Çfarë janë kontraceptivët oralë?


Kontraceptivët oralë janë medikamente që përmbajnë hormone të cilët merren nga goja për të shmangur shtatzëninë. Ato parandalojnë shtatzëninë duke frenuar ovulimin dhe duke parandaluar që sperma të penetrojë përgjatë cerviksit. Megjithatë, mjekët i përshkruajnë ato edhe si alternativa mjekimi për probleme të ndryshme shëndetësore si aknet apo endometrioza.

Që nga momenti që janë aprovuar për përdorim, rreth vitit 1960, formulimi dhe dozat e tyre kanë ndryshuar ndjeshëm. Ndër llojet e kontraceptivëve më të përshkruara nga mjekët janë llojet me përmbajtje të versioneve sintetike të hormoneve natyrale femërore si estrogjeni dhe progesteroni. Ndërsa te tjerë lloje kontraceptivësh janë me përmbajtje të progestinës, një version sintetik i progesteronit. Edhe pse të gjitha formulimet janë shumë efektive për parandalimin e shtatzënisë, efektet e tjera të lidhura me risqet dhe benefitet mund të ndryshojnë në varësi të formulimit.

Çfarë dihet për ndikimin e kontraceptivëve oralë në riskun për kancer?


Pothuajse gjithë të dhënat për lidhjen e kontracepitvëve oralë dhe riskut për kancer vijnë nga studime observuese, si studime kohorti prospektive dhe studime me raste-kontrolli të bazuara në popullatë. Duhet theksuar se të dhënat nga studimet observuese nuk mund të përcaktojnë plotësisht nëse risku për kancer rritet ose zvogëlohet nga një faktor i caktuar (në rastin tonë kontraceptivët oralë). Megjithatë, këto studime kanë treguar mjaftueshëm fakte mbi përdorimin e kontraceptivëve dhe modifikimin e riskut për disa lloje kanceri.


Kanceri i gjirit


Nga analiza e të dhënave e më shumë se 150.000 grave që kanë marrë pjesë në 54 studime epidemiologjike, është parë se gratë të cilat kanë përdorur kontraceptivë oralë kanë rezultuar me risk lehtësisht të rritur (7%) për kancer gjiri, krahasuar me gra të cilat nuk kanë përdorur kurrë kontraceptivë oralë. Gratë të cilat ishin duke përdorur kontraceptivë oralë, kishin 24% risk më të lartë për të zhvilluar kancer gjiri dhe ky risk nuk kishte lidhje me kohëzgjatjen e përdorimit të kontraceptivëve. Risku është parë të ulet pas ndërprerjes së kontraceptivëve oralë dhe barazohet me gratë që nuk kanë përdorur kurrë kontraceptivë oralë 10 vjet pas ndërprerjes së tyre.

Në një tjetër studim në gratë e moshës 20-49 vjeç, në të cilin është vlerësuar ndikimi i formulimeve më të reja të kontraceptivëve oralë, ato të përdorura nga viti 1990 deri në vitin 2000, gjithashtu ka treguar një rritje të riskut për kancer gjiri në moshat e reja. Ky risk ka qenë më shumë i lidhur me nëntipin ER+ të kancerit të gjirit. Rezultatet e këtij studimi kanë përkuar edhe me rezultate të studimeve të tjera të bëra ndër vite.

Ndërsa një tjetër studim i vitit 2017 në Danimarkë ka raportuar për risk për kancer gjiri edhe për formulimet më të reja të kontraceptivëve oralë. Në përgjithësi, gratë të cilat kanë qenë nën përdorim të kontraceptivëve kanë patur risk më të rritur për kancer gjiri (20%), i cili ka zgjatur edhe pak kohë pas ndërprerjes së përdorimit të tyre. Risku ishte edhe në varësi të llojit të kontraceptivit të përdorur dhe kohëzgjatjes.

Pra, duke u bazuar në këto studime observuese, është parë se risku për kancer gjiri është lehtësisht më i lartë në gratë gjatë përdorimit të kontraceptivëve oralë, edhe në rastin e formulimeve më të reja. Ky risk mund të ndikohet nga kohëzgjatja dhe formulimi i kontraceptivëve oralë.

