Skleroza Multiple (MS) është një sëmundje që zgjat shumë, e cila mund të prek trurin, palcën kurrizore dhe nervat optikë të syve. Mund të shkaktojë probleme me shikimin, ekuilibrin, kontrollin e muskujve si dhe disa funksione të tjera jetësore të trupit.

Ndikimet shpesh janë të ndryshme për këdo që vuan nga kjo sëmundje. Disa njerëz kanë simptoma të lehta dhe nuk kanë nevojë për trajtim. Të tjerë kanë vështirësi që të lëvizin dhe të kryejnë detyrat e jetës së përditshme.

MS ndodh zakonisht kur sistemi juaj imunitar sulmon një material të yndyrshëm, të quajtur mielinë, i cili mbështjell fibrat tuaja nervore për t’i mbrojtur ato. Pa këtë shtresë mbrojtëse, nervat tuaj mund të dëmtohen si dhe mund të formohen cikatrice të indit nervor.

Dëmtim do të thotë që truri nuk mund t’i dërgojë sinjalet e duhura trupit tuaj. Nervat tuaj nuk punojnë ashtu siç duhet, në mënyrë që t’ju ndihmojnë që të lëvizni ose të ndjeni. Ndaj, si rezultat, ju mund të shfaqni këto simptoma:

- Vështirësi në ecje
- Lodhje
- Dobësi ose spazma muskulare
- Turbullim ose dyfishim të shikimit
- Mpirje dhe ndjesi shpimi në gjymtyrë
- Probleme seksuale
- Kontroll të dobët të fshikëzës urinare ose të zorrëve
- Dhimbje
- Depresion
- Probleme me përqëndrimin ose kujtesën

Simptomat e para shfaqen shpesh rreth moshës 20 dhe 40 vjeç. Shumica e njerëzve me MS kanë atake, të quajtura ndryshe edhe relapse (rikthime), kur gjëndja e tyre përkeqësohet dukshëm. Zakonisht ato ndiqen nga periudha përmirësimi, kur simptomat lehtësohen. Për njerëz të tjerë, sëmundja vazhdon duke u përkeqësuar me kalimin e kohës.

Vitet e fundit, ka më shumë trajtime të reja, të cilat parandalojnë relapset dhe ngadalësojnë ndikimet e sëmundjes.

Çfarë e shkakton Sklerozën Multiple?


Mjekët nuk e dinë me siguri se çfarë e shkakton MS, por ka shumë gjëra që duket se e bëjnë më të mundshme zhvillimin e sëmundjes. Njerëzit me disa gjene të caktuara mund të kenë më shumë mundësi që të vuajnë prej saj. Duhanpirja, gjithashtu e rrit rrezikun.

Disa njerëz mund të sëmuren nga MS pasi kanë kaluar një infeksion viral –- si virusi Eptesin-Barr ose herpesvirusi 6 – të cilat bëjnë që sistemi imunitar të mos funksionojë siç duhet. Infeksioni mund të nxisë sëmundjen ose të shkaktojë relapset. Shkencëtarët po studiojnë lidhjen mes viruseve dhe MS, por ata ende nuk kanë një përgjigje të qartë.

Disa studime tregojnë se vitamina D, të cilën mund ta merrni nga rrezet e diellit, mund të forcojë sistemin tuaj imunitar dhe t’iu mbrojë nga MS. Për disa njerëz me rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundjen, zhvendosja në zona me shumë diell, duket sikur ul rrezikun.


Diagnostikimi i Sklerozës Multiple


Mund të jetë e vështirë që të diagnostikosh MS duke qënë se simptomat e saj mund të jenë të ngjashme me shumë çrregullime të tjera. Nëse mjeku juaj i familjes mendon se ju vuani nga MS, ai mund të kërkojë një konsultë me një specialist, i cili trajton sëmundjet e trurit dhe sistemit nervor, pra një neurolog. Neurologu do ju bëjë pyetje në lidhje me historinë tuaj mjekësore dhe do të kërkojë për disa të dhëna kyçe, që dëshmojnë për dëmtim të nervave në trurin tuaj, në palcën kurrizore apo në nervat optikë.

Nuk ka një ekzaminimin të veçantë që të vërtetojë që vuani nga MS. Neurologu do të përdorë disa lloje të ndryshme testimesh për të të kontrolluar. Këto mund të përfshijnë:

- Analiza gjaku për të përjashtuar sëmundje, që shfaqin simptoma të ngjashme, si Sëmundja Lyme dhe SIDA.

- Do të kontrollojë ekuilibrin, koordinimin, shikimin dhe funksione të tjera për të parë se si po funksionojnë nervat tuaj.

- Do të mund të kërkojë që të bëni një Rezonancë Magnetike (RM)

- Do të mund të kërkojë që të bëjë analizimin e lëngut truno-shpinor (lëngu cerebrospinal-LCS). Njerëzit që vuajnë nga MS kanë në LCS të pranishme disa proteina të veçanta.

- Ekzaminimin e quajtur potenciale të evokuara, që mat aktivitetin elektrik të trurit

- OCT (tomografia e koherencës optike), e cila përdoret për të dalluar ndryshimet në retinë, gjë e cila mund të jetë shenjë alarmi për atrofinë e trurit

Trajtimi i Sklerozës Multiple


Deri më sot nuk ka një kurë për MS, por një sërë trajtimesh mund të përmirësojnë se si ju ndiheni dhe për ta bërë trupin tuaj që të funskionojë sa më mirë.

Mjeku juaj mund t’ju përshkruajë barna që mund të ngadalësojnë zhvillimin e sëmundjes, parandalojnë ose trajtojnë ataket, lehtësojnë simptomat, ose ju ndihmojnë që të menaxhoni stresin që vjen si pasojë e gjëndjes suaj.

Barnat, që mund të ngadalësojnë zhvillimin e MS ose të pakësojnë dëmtimin e nervave, përfshijnë:

- Beta interferon (Avonex, Betaseron, dhe Rebif)
- Cladribrine (Mavenclad)
- Dalfampridine (Ampyra)
- Dimethyl fumarate (Tecfidera)
- Glatiramer (Copaxone)
- Mitoxantrone (Novantrone)
- Natalizumab (Tysabri)
- Ocrelizumab (Ocrevus)
- Ozanimod (Zeposia)
- Siponimod (Mayzent)
- Teriflunomide ​​​​​​​(Aubagio)

Neurologu juaj mund t’ju jap edhe steroid për të shkurtuar kohëzgjatjen e atakeve dhe për t’i bërë ato më të lehta. Ju mund të provoni edhe barna të tjera, si relaksues muskujsh, qetësues ose toksinat Botulinum (Botox), për të lehtësuar spazmat muskulare dhe për të trajtuar disa nga simptomat e tjera.

Fizioterapisti mund t’ju mësojë disa ushtrime që ju ndihmojnë për të forcuar muskujt, përmirësuar ekuilibrin dhe për t’ju ndihmuar në menaxhimin e lodhjes dhe dhimbjes. Terapisti okupacional mund t’ju mësojë mënyra të reja për të bërë disa detyra të caktuara, në mënyrë që t’ua bëjë më të lehtë punën dhe kujdesin për veten. Nëse keni vështirësi që të lëvizni, një mbajtëse ose bastun mund t’ua bëntë më të lehtë ecjen.

Sëbashku me trajtimin, ju mund të bëni edhe gjëra të tjera për të lehtësuar simptomat e MS. Bëni ushtrime fizike rregullisht dhe shmangni nxehtësinë e tepërt. Pyesni mjekun tuaj rreth mundësisë për të filluar jogën për të pakësuar lodhjen e stresin. Kujdesuni shumë edhe për shëndetin tuaj mendor e emocionet. Është mirë që të bisedoni me të afërmit tuaj ose me një profesionist të shëndetit mendor rreth stresit apo ankthit që po përjetoni. Grupet mbështetëse janë gjithashtu një mënyrë e mirë për t’u lidhur me njerëz të tjerë që po vuajnë nga MS.

Çfarë duhet të kemi parasysh?


Kërkimet shkencore u kanë dhënë mundësinë mjekëve që të kenë më shumë mundësi trajtimi për këtë gjendje, një ide më të qartë rreth asaj që mund ta shkaktojë dhe aftësinë për ta diagnostikuar sa më herët. Qelizat staminale dhe kërkimet gjenetike mundet që shumë shpejt t’i ndihmojnë mjekët që të korigjojnë dëmtimet e nervave ose të ndalojnë zhvillimin e sëmundjes përpara se ajo të shkaktojë dëmtime.

Shkencëtarët po kërkojnë gjithashtu për mënyra të reja për ta trajtuar MS në studimet që po kryejnë. Këto studime testojnë barna të reja për të parë nëse janë të sigurta dhe efikase.

Çfarë është dhimbja nervore (neuropatia) dhe nga ndryshon nga dhimbjet e tjera?


Paraliza faciale e BELL-it – Si mund të përmirësohet?