Të hash më shumë perime, fruta dhe drithëra dhe të reduktosh sasinë e yndyrave, redukton në mënyrë sinjifikative riskun për vdekje nga kanceri i gjirit në gratë postmenopauzante. Ky është rezultati i një prej studimeve që do të prezantohet këtë vit në konferencën onkologjike të ASCO (American Society of Clinical Oncology) në 31 Maj – 2 Qershor.

Deri tani, ky është studimi i vetëm i randomizuar që fakton ndikimin e dietës në mbijetesën nga kanceri i gjirit.

Studimi është kryer në 48,835 gra postmenopauzante, pa histori të mëparshme me kancer gjiri. Pas një periudhe ndjekje të gjatë (19,6 vjet), 3,374 gra u diagnostikuan me kancer gjiri. Gratë të cilat ndiqnin një dietë të varfër në yndyra dhe të pasur me fruta, perime dhe drithëra kishin risk më të ulët për vdekje nga kanceri i gjirit me rreth 21% më pak se gratë që ndiqnin një dietë më pak të shëndetshme.

Pas diskutimeve të shumta në lidhje me ndikimin apo jo të dietës në mbijetesën nga kanceri i gjirit, ky studim ngre shpresa se modifikimi i dietës është shumë i rëndësishëm dhe se ajo cfarë hamë ka rëndësi.

Studimi përfshiu gra të moshës 50 deri 79 vjeç, nga viti 1993 deri në vitin 1998. Gratë u ndanë në dy grupe. Një pjesë e tyre u lanë të ndjekin dietën e tyre normale, 32% e së cilës përbëhej nga yndyra dhe grupi tjetër i grave iu nënshtrua një diete të modifikuar, e cila përbëhej nga 20% yndyra dhe 40% fruta, perime dhe drithëra.

Gratë të cilat ishin në grupin me dietë të modifikuar, të gjitha ulën sasinë e yndyrave në dietë dhe rritën sasinë e frutave, perimeve dhe drithërave, por pa ndikim të madh në peshën e tyre (3% reduktim i peshës).

Ndryshimet e rekomanduara të dietës në studim nuk janë të vështira për të arritur dhe çdo kush mund t`i ndjek, mjaftojnë modifikime të lehta të dietës dhe ndikimi i saj të jetë shumë i madh.

Ky studim do të shërbej si një shtyllë e rëndësishme informacioni për ndikimin ë dietës në kancerin e gjirit dhe përfshirjen e modifikimit të dietës si pjesë e rëndësishme të parandalimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit.



Lexo më shumë:


Roli i dietës në kancerin e gjirit