Sa i shqetësuar duhet te jeni për dhimbjen e mesit?


Mos mendo menjëherë më të keqen. Çdo kush mund të ketë dhimbje mesi dhe në më të shumtën e rasteve nuk është asgjë serioze. Madje shpesh edhe mund të zhduket vetvetiu. Rastet të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale apo mjekim urgjent janë të rralla.


Kur duhet të konsultoheni me një mjek?


- Nëse keni pësuar një aksident dhe keni dëmtuar shpinën.

- Nëse keni mpirje ose dobësi të këmbëve.

- Nëse keni problem me kontrollin e fshikëzës së urinës.

- Nëse keni rënie në peshë të pashpjegueshme.

- Nëse merrni barna steroide si Prednizoni rregullisht.

- Nëse jeni me diabet ose keni probleme të tjera mjekësore që frenojnë aktivitetin e sistemit imunitar.

- Nëse keni histori me kancer ose osteoporozë.

- Nëse dhimbja e shpinës është aq e fortë sa nuk mund të kryeni aktivitete të thjeshta.

- Nëse dhimbja e shpinës zgjat për rreth 3 javë, pa përmirësim.


Çfarë mund të shkaktojë dhimbjen e mesit?


Shkaqet e dhimbjes së mesit mund të jenë nga më të shumtat dhe në shumë raste ato ngelen të pashpjeguara. Disa nga shkaqet mund të jenë:


- Dëmtime të diskut vertebral

- Artriti

- Stenoza spinale

- Tërheqje muskulore

- Tumor (më rrallë), Etj.


A duhet të bëni një test imazherik si Rezonanca Magnetike?


Shumë njerëz nuk kanë nevojë për teste imazherike. Shumica e dhimbjeve të mesit largohen brenda 4 – 6 javësh dhe shpesh në kohë edhe më të shkurtër, ndaj dhe testet imazherike nuk rekomandohen para kësaj periudhe (me përjashtim të rasteve te veçanta klinike).


Si mund të përcaktohet trajtimi i dhimbjes së mesit pa teste imazherike?


Simptomat tregojnë shumë mbi shkakun e dhimbjes së mesit. Në varësi të karakteristikave të ndryshme dhe manifestimeve klinike, mund të përcaktohet shkaku e si rrjedhojë edhe trajtimi i duhur për dhimbjet e mesit.


Si trajtohet dhimbja e mesit?


- Barna – Si fillim mund të provohet mjekimi me barna pa recetë si Ibuprofeni ose Naproxeni, te cilat janë më efektive se Paracetamoli në dhimbjet e mesit.

- Nëse barnat pa recetë nuk po funksionojnë në lehtësimin e dhimbjes, atëherë mjeku mund të përshkruaj barna më të forta me recetë.

- Terapi fizike – ushtrime specifike dhe zgjatje.

- Akupunktura

- Masazhet

- Yoga

- Injektim i barnave për relaksim të muskujve

- Ndërhyrje kirurgjikale


Çfarë duhet të bëni për të parandaluar dhimbjen e shpinës?


Qëndroni aktiv dhe mësoni ushtrime që forcojnë muskujt e shpinës. Shmangni qëndrimin ulur ose në këmbë në të njëjtin pozicion për një kohë të gjatë.

Lexo më shumë:

Dhimbja e mesit - Çfarë duhet të dimë?