Çfarë është epilepsia?


Epilepsia është një sëmundje kronike që karakterizohet nga atake të përsëritura. Ataket shkaktohen nga ndryshime në funksionimin e trurit si pasojë e shkarkimeve elektrike jo normale ose të tepëruara nga qelizat e trurit.

Janë disa lloje atakesh epileptike, lloje të ndryshime sindromash epileptike dhe shkaqe të ndryshme të epilepsisë. Psh. tumoret e trurit dhe ishemitë cerebrale mund të shkaktojnë atake epilepitke të cilat mund të çojnë në epilepsi kronike. Disa nga keto shkaqe mund të diagnostikohen dhe më pas të trajtohen me medikamente, ndërsa të tjera mund të trajtohen me kirurgji.

Nga se mund të shkaktohet epilespia?


Rreth 65% e rasteve të reja me epilepsi nuk kanë një shkak të njohur. Për pjesën tjetër, shkaqet më të shpeshta mund të jenë ishemitë cerebrale, çrregullime kongjenitale (të lindura), tumoret e trurit, trauma dhe infeksione. Është e rëndësishme të përcakohet shkaku i atakeve epileptike në mënyrë që të vendoset plani më i mirë i trajtimit.

Si diagnostikohet epilepsia?


Vlerësimi i pacientëve me epilepsi ka për qëllim të percaktoj llojiin e atakut epileptik dhe shkakun, sepse lloje të ndryshme atakesh janë më të ndjeshme ndaj medikamente të ndryshme.

Diagnoza është e bazuar në:

- Anamnezen e pacientit, duke përfshirë këtu histori familjare, barnat që është duke përdorur, sëmundje të tjera shoqëruese dhe pyetje të rëndësishme si:
     
- Në çfarë moshe kanë filluar ataket epileptike?
- Në çfarë rrethanash kanë filluar?
- Çfarë ndjen para, gjatë dhe pas atakut?
- Sa zgjasin?
- A jeni trajtuar më parë për epilepsi?
- Çfarë barnash keni marrë dhe cfarë dozimi?
- A ka qenë trajtimi efektiv?

Persona të tjerë të cilët kanë qenë me ju gjatë atakut epileptik, si pjestarë të familjes apo miq të afërt, duhet të jenë me ju gjatë konsultës mjekësore, për të dhënë më shumë detaje mbi ataket tuaja epileptike (nëse shoqërohen me humbje të ndjenjave).

Një vizitë e detajuar klinike dhe vizitë neurologjike duhet kryer për të kuptuar më shumë mbi shkaqet e mundshme të atakeve. Po ashtu mund të jenë të nevojshme dhe ekzaminime të tjera si:

  • Elektroencefalograma (EEG), e cila mat aktivitetin elektrik të trurit
  • MRI (rezonanca magnetike)
  • Analiza gjaku

Ekzaminimi më i rëndësishëm për vlerësim është elektroencefalograma (EEG), sepse është i vetmi ekzaminim i cili vlerëson aktivitetin elektrik në tru. Gjatë EEG, disa elektroda vendosen në kokë, të cilat në të njëjtën kohë janë të lidhura me një monitor për të regjistruar aktivitetin elektrik. EEG është shumë e dobishme për të konfirmuar diagnozën e epilepsisë dhe për të përcaktuar llojin e epilepsisë.

Një EEG rutine zgjat rreth 90 minuta, por për shkaqe të ndryshme diagnstikuese mund të zgjasë edhe 180 minuta.

EEG e zgjatur dhe e video-monitoruar është një ekzaminim akoma më i saktë për përcaktim të diagnozës. Gjatë këtij ekzaminimi, regjistrimi në video i pacientit, jep informacion mbi lëvizjet e trupit dhe sjelljet gjatë atakeve epileptike.




Si trajtohet epilepsia?


Shumica e atakeve epileptike kontrollohen me anë të trajtimit medikamentoz, kryesisht antikonvulsanteve. Por përcaktimi i planit të trajtimit varet nga disa faktorë si:

  • Lloji epilesisë (fokale/parciale ose e gjeneralizuar)
  • Shpeshtësia e konvulsioneve
  • Sa të agravuara janë konvulsionet
  • Mosha, gjëndja e përgjithshme e pacientit dhe anamneza

Në shumicën e rasteve, zgjedhja ndërmjet grupeve të ndryshme të antikonvulsantëve varet edhe nga efektet anësore. Disa pacientë kanë preferenca të ndryshme, duke u nisur shpesh nga efektet e padëshiruara të barnave.

Edhe pse llojet e epilespisë janë shumë të ndryshme, në përgjithësi, barnat mund të stabilizojnë ataket konvulsive në 70% të rasteve.

Mund të duhen disa muaj deri sa të arrihet në përzgjedhjen e barnave më të përshtatshme. Gjatë kësaj periudhe, mund të jenë të domosdoshme analiza gjaku, ndaj është shumë e rëndësishme të qëndroni rigoroz ndaj konsultave mjekësore, për të minimizuar efekte anësore më të rënda nga trajtimi.

13 keqkuptime mbi epilepsinë – shpjegon Dr. Drini Dobi