Si çdo pjesë tjetër e trupit, edhe truri mund të zhvillojë tumor - i cili ndodh kur një qelizë rritet pa kontroll dhe formon një masë solide. Meqenëse truri ka shumë lloje të ndryshme qelizash, edhe llojet e tumoreve mund të jenë të ndryshme. Disa mund të jenë kancer e të tjera jo. Disa rriten më shpejtë e të tjerë më ngadalë. Por meqenëse truri është qendra e kontrollit të trupit, është e rëndësishme që të gjithë llojet të merren seriozisht.

Me rritjen e tumorit, ai ushtron presion në indin përreth. Kjo mund të ndikojë në funksionet e indeve përreth, pra mund të ndikojë mënyrën se si mendojmë, shohim, veprojmë dhe ndihemi. Pra, në rastin e tumoreve të trurit përveç faktit nëse është kancer apo jo, ka shumë rëndësi edhe lokalizimi i tumorit, sa shpejt mund të rritet dhe nëse mund të eliminohet.

Tumoret sekondare të trurit


Shumë njerëz që kanë tumor të trurit, zakonisht ju ndodhë për shkak të një tumori tjetër primar i cili ka dhënë metastaza në tru. Gjysma e tyre janë si pasojë e kancerit të mushkërisë. Lloje të tjera kanceri që mund të përhapen në tru janë:

- Kanceri i gjirit
- Kanceri i kolonit
- Kanceri i veshkave
- Leucemitë
- Limfoma
- Melanoma

Tumoret primare te trurit


Në të rritur, tumoret më të shpeshta primare të trurit (që e kanë fillesën në tru) janë meningeomat dhe gliomat.

Meningeomat përbëjnë më shumë se 35% të gjithë tumoreve primare të trurit. Ato nuk rriten nga indi i trurit por nga qelizat e shtresave mbështjellëse të trurit. Rrezikshmëria e tyre varet nga lokalizimi dhe ritmi i rritjes.

Kanceri më i shpeshtë i trurit - rreth 1 në 5 - është glioblastoma. Janë një lloj gliome, tumor i cili e ka fillesën në qelizat gliale. Përhapen shpejtë dhe shpesh janë fatale.

Në përgjithësi, ka një rritje të personave të diagnostikuar me tumor të trurit. Kjo mund të jetë edhe për shkak të teknologjisë që e ka lehtësuar diagnostikimin. Megjithatë, studimet janë duke hulumtuar edhe për shkaqe të tjera të lidhura me mjedisin. 

Lloje të tjera


Llojet e ndryshme të tumoreve të trurit emërtohen në bazë të zonës nga ku e kanë fillesën. Përveç gliomave, ato mund të përfshijnë adenoma (të gjëndrës së hipofizës), chordoma, meduloblastoma dhe sarkoma.

Grada


Përshkrimi i tumoreve të trurit shoqërohet edhe nga grada - nga 1 deri në 4. Grada e ulët tumorale (G1) nuk është kancer. Rritet ngadalë dhe zakonisht nuk përhapet. Në përgjithësi mund të kurohet nëse lokalizimi është i përshtatshëm.

Në anën tjetër, tumoret me gradë të lartë tumorale (G4) janë kancer. Rriten shpejtë, përhapen shpejtë dhe zakonisht nuk janë të shërueshëm.

Gradat 2 dhe 3 janë të ndërmjetme. Zakonisht grada 2 nuk është kancer dhe grada 3 po.

Faktorët e riskut


Faktorët