Sëmundja e Alzheimer-it është shkaku kryesor i demencës. Shkencëtarët nuk e njohin ende shkakun për këtë sëmundje, ndaj dhe mënyra për ta parandaluar nuk njihet saktësisht. Megjithatë, disa ndryshime në stilin e jetesës mund të ndihmojnë në parandalim.

Mendohet që faktorët gjenetikë luajnë një rol të rëndësishëm, po ashtu dhe faktorët ambientalë, kryesisht në personat me një predispozitë gjenetike.

Në një rishikim sistematik të publikuar në BMC Geriatrics është parë se njerëzit mund të reduktojnë riskun për demencë duke mos pirë duhan, duke qenë fizikisht aktiv, duke ngrënë një dietë të balancuar, duke ruajtur një zemër të shëndetshme dhe duke ushtruar trurin.

Diagnostikimi i hershëm dhe parandalimi i sëmundjeve kronike, si hipertensioni, niveli i lartë i kolesterolit, diabeti, obeziteti në moshë të mesme dhe depresioni mund të ndihmojë në parandalimin e demencës.

Po ashtu, mund të ndikojnë dhe disa faktorë të cilët nuk janë përmendur shpesh si: problemet me shikimin, me dëgjimin, shëndeti i lëkurës, parodontozat, etj. Megjithatë, faktet mbi këto lidhje janë shumë të limituara.



Shëndeti kardiovaskular


Personat me probleme kardiovaskulare kanë më shumë gjasa për të zhvilluar demencë. Shenjat që mund të shfaqen para diagnostikimit të Alzheimer-it mund të jenë:

  • Hipertension
  • Fibrilacion atrial
  • Nivel i lartë i kolesterolit
  • Sëmundje të zemrës
  • Ishemi cerebrale
  • Diabet

Këto mund të jenë shkak edhe për forma të tjera demencash, si demenca vaskulare.

Studimet tregojnë se stili jo i shëndetshëm i jetesës, si duhanpirja, dieta e pasur në yndyra të ngopura, mund të reduktojë volumin e trurit. Autopsitë kanë evidentuar në 80% të personave me Alzheimer sëmundje kardiovaskulare.

Demenca vaskulare ndodh nga dëmtimi i enëve të gjakut në tru si pasojë e mos oksigjenimit të mirë të trurit.

Trajtimi dhe mbajtja nën kontroll e sëmundjeve kardiovaskulare mund të parandalojë zhvillimin e sëmundjes së Alzheimer-it.


Sindromi Metabolik


Demenca ka më shumë gjasa të shfaqet në personat me sindrom metabolik, i cili përfshin obezitetin, hipertensionin, nivelin e lartë të kolesterolit dhe vlera të larta të glicemisë.

Një studim i publikuar në Journal of American Heart Association (JAHA) në 2017, ka mbështetur teorinë e lidhjes së sindromit metabolik me demencën.

Ndryshimet e stilit të jetesës për parandalim të sindromit metabolic përfshijnë:

  • Dieta
  • Aktiviteti fizik
  • Kontrolli i peshës

Duke ruajtur një peshë optimale, presion gjaku optimal dhe nivel të kolesterolit në normë, do të ulni jo vetëm riskun për diabet dhe sëmundje kardiovaskulare, por edhe për demenca dhe sëmundjen e Alzheimer-it.


Dieta


Nje dietë e shëndetshme ndihmon në ruajtjen e një zemre të shëndetshme dhe si pasojë edhe të një truri të shëndetshëm. Një zemër e shëndetshme mundëson mirë-oksigjenimin e trurit.

Dieta mesdhetare ndihmon në mbrojtjen nga plakja e trurit dhe parandalon demencën vaskulare.

Ajo përmban:

  • - Vaj ulliri si burimin kryesor të yndyrave
  • - Shumë fruta
  • - Perime
  • - Sasi e limituar mishi dhe bylmeti

Gjithashtu, vakti me peshk të paktën 1 herë në javë, është lidhur me reduktimin e riskut të sëmundjes së Alzheimer-it.


Aktiviteti fizik


Personat qe kryejnë rregullisht aktivitet fizik kanë risk më të ulët për zhvillim të sëmundjes së Alzheimerit (studimi).  



Një teori është se aktiviteti fizk ndikon në shëndetin kardiovaksular – një faktor risku i njohur për demencën.

Me moshën, pjesa e trurit e quajtur Hipokampi, fillon të humbas volumin e tij dhe studimet kanë treguar se aktiviteti fizik mund të rikthejë volumin duke përmirësuar memorien.



Mbaj një mendje aktive


Shumë studme kanë treguar se risku për rënie të konjicionit është më i ulët nëse:              


  • - Mbani një mendje aktive
  • - Keni një jetë sociale aktive

Dalja e vonshme në pension mund të reduktoj gjasat për demencë. Të luash lojra, të shkruash, të lexosh dhe të përfshihesh në aktivitete të cilat stimulojnë aktivitetin e trurit, ndihmon në ruajtjen e memories.


Gjumi


Cilësia e mirë e gjumit ka një efekt pozitiv në ruajten e memories. Studimet kanë treguar një lidhje ndërmjet gjumit dhe grumbullimit te pllakave amiloide.

Personat të cilët nuk zgjohen gjatë natës, janë 5 herë më pak (studimi) të riskuar për grumbullim të pllakave amiloide se ata që zgjohen shpesh.

Megjithatë nuk dihet saktë nëse është sëmundja e Alzheimer-it ajo që mund të shaktojë crregullime të gjumit apo anasjelltas.


Duhanpirja


Shumë studime kanë konfirmuar lidhjen e duhanpirjes me rënie të konjicionit.

Një ndër arsyet mund të jetë lidhja me sëmundjet kardiovaskulare – si faktor i njohur risku për sëmundjen e Alzheimer-it.


Dëmtimet në kokë


Disa persona kanë zhvilluar Alzheimer pas një dëmtimi traumatik në kokë, ose pas disa dëmtimeve të shpeshta si pasojë e llojeve të ndryshme të sportit.

Në një studim te vitit 2018 është konstatuar lidhja ndërmjet dëmtimeve traumatike të trurit, demencës dhe disfunksionit vaskular.

Ndaj është shumë e rëndësishmë parandalimi i këtyre dëmtimeve duke respektuar masat e sigurisë si vënia e rripit të sigurimit në makinë, mbajtja e kaskave në motorr apo biçikletë.




Lexo më shumë :


Çfarë është sëmundja e Alzheimer - it?