Çfarë është sëmundja e Alzheimer?


Sëmundja e Alzheimer - it është një sëmundje progresive që shkakton degjenerimin dhe më pas vdekjen me kohën të qelizave të trurit. Sëmundja e Alzheimer është shkaku më i shpeshtë i demencave - një rënie e vazhdueshme e funksioneve si të menduarit, sjellja, aftësive ndërvepruese sociale duke çuar në çrregullimin e aftësisë së personit për të funksionuar në mënyrë të pavaruar. Megjithatë, sëmundja e Alzheimer -it njihet si sëmundja që “vjedh” kujtesën e njerëzve.

Simptomat e para nisin si vështirësi në të kujtuarit e ngjarjeve më të freskëta që kanë ndodhur, megjithëse personat me Alzheimer mund të kujtojnë më lehtësisht ngjarje që kanë ndodhur vite më parë.

Me kalimin e kohës dhe progresimin e sëmundjes, mund të shfaqen simptoma të tjera, duke përfshirë:

- Probleme me përqëndrimin
- Vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të zakonshme
- Individët ndihen të hutuar ose të irrituar, krysisht gjatë natës
- Individët shfaqin reagime dramatike në disa situata, shpërthime të zemërimit, ankthit apo depresionit
- Individët ndihen të paorganizuar (çoroditur)
- Probleme fizike, të tilla si ecja e çuditshme ose koordinim i dobët
- Probleme në komunikim



Çfarë e shkakton sëmundjen e Alzheimer?


Shkencëtarët mendojnë se në shumicën e njerëzve sëmundja e Alzheimer -it është e shkaktuar nga faktorë gjenetikë, ambientalë dhe stili i jetesës. Shkaqet ekzakte të sëmundjes së Alzheimer-it nuk janë ende të njohura, por në thelb qëndrojnë probleme të proteinave të trurit, të cilat nuk kryejnë funksionin e tyre dhe çrregullojnë funksionimin e neuroneve duke shkaktuar një sërë eventesh toksike. Neuronet dëmtohen, humbasin lidhjet mes tyre dhe vdesin. Dëmtimi nis kryesisht në zonën e trurit që kontrollon kujtesën, por proçesi nis vite para shfaqjes së simptomave.

Shkencëtarët nuk janë të sigurtë përse disa njerëz preken nga kjo sëmundje dhe të tjerë jo. Por ajo çka njihet është se dëmtimi i neuroneve vjen si pasojë e depozitimeve beta amiloide dhe agregateve neurofibrilare.



Cilët janë faktorët e riskut?


Mosha


Është faktori më i njohur i riskut për sëmundjen e Alzheimer -it. Njerëzit të cilët preken nga sëmundja e Alzheimer janë zakonisht të vjetër në moshë, por sëmundja nuk është një pjesë normale e plakjes.

Historia familjare dhe gjenetika


Një ndër faktorët e njohur gjenetikë është gjeni i apolipoproteines E (APOE), i cili rrit riskun për sëmundje të Alzheimer -it. Por jo çdo kush që mbart këtë gjen do të zhvillojë sëmundjen.

Sindroma Down


Personat me sindromën Down zhvillojnë më shpesh sëmundjen e Alzheimer-it, kryesisht për arsye të tre kopjeve të kromozomit 21 dhe si rrjedhoje tre kopje të gjenit përgjegjës për proteinen që çon në formimin e depozitimeve beta amiloide.

Gjinia


Risku për zhvillim të sëmundjes nuk ndryshon dukshëm ndërmjet burrave dhe grave. Por gratë preken më shpesh sepse përgjithësisht jetojnë më gjatë se burrat.

Trauma të kokës


Personat me trauma të forta të kokës kanë më shumë probabilitet për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimer-it.

Çrregullime të gjumit


Studimet kanë treguar se një cilesi e dobët e gjumit, si pasojë e veshtirësive për të fjetur ose veshtirësive për të qëndruar në gjumë janë të lidhura me zhvillimin e sëmundjes së Alzheimer-it.

Stili i jetesës dhe sëmundjet e zemrës


Studimet kanë treguar se të njëjtët faktorë që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës ndikojnë po ashtu në sëmundjen e Alzheimer-it. Ndër to mund të permendim:
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Obeziteti
- Duhanpirja
- Hipertensioni
- Hiperkolesterolemia
- Diabeti i tipit 2
Këta faktorë janë të modifikueshem, ndaj ndryshimi i stilit të jetesës mund të ndikojë dhe në uljen e riskut për sëmundjen Alzheimer.


Aktivitet i trurit dhe bashkëveprimi social



Sudimet kanë treguar një ndërlidhje ndërmjet të mesuarit të vazhdueshëm si nxitje e të menduarit dhe zhvillimit të sëmundjes së Alzheimer-it. Niveli i ulët i edukimit (psh. më pak se shkolla e mesme) lidhet shpesh me zhvillimin e sëmundjes së Alzheimer-it.
Po ashtu, shumë e rëndesishme është dhe aktiviteti social, i cili është i lidhur me reduktim të riskut për Alzheimer.

Në lidhje me pyetje dhe shqetësime mbi sëmundjen e Alzheimer-it, na kontaktoni në: Informacion mbi Alzheimer