Personat me sklerozë multiple shfaqin shenjat e para të sëmundjes rreth moshën 20 deri në 40 vjeç. Zakonisht simptomat përmirësohen por me kohën kthehen sërish.

Skleroza multiple shfaqet ndryshe në persona të ndryshëm. Mund të ndodh që dikush të ketë vetëm një simptomë dhe më pas për vite me rradhë mos të ketë simptoma të tjera. Megjithatë, ka edhe raste kur simptomat përkeqësohen brenda pak javësh ose muajsh.


Shenjat e hershme


Për shumë njërëz, prezantimi i parë me atë që më vonë do të diagnostikohet si Sklerozë Multiple është me anë të asaj që njihet si sindromi i izoluar klinik. Ky episod simptomash neurologjike zakonisht zgjat rreth 24 orë. Kjo ndodh kur sistemi imunitar sulmon mielinën, mbështjelljen mbrojtëse të qelizave nervore në tru dhe palcë kurrizore. Ju mund të dëgjoni mjekët tuaj t’i referohen këtij procesi si demielinizim. Ky proces shkakton shenja dhe lezione  të cilat e bëjnë më të vështirë transmetimin e sinjaleve ndërmjet trurit dhe trupit.


Janë dy lloje sindromash të izoluara klinike:


Episodi monofokal
– kur shfaqet vetëm një simptomë.


Episodi multifokal
– kur shfaqen më shumë se një simptomë.


Simptomat më të shpeshta mund të jenë:


Neuriti optik


Një gjendje në të cilën dëmtohen nervat që lidhin syrin me trurin. Zakonisht prek vetëm njërin sy, por në disa raste mund të prek të dy sytë. Shenjat e para mund të jenë:


- Shikim i turbullar

- Paqartësi të ngjyrave

- Dhimbje syri, veçanërisht në lëvizje


Mpirje dhe shpime


Zakonisht prek këmbët. Ju mund të ndjeni:


- Një ndjesi të ngjashme me një goditje elektrike gjatë lëvizjes së kokës dhe qafës. Mund të rrezatohet përgjatë gjithë shpinës deri në duar dhe këmbë.

- Mpirje, kryesisht të fytyrës

- Shpime


Duhet te kujtojmë se jo çdo kush që ka sindromë të izoluar klinik do të diagnsotikohet me Sklerozë Multiple. Probabiliteti rritet nëse janë shfaqur lezione në tru nga humbja e mielinës. Në rastin e një tjetër episodi klinik të izoluar ose simptomave të tjera të sklerozës multiple, mjeku juaj mund të kërkoj kryerjen e një rezonace magnetike (MRI).


Cilat janë simptomat primare te sklerozës multiple?


Këto simptoma shfaqen si pasojë e dëmtimit të mielinës. Ato mund të jenë shqetësuese, por trajtimi i tyre mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të tyre me medikamente, rehabilitim e opsione të tjera. Simptomat më të shpeshta primare janë:


Probleme me fshikzën e urinës dhe aparatin tretës
- të cilat mund të shfaqen në formën e urinimit të shpeshtë dhe konstipacionit.


Mungesa e koordinimit dhe ekuilibrit
- të cilat mund të vështirësojnë ecjen, qëndrimin në këmbë dhe ndryshimin e pozicionit.


Ndryshime emocionale dhe depresion
– është e vështirë të pranosh faktin e të paturit të një sëmundje kronike, për më tepër të një sëmundje të vështirë për t’u parashikuar ecuria. Frika nga e panjohura mund t’ju bëj të jeni anksioz. Për më tepër, sëmundja dëmton fibrat nervore në tru, çfarë mund të ndikojë në gjendjen tuaj emocionale. Po ashtu, në gjendjen tuaj emocionale mund të ndikojnë edhe medikamentet si kortikosteroidet, të cilat përdoren në trajtimin e sklerozës multiple.


Probleme të syve
– përveç neuritit optik që shfaqet në sindromin e izoluar klinik, mund të shfaqet po ashtu:


- Nistagmus – lëvizje e pakontrolluar e bulbeve okulare

- Diplopia – shikim i dyfishtë


Lodhje
– e cila shfaqet kryesisht në pasdite, shfaqet me dobësi të muskujve, mendim të ngadalësuar dhe përgjumje. Nuk është e lidhur me ngarkesën e ditës. Personat me Sklerozë Multiple ndjejnë lodhje edhe pas pushimit apo gjumit të mirë të natës.


Probleme të lidhura me të nxehtin
– këto probleme mund t’i vini re gjatë aktivitetit fizik. Mund të ndiheni të lodhur dhe të kontrolloni me vështirësi pjesë të ndryshme të trupit, si këmbët apo duartë. Pas pushimit, këto simptoma mund të largohen.


Spazma muskulare
– zakonisht prekin muskujtë e këmbëve. Janë një simptomë e hershme për pothuajse gjysmën e njerëzve me Sklerozë Multiple. Spazmat mund të jenë ngurtësime të lehta të muskujve por mund të shfaqen edhe si spazma të dhimbshme.


Probleme me të folurën
– Skleroza Multiple mund të shkaktojë pauza të gjata ndërmjet fjalëve dhe problem me shqiptimin e fjalëve. Me progresin e sëmundjes mund të shfaqen dhe problem me gëlltitjen.


Probleme me të menduarin
– mund të jetë e vështirë për t’u përqëndruar me kohën. Kjo mund të jetë për shkak të mendimit të ngadalësuar, vëmendjes së ulur ose çrregullimit të kujtesës. Disa persona e kanë këtë simptomë aq të rënduar, sa për ta është e pamundur të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme. Por duhet të kuptojmë se Skleroza Multiple nuk ndikon në inteligjencë dhe aftësinë për të lexuar apo për të kuptuar bisedat.


Dridhje
– rreth gjysma e personave me Sklerozë Multiple mund të kenë dridhje. Në disa prej tyre mund të shfaqen të lehta, ndërkohë që në të tjerë mund të jenë shumë të theksuara, deri në pengim të kryerjes së aktiviteteve të përditshme.


Probleme me ecjen
– për shkak të dobësisë muskulare ose spazmave muskulare, ecja mund të vështirësohet. Mund të nisin probleme me ekuilibrin, mpirjen e këmbëve dhe lodhjen.


Sensacione të pazakonta
– përveç shpimeve dhe mpirjes, ndijesi të tjera, pjesë e sindromit klinik të izoluar, mund të jenë dhe kruarje e dhimbje të llojit djegës dhe shpues. Mund të ndjeni shtrëngim në brinjë ose mbi bark – që njihet si “përqafimi i Sklerozës Multiple”.


Meqenëse paraqitja e Sklerozës Multiple ndryshon nga personi në person, është mirë të mos krahasoni gjendjen tuaj shëndetësore më atë të personave të tjerë me Sklerozë Multiple. Përjetimi juaj i sëmundjes mund të jetë krejt i ndryshëm dhe shumica e njerëzve mësojnë të menaxhojnë simptomat e tyre dhe vazhdojnë të jetojnë jetën e tyre aktive si më parë.

Lexo më shumë:

Çfarë është dhimbja nervore (neuropatia) dhe nga ndryshon nga dhimbjet e tjera?