Nëse barnat që po merrni për migrenë nuk janë duke funksionuar, dhimbjet tuaja të shpeshta të kokës mund të mos jenë për shkak të migrenës.

Nevralgjia oksipitale ose dhimbja prapa në fund të kokës, një dhimbje ku janë përfshirë nervat oksipitalë mund të ngatërrohet me migrenën sepse simptomat janë të ngjashme. Ato përfshijnë:

• Dhimbje, djegie ose pulsim nga baza e kokës deri në lëkurën e kokës
• Dhimbje të mprehtë, shokuese ose shpuese në pjesën e sipërme të qafës dhe në pjesën e pasme të kokës.
• Dhimbje në njërën ose në të dy anët e kokës.
• Dhimbje prapa syve.
• Skalp i ndjeshëm.
• Dhimbje kur lëviz qafën

Por këtu mbarojnë ngjashmëritë. Nevralgjia okspitale dhe migrena kërkojnë trajtime të ndryshme sepse burimet e tyre të dhimbjes janë të ndryshme. Migrena lidhet me ndryshimet në tru. Neuralgjia oksipitale është për shkak të nervave të kompresuar ose të irrituar që rrjedhin nga qafa, deri në pjesën e prapme të kokës e deri në lëkurën e kokës. Nervat mund të bllokohen për shkak të spazmave të muskujve ose traumave të kokës ose qafës, të tilla si goditja aksidentale apo të tjera si këto, por ndonjëherë nuk e dimë se çfarë e shkakton atë.

Dallimi midis nevralgjisë oksipitale dhe migrenës


Migrena ka tendencë të ketë shkaktarë të identifikueshëm. Ato mund të shoqërohen me shqetësime vizuale dhe simptoma të tjera që i paraprijnë dhimbjeve të kokës. Nga ana tjetër, nevralgjia oksipitale nuk ka tipike asnjërën nga ato karakteristika.

Specialistët e dhimbjes mund të identifikojnë nevralgjinë oksipitale përmes një ose më shumë prej këtyre metodave:

1. Historia e pacientit. Nëse dhimbja fillon në qafë dhe përhapet deri në kokë e deri në vetulla, kjo është nevralgji tipike oksipitale.

2. Një ekzaminim bazë. Mjekët ndonjëherë mund të riprodhojnë dhimbjen duke shtypur nervat oksipitalë në bazën e kafkës.

3. Bllokimi i nervit. Nëse dhimbja zhduket pasi kemi mpirë nervin oksipital, atëherë mund të jemi të sigurt se nevralgjia oksipitale po e shkakton dhimbjen e kokës.

Si të trajtohet nevralgjia oksipitale?


Marrja e ilaçeve orale anti-inflamatore është hapi i parë për trajtimin e nevralgjisë oksipitale. Përdorimi i nxehtësisë ose masazhit për të qetësuar muskujt e shtrënguar të qafës mund të ndihmojë gjithashtu.

Nëse ato trajtime nuk ofrojnë lehtësim, specialistët e dhimbjes mund të kryejnë një bllok nervi oksipital. Kjo bëhet me një anestetik lokal dhe një steroid, të cilat injektohen rreth nervit të irrituar.

Lehtësimi i dhimbjes mund të zgjasë nga disa javë në disa muaj dhe nganjëherë dhimbja nuk kthehet.

Nëse dhimbjet tuaja të kokës kanë vazhduar për më shumë se tre muaj dhe nuk u janë përgjigjur trajtimeve konvencionale, përfshirë edhe ilaçet e migrenës është koha të konsultoheni me një mjek.


Çfarë është radikulopatia cervikale?


Pse keni dhimbje koke vetëm në njërën anë?


Dhimbja e kokës - kur duhet të shqetësohemi?