Pyetja: Shpesh herë kam atak të migrenës. A ka diçka që mund të bëj përveç marrjes së medikamenteve?

Disa ndryshime në stilin e jetesës mund të ulin shpeshtësinë e dhimbjeve të kokës dhe migrenës. Disa nga këto ndryshime janë:

Dieta


Disa nxitës të migrenës dhe dhimbjeve të kokës mund të gjenden edhe në ushqime. Dy elementët të cilët duhet t`i mbajmë larg janë MSG (monosodium glutamate) dhe oksidi nitrik. Të përkthyera në ushqime do të thotë se duhet të mbajmë larg ushqimet kineze, djathin, verën e kuqe, çokollatën e të tjera. Kjo nuk do të thotë se duhet të ndaloni së ngrëni këto ushqime, mjafton të mos e teproni me to.

Kafeina


Shumë kafeinë është e dëmshme për personat që vuajnë nga dhimbjet e kokës dhe kryesisht nga migrena. Një sasi optimale, e cila mund të sillte dhe dobi për shmangien e dhimbjeve të kokës është nga 100 mg deri në 150 mg në ditë. Shpesh dëgjojmë nga personat me dhimbje koke që kafeja e mëngjesit është një shpëtim për ta.

Suplementet


Janë tre preparate OTC (pa recetë) të cilat janë vërtetuar me studime klinike të jenë efektive për dhimbjet e kokës. Një prej tyre është magnezi, në dozën 400 mg deri në 500 mg. Vitamina B2 po ashtu, ka treguar të jetë protektive. Preparati i tretë është koenzima Q10.

Gjumi


Gjumi është një element tepër i rëndësishëm për dhimbjen e kokës. Nëse kemi një çrregullim të patrajtuar të gjumit, mund të ndikojë shumë në frekuencën dhe intensitetin e dhimbjeve të kokës.

Zhurma dhe drita


Një ndër nxitësit e dhimbjes së kokës dhe migrenës për shumë njerëz është zhurma dhe drita. Nëse dikush është i predispozuar për migrenë  dhe gjendet para një ekrani më ndriçim të madh ose në një ambient me zhurma të forta, mund t`i shkaktohet një atak migrene.

Barnat OTC


Nëse dikush ka një histori me migrenë apo dhimbje koke, dhimbjet mund të shpeshtohen dhe intensiteti i tyre mund të shtohet nëse abuzohet me përdorimin e barnave OTC (pa recetë). Shpesh herë pacientët marrin qetësues për dhimbjet e kokës më shumë se sa rekomandohen dhe pa këshillën e mjekut, çka mund të përkeqësoj gjendjen e tyre.

Një tjetër element i rëndësishëm që mund të ndikojë është presioni atmosferik dhe koha. Një rënie ose ngritje e menjëhershme e temperaturave, mund gjithashtu të ndikojë në shfaqjen e dhimbjes së kokës.