Mekanizmi i veprimit me anë të të cilit kontraceptivët oralë rrisin riskun për kancer gjiri ka të bëjë me ekspozimin ndaj hormoneve që ndikojnë zhvillimin e kancerit të gjirit. Estrogjeni dhe progesteroni që gjenden në formë natyrale në trup, stimulojnë zhvillimin e disa lloje kanceri, si psh. ato lloje kanceri që kanë të shprehur receptorët për këto hormone, si kanceri i gjirit. Meqenëse kontraceptivët oralë përmbajnë versione sintetike të këtyre hormoneve, ato mund të potencialisht të rrisin riskun për kancer.

Kanceri i qafës së mitrës


Gratë të cilat kanë përdorur kontraceptivë oralë për më shumë se 5 vjet kanë risk më të larte për kancer të qafës së mitrës se gratë që nuk kanë përdorur ndonjëherë kontraceptivë oralë. Sa më gjatë një grua merr kontraceptivët oralë, aq më shumë rritet risku për kancer të qafës së mitrës. Këto janë rezultatet e një analize mbi 28 studime mbi lidhjen e kancerit të qafës së mitrës dhe përdorimit të kontraceptivëve oralë. Një ndër arsyet pse mendohet se kjo ndodhë është për shkak se kontraceptivët oralë mund të rrisin ndjeshmërinë e qelizave në qafën e mitrës për infeksion persistent të llojeve me risk të lartë të HPV (shkaku kryesor i pothuajse të gjitha rasteve të kancerit të qafës së mitrës). Në 5 vite përdorim të kontraceptivëve oralë, risku për kancer të qafës së mitrës rritet me 10%, për 5-9 vjet përdorim risku rritet deri në 60% dhe për më shumë se 10 vjet përdorim risku për kancer të qafës së mitrës dyfishohet. Megjithatë, risku për kancer të qafës së mitrës është vënë re të ulet pas ndërprerjes së kontraceptivëve oralë.

Kanceri i endometrit


Gratë të cilat kanë përdorur kontraceptivë oralë kanë risk më të ulët për kancer të endometrit se gratë që nuk kanë përdorur asnjëherë kontraceptivë oralë. Risku reduktohet me të paktën 30% dhe vazhdon të reduktohet sa më gjatë vazhdon edhe përdorimi i tyre. Efekti mbrojtës i kontraceptivëve zgjat edhe shumë vite pas ndërprerjes së tyre. Reduktimi i riskut ka rezultuar më i shprehur në gratë që njëkohësisht janë duhanpirëse, me BMI>25 dhe ushtrohen rrallë.

Mekanizmi i veprimit me anë të të cilit kontraceptivët oralë ulin riskun për kancer endometri ka të bëjë me frenimit e proliferimit të qelizave endometriale.

Kanceri i vezoreve


Gratë të cilat kanë përdorur ndonjëherë kontraceptivë oralë kanë 30% deri në 50% më pak risk për kancer të vezoreve se gratë të cilat nuk kanë përdorur kurrë kontraceptivë oralë. Kjo mbrojtje rritet me kohëzgjatjen e kontraceptivëve oralë dhe është parë se vazhdon deri në 30 vjet pas përdorimit të kontraceptivëve oralë (Jama Oncology). Një reduktim i riskut për kancer ovari është parë edhe në gratë mbartëse të mutacionit në gjenet BRCA1 dhe BRCA2 që kanë përdorur kontraceptivë oralë.

Efekti protektiv i kontraceptivëve oralë mund të vijë si pasojë e reduktimit të numrit të ovulimeve që mund të përjetojë një grua përgjatë jetës, duke e reduktuar ekspozimin e saj ndaj hormoneve femërore që mund të ndikojnë në zhvillimin e kancerit të ovarit.

Kanceri kolorektal


Përdorimi i kontraceptivëve oralë mund të reduktojë riskun për kancer kolorektal deri në 15% ose 20% (studimi). Ky ndikim nuk varet nga kohëzgjatja e marrjes së kontraceptivëve edhe pse një efekt më i madh është vënë re në gratë që kanë përdorur kontraceptivë oralë në kohët e fundit.

Efekti protektiv i kontraceptivëve oralë në lidhje me riskun e kancerit kolorektal mendohet të jetë për shkak të nivelit të ulët te acideve biliare te gratë që përdorin kontraceptivë oralë. Ka të dhëna që acidet biliare veprojnë si promotorë të tumoreve ne zorrë.