Një studim i madh ka treguar se migrena, çrregullimet obsesivo-kompulsive dhe alergjitë sezonale kanë lidhje me sëmundjen e Parkinsonit. Ato shpesh shfaqen disa vite më parë nga shfaqja e simptomave të Parkinsonit.

Shumë studime janë bërë mbi faktorët që mund të influencojnë zhvillimin e sëmundjes së Parkinsonit. Megjithaë, sëmundja e Parkinsonit është e rrallë dhe shpesh numri i pjesëmarrësve në këto studime është i vogël, ndaj ky fakt i bën këto studime të vështira për të interpretuar.


Një studim i publikuar në revistën “NPJ. Parkinson`s Disease” ka analizuar 13.546 pacientë me Parkinson dhe në grupin e kontrollit ka përfshirë më shumë se 1 milion persona. Pas përpunimit të të dhënave, studiuesit analizuan faktorë të mundshëm si: histonë familjare, sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, faktorë ambientalë, tipare personale dhe përdorim medikamentesh.


Rezultatet treguan se personat që konsumonin shumë kafeinë kishin më pak gjasa për të zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit dhe se kafeina përmirësonte problemet me konstipacionin në pacientët me Parkinson. Studiuesit analizuan dhe shumë tipare të tjera që nuk janë studiuar më parë në lidhje me Parkinsonin dhe panë se personat që kishin frikë nga lartësitë, largpamës, që vuajnë nga alergjitë sezonale dhe që janë të martuar kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen.


Studimi arriti të konfirmojë atë që ishte treguar më parë në studime më të vogla, lidhjen e çrregullimeve obsesivo-kompulsive me sëmundjen e Parkinsonit. 


Personat me OCD janë më shumë të prirur për të zhvilluar sëmundjen. Po ashtu, në këtë studim u konstatua se migrena e shfaqur në moshë të mesme mund të jetë një shenjë pararendëse e sëmundjes së Parkinsonit.


Studimet e mëparshme kanë treguar lidhje ndërmjet rinitit alergjik dhe Parkinsonit por jo për astmen bronkiale. Studimi në fjalë tregoi se sëmundja e Parkinsonit është e lidhur me alergjitë ndaj bimëve dhe antibiotikëve por jo me alergjitë ndaj ushqimeve dhe kafshëve.

Duhet përmendur se studimi ka konfimuar korrelacione ndërmjet këtyre faktorëve por jo shkakësi, qe do të thotë se nuk jemi në gjëndje të themi nëse këta faktorë shkaktojnë apo janë për shkak të sëmundjes së Parkinsonit.


Gjithsesi, ky studim ka një vlerë shumë të rëndësishme dhe hedh dritë mbi drejtime të ndryshme për parandalimin e mundshëm të sëmundjes së Parkinsonit.


Për pyetje mbi sëmundjen e Parkinsonit, na kontaktoni në:

Informacione mbi Parkinsonin