Sëmundja e Parkinosnit është një sëmundje e trurit e cila ndikon në gjithë trupin dhe në lëvizjen e tij. E megjithatë, lëvizja e trupit – aktiviteti fizik mund të jetë një ndër mënyrat më të nënvlerësuara për parandalimin e kësaj sëmundje.


Aktiviteti fizik i shpeshtë dhe i rregullt në moshë të re ul probabilitetin për t`u prekur nga sëmundja e Parkinsonit me moshën.


Ndërkaq, për personat të cilët janë me sëmundje të Parkinsonit, aktiviteti fizik në stadet e hershme të sëmundjes – kur aktiviteti fizik është ende i mundur – ul ritmin e zhvillimit të sëmundjes.


Dridhja është zakonisht shenja e parë


Sëmundja e Parkinsonit diagnostikohet më shpesh rreth të 60-ave. Megjithatë, ajo mund të shfaqet edhe te të rinjtë, edhe pse shume rrallë.


Nuk ka një analizë gjaku për sëmundjen e Parkinsonit. Në diagnostikim mund të ndihmojnë disa lloje ekzaminimesh imazherike që shpesh herë janë të kushtueshme dhe nuk mbulohen nga sigurimet shëndetësore. Megjithatë, sëmundja e Parkinsonit diagnostikohet kryesisht në bazë të simptomave. Simptoma e parë që mund të shfaqet është dridhja – që në gjuhën mjekësore njihet si tremor – dridhja prek kryesisht njërën dorë dhe ndalon me lëvizjen e dorës. Tremori mund të jetë aq minimal sa mund të vihet re vetëm në njërin gisht të dorës. Qëndrimi i kërrusur me ecje të ngadalësuar dhe të pa-koordinuar janë po ashtu, shenja të hershme të sëmundjes së Parkinosnit.


Personat me sëmundjen e Parkinosnit fillojnë të kenë vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme që kryhen më anë të motorikës fine si: të mbërthyerit e pullave, etj.


Një nga shkaqet e sëmundjes së Parkinsonit është niveli i ulët i dopaminës në një zonë të trurit të quajtur ganglionet bazale. Shumica e trajtimeve të Parkinsonit, përfshij Levodopën – medikamenti kryesor për trajtim – kanë për qëllim plotësimin e nivelit të dopaminës. Përveç dopaminës, në sëmundjen e Parkinsonit janë të përfshirë edhe neurotransmetues të tjerë.


Aktiviteti fizik duhet të jetë energjik


Shumë prej studimeve prospektive që kanë ndjekur dhjetëra-mijëra njerëz ndër vite kanë treguar një lidhje të fortë ndërmjet aktivitetit fizik në moshë të hershme më uljen e gjasave për zhvillim të sëmundjes së Parkinsonit. Sipas tyre, aktiviteti fizik mund të ul probabilitetin për sëmundjen e Parkinsonit me 30%. Efekti është më i mundshëm nëse aktiviteti fizik kryhet në të 30-at dhe të 40-at.


Neurologët thonë se: Në mënyrë që aktiviteti fizik të ndikojë në uljen e riskut të zhvillimit të sëmundjes duhet të jetë energjik – me të paktën 20-30 minuta aktivitet që të rrisë ndjeshëm ritmin e zemrës.


Këshilla për ushtrimet – Kujdes posturën


Qëndrimi korrekt gjatë ushtrimeve është shumë i rëndësishëm, veçanërisht gjatë ngritjes së peshave dhe zgjatjes. Qëndrimi i duhur parandalon dëmtimet dhe e bën ushtrimin më efektiv. Ushtrimi para pasqyrës është i rekomanduar, për të kontrolluar qëndrimin.


Disa këshilla për të kontrolluar qëndrimin:


- Mjekra juaj duhet të jetë paralel me dyshemenë

- Të dy shpatullat duhet të jenë në një nivel.

- Përpiquni të tërhiqni barkun brenda.

- Mbani shpinën në përthyerjen natyrale.

- Mbani gjunjët në të njëjtin nivel.

- Shpërndani peshën e trupi njësoj në të dy këmbët.


Personat aktiv ngadalësojnë procesin e sëmundjes


Ne fazat e hershme të sëmundjes, aktiviteti fizik sistematik i ndihmon personat me Parkinson të forcohen dhe të ruajnë spektrin e lëvizjeve.  Një mori ushtrimesh mund të ndihmojnë në ruajtjen e balancës dhe të parandalojnë rrëzimin. Por është e rëndësishme që qëllimi dhe teknikat e ushtrimeve të ndryshojnë me zhvillimin e sëmundjes.


Ushtrimet aerobike janë një ndër llojet e ushtrimeve që janë parë se ndikojnë në parandalimin e progresit të sëmundjes dhe kontrollin muskulor të personave me Parkinson. Gjatë fazave të hershme të sëmundjes, si çdo kush tjetër që kërkon të mbaj veten në formë, edhe personat me Parkinson mund të frekuentojnë palestrat e zakonshme, pa nevojën e kryerjes së trajnimeve specifike.

Lexo më shumë:

Sëmundja e Parkinsonit e lidhur me migrenën, OCD dhe alergjitë sezonale