Ndër personat me risk të lartë  për melanomë, ata që bëjnë kontrolle periodike të lëkurës dhe dinë të bëjnë vet-ekzaminim të lëkurës, kanë më shumë mundësi të diagnostikojnë në kohë melanomën, në stadin kur ende është e kurueshme.

Kush ka më shumë risk për të zhvilluar një melanomë?


Kanceri i lëkurës si melanoma shkaktohet nga akumulimi i mutacioneve në ADN-në e melanociteve si pasojë e dëmtimit të lëkurës nga rrezet UV (dielli, solaret). Përveç rrezeve UV, faktorë të tjerë që rrisin riskun për melanomë janë historia familjare (gjenetika), tipi dhe ngjyra e lëkurës, ngjyra e flokëve dhe e syve dhe numri i nishaneve në trup.

Të kuptosh se çfarë e shkakton melanomën dhe të dish nëse bën pjesë në grup risku apo jo, mund të të ndihmojë ta parandalosh atë ose ta diagnostikosh në stadet e hershme, kur kurimi është ende i mundur.

Ekspozimi në diell


Është një lidhje e qartë ndërmjet ekspozimit të pambrojtur ndaj rrezeve UV dhe melanomës. Rrezet UV nga dielli dhe solaret janë një sulm i fuqishëm kundër lëkurës suaj dhe faktori i riskut primar për të zhvilluar melanomë dhe lloje të tjerë të kancerit të lëkurës. Djegie të lëkurës nga dielli në fëmijëri e rrisin veçanërisht riskun për melanomë, por djegiet e lëkurës në jetë adulte gjithashtu luajnë një rol në zhvillim të kësaj sëmundje.

Shumë nishane


Jo çdo nishan është i rrezikshëm por nëse keni shumë nishane në trup, risku për melanomë është më i madh. Nishanet atipike që ndryshe njihen si nishane displazike janë zakonisht më të mëdha se goma e një lapsi dhe kanë kufij dhe ngjyrë të çrregullt. Nishanet atipike nuk janë melanomë por personat që kanë disa nishane të tillë në trup, kanë më shumë probabilitet për të zhvilluar melanomë.

Meqenëse melanoma mund të zhvillohet në një nishan ekzistues ose në një nishan të ri, është e rëndësishme që për çdo ndryshim në lëkurë të konsultoheni me dermatologun.

Ngjyra e hapur e lëkurës


Edhe pse çdo kush mund të zhvillojë një melanomë, personat me ngjyrë të hapur të lëkurës, flokë biondë ose të kuq, sy blu dhe jeshil, me quka dhe tendencë për t`u djegur në diell - kanë risk më të madh për melanomë.

Nëse nuk e dini tipin tuaj të lëkurës plotësoni pyetësorin për ta zbuluar atë.

Histori me kancer të lëkurës


Nëse jeni diagnostikuar një herë më kancer të lëkurës, risku për ri-diagnostikim është shumë më i lartë. Nëse kani patur një herë melanomë, risku për rekurrencë është i lartë si për të njëjtën melanomë ashtu edhe për një melanomë të re. Edhe nëse jeni diagnostikuar me kancer të lëkurës bazoqelizor apo skuamoqelizor, risku për melanomë është më i lartë.

Faktorët gjenetikë


Historia familjare


Melanoma mund të trashëgohet. Në fakt, 1 në 10 pacientë të diagnostikuar me melanomë ka histori familjare me melanomë. Nëse personi i diagnostikuar me melanomë është i pjesëtar i afërm i familjes (nëna, babai, motra, vëllai, fëmijë) - risku për melanomë është edhe më i lartë.

Për këtë arsye, në personat e diagnostikuar me melanomë, iu rekomandohet ekzaminimi i lëkurës edhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Mutacione gjenetike


Në disa raste të melanomave familjare, janë zbuluar disa prej gjeneve përgjegjëse - ndryshime në gjenet tumor-frenuese si CDKN2A dhe BAP1. Këto ndryshime nuk lejojnë funksionimin normal të këtyre gjeneve, duke lejuar zhvillimin e tumorit. Një tjetër gjen tumor-frenues që rrit riskun për melanomë është ai MC1R (melanocortin 1 receptor). Familjet që dyshohen për mbartje të mutacioneve në këto gjene, mund të kryejnë analizat gjenetike për praninë e mutacioneve në këto gjene.


Çfarë duhet të bësh?


Nëse je me risk për zhvillim të melanomës, nuk duhet të nënvlerësosh vizitat e përvitshme te dermatologu dhe vet-kontrollin e lëkurës.

Fëmijët e familjeve me melanomë duhet të fillojnë kontrollin e lëkurës që në pubertet dhe gjatë adoleshencës.

Mund të reduktoni riskun për melanomë duke marrë masat e duhura mbrojtëse ndaj diellit dhe të shmangni absolutisht përdorimin e solareve.

Si të përcaktosh riskun për melanomë?


Instrumenti për vlerësimin e riskut për melanomë mund të përcaktojë riskun absolut të një individi për zhvillim të melanomës invazive. Në këtë rast, përcaktohet risku që mbart një person për të zhvilluar melanomë në 5 vitet e ardhshme.

Plotësoni pyetësorin
për vlerësim të këtij risku.

Ky pyetësor nuk duhet të plotësohet nga persona që:


- Janë diagnostikuar më parë me melanomë
- Janë diagnostikuar më parë me melanomë in-situ
- Janë diagnostikuar më parë me kancer të lëkurës jo-melanomatoz
- Kanë histori familjare me kancer të lëkurës

Në të gjitha këto raste, kërkoni një konsultë me mjekun onkolog.

Melanoma - Çfarë duhet të dimë?