Shenjat e para të sëmundjes së Parkinsonit mund të shfaqen shumë më para dridhjeve (tremorit).

Shumë njerëz mund të arrijnë të dallojnë stadet e vonshme të sëmundjes së Parkinsonit – siç janë tremori dhe lëvizjet e pakoordinuara. Por kjo sëmundje është e vështirë të diagnostikohet në fazat e hershme ndaj mjekët e përcaktojnë diagnozën përfundimtare pasi kanë kaluar fazat e para të sëmundjes.

Por a ka një mënyrë për të dalluar shenjat e para dhe për të filluar trajtimin sa më herët?


Simptomat jo të qarta të Parkinsonit mund të jenë të ngjashme edhe me ato të sëmundjeve të tjera. Kjo e bën diagnostikimin e hershëm edhe më të vështirë. Por ka disa shenja të cilat mund të na bëjnë të dyshojmë, thotë neurologu i MIA Clinic, Dr. Drini Dobi. Përfshirja e një neurologu që në fazat e hershme të sëmundjes mund të ndikoj pozitivisht si në përcaktimin e diagnozës edhe në trajtimit adekuat.

“Ndodh shpesh që pacientët për muaj të tërë të jenë vizituar nga reumatolog ose ortoped për shkak të dhimbjes së shpatullës për shembull ose për shkak të zvarritjes së këmbës. Ndonjëherë marrin edhe injeksione me steroidë, por që në fakt nuk janë efektive” shprehet Dr. Drini Dobi. “Diagnoza e sëmundjes së Parkinsonit duhet të përcaktohet përfundimisht nga një neurolog”.

Simptomat në faza të ndryshme të sëmundjes


Simptomat motore të sëmundjes janë lehtësisht të dallueshme, thotë Dr. Drini Dobi. Tremori – lëvizje ritmike e buzëve, mjekrës, duarve dhe këmbëve; ngurtësimi dhe ngadalësimi janë shenja tipike. Problemet me ekuilibrin dhe ecjen janë po ashtu, simptoma të shpeshta.

Por, simptomat e para të Parkinsonit fillojnë shumë më para shfaqjes së simptomave të mësipërme.



Stadi 1: Për shkak se në fillimet e sëmundjes së Parkinsonit preken zona të veçanta të trurit, mund të shfaqen simptoma si konstipacion dhe humbje të nuhatjes. Këto simptoma mund të shfaqen dekada para shfaqjes së dridhjes, thotë neurologu Dr. Drini Dobi.

Stadi 2: Dëmtimi i trurit në këtë fazë të sëmundjes mund të shkaktoj depresion dhe çrregullime të gjumit (faza REM). Dikush mund të bëj veprime në gjumë, ndonjëherë duke dëmtuar veten apo të tjerët.

Stadi 3: Tremori dhe mos koordinimi fillojnë e shfaqen në këtë fazë të sëmundjes sepse zonat e trurit përgjegjëse për lëvizjen dëmtohen.

Stadi 4 dhe 5: Kjo është faza me avancuar e sëmundjes, në të cilën fillojnë të shfaqen demenca dhe halucinacionet.


Kur duhet të konsultoheni me një neurolog?


Sigurisht që jo çdo kush që ka konstipacion ose që ka redukim të ndjesisë së nuhatjes do të zhvilloj sëmundjen e Parkinsonit, thotë Dr. Dobi. Por nëse keni këto simptoma dhe ndonjë prej faktorëve të riskut që përmenden më poshtë, rekomandohet një konsultë neurologu:

  • Një të afërm me Parkinson me fillesë para moshës 60 vjeç.
  • Një karaktersitkë motore si: tremor në qetësi, ngurtësim, ngadalësim të lëvizjeve, probleme me ekuilibrin.
  • Trauma të përsëritura të kokës.
  • Çrregullime të gjumit.

Çfarë duhet të dini tjetër për Parkinsonin?

Përveç simptomave të hershme të Parkinsonit, ajo çka tjetër duhet të dini për Parkinsonin është:

Është një sëmundje progresive

Sëmundja e Parkinsonit përkeqësohet me kohën, por përjetimi i sëmundjes për çdo pacient është i ndryshëm. Mjekët përpiqen të trajtojnë simptomat, që ato të mos kthehen në pengesë për aktivitetet e jetës së përditshme.

Shkaku i sëmundjes ende nuk njihet

Në 95% të rasteve, mjekët nuk e dinë shkakun për sëmundjen e Parkinsonit. Shpesh, një kombinim faktorësh mund të ndikoj në shfaqjen e sëmundjes, si predispozita gjenetike dhe faktorë të tjerë (psh. goditje të shpeshta të kokës). Studimet kanë treguar se një rol të rëndësishëm e luajnë mutacionet gjenetike.

Trajtimi varet nga simptomat

Rëndesa e simptomave do të përcaktoj edhe trajtimin. Nëse simptomat nuk ndikojnë në funksionimin e përditshëm, mjekët mund të shtyjnë në kohë përshkrimin e mjekimeve.

Në personat me Parkinson, mungon ose nuk prodhohet mjaftueshëm Dopaminë. Për këtë arsye përshkruhet levodopa, një medikament i cili konvertohet në Dopaminë kur arrin në tru. Ky medimakent mund të kontrolloj simptomat e Parkinsonit. Mund të jepet në kombinim me carbidopa për të parandaluar nauzen e shkaktuar nga levodopa.

Sulmet në tru, infeksionet dhe gjendje të tjera neurologjike mund të ngjajnë më Parkinsonin.

Mos hamendësoni mbi simptomat tuaja para se të takoheni me një neurolog. Vetëm një specialist mund të përcaktojë diagnozën e saktë. Dhe mos harroni asnjëherë se përjetimi i sëmundjes është i ndryshëm për persona të ndryshëm.

“Është e rëndësishme të kuptohet se eksperienca e gjithësecilit me këtë sëmundje është e ndryshme, dhe trajtimi i Parkinsonit është veçanërisht i lidhur me simptomat që shkakton”, thotë Dr. Drini Dobi. “Ajo çka është më e rëndësishme është vlerësimi nga një neurolog për të qenë i sigurt se trajtimi është ai i duhuri”.



Lexo më shumë:


Një arsye më shumë për të lëvizur – sëmundja e Parkinsonit