Çfarë është kanceri i pankreasit?


Kanceri i pankreasit ndodh kur qelizat normale të pankreasit kthehen në qeliza jo normale dhe rriten e riprodhohen pa kontroll. Pankreasi është një organ që gjendet pas stomakut. Ai prodhon hormone dhe enzima të cilat ndihmojnë trupin të tresë ushqimet.

Cilat janë simptomat e kancerit të pankreasit?


Dhimbje – që përhapet nga stomaku në zonën përreth mesit. Dhimbja nuk është konstante dhe theksohet më shumë pas ngrënies.
Humbje në peshë – mungesë oreksi ose ngopje të menjëhershme edhe pasi keni ngrënë shumë pak.
Diarre – fecet duken të yndyrshme dhe janë të vështira për t’i larguar nga tualeti me shkarkimin e ujit.
Zverdhje të lëkurës – lëkura dhe të bardhat e syrit mund të kthehen në ngjyrë të verdhë. Po ashtu, mund të ndodhë që fecet marrin ngjyre gri në vend të kafes.

A ka një test për zbulimin e kancerit të pankreasit?


Analiza gjaku
Teste imazherike – Ekografi abdominale, CT skaner, ose ERCP (Kolangiopankreatografi retrograde endoskopike). Këto teste shfaqin pamje të brendësisë së trupit dhe tregojnë nëse ka rritje jo normale në organe.
Biopsi – për biopsinë, mjeku merr një copëz (mostër) indi nga pankreasi, e cila dërgohet te një mjek anatomopatolog, i cili ekzaminon mostrën nën mikroskop, për të analizuar natyrën e qelizave.

Cfarë është stadifikimi i kancerit?

Është mënyra se si mjekët kuptojnë shkallën e përhapjes së sëmundjes. Trajtimi adekuat i sëmundjes varet nga stadi i sëmundjes. Po ashtu, trajtimi varet dhe nga mosha, sëmundje shoqëruese dhe preferenca të pacientit.

Si trajtohet kanceri i pankreasit?


Kirurgjia – Kanceri i pankreasit mund të trajtohet me kirurgji për të hequr masën tumorale. Para se të behet ndërhyrja kirurgjikale, duhet të përcaktohet nëse tumori nuk është përhapur përtej pankreasit dhe të vlerësohet nëse është e mundur të bëhet një heqje radikale e tumorit.

Kimioterapia – është termi mjekësor për trajtimin medikamentoz të kancerit, ku vriten qelizat kanceroze dhe pengohet zhvillimi i mëtejshëm i tumorit.

Rrezatimi (Radioterapia) – qelizat kanceroze vriten me anë të rrezatimit të tumorit.

Imunoterapia – është termi i përdorur në mjekësi për medikamentet të cilat stimulojnë sistemin imunitar dhe aftësinë e vet trupit për të luftuar qelizat kanceroze.

Çfarë ndodh pas trajtimit?


Pas trajtimit, nisin kontrollet periodike. Kontrollet periodike shërbejnë për të detektuar rikthim të mundshëm të sëmundjes. Ato mund të jenë: analiza gjaku, teste imazherike. Në rast të rikthimit të sëmundjes ju mund t’i nënshtroheni përsëri trajtimit me kimioterapi ose radioterapi. Po ashtu mund të trajtoheni me terapi suporti për të mbajtur nën kontroll dhimbjen dhe shqetësime të tjera si pasojë e sëmundjes.

Çfarë tjetër duhet të di?

Është shumë e rëndësishme të ndiqen gjithë këshillat dhe instruksionet e mjekut kurues, në lidhje me vizitat, testet e domosdoshme dhe rekomandime të tjera. Është e rëndësishme po ashtu, të flisni me mjekun tuaj për çdo efekt anësor apo shqetësim që jeni duke përjetuar gjatë trajtimit.

Sa herë qe ju rekomandohet një trajtim, mos harroni të pyesni për:
- Cilat janë benefitet e trajtimit?
- A do të më japë mundësinë te jetoj më gjatë?
- A do të reduktoj apo parandaloj simptomat?
- Cilat janë efektet anësore të trajtimit?
- A ka opsione të tjera përveç trajtimit?
- Çfarë ndodh nëse nuk mjekohem?