhjetat e tyre deri në mesin e viteve gjashtëdhjetë.


Për lexim të mëtejshëm:
Çfarë është sëmundja e Alzheimer - it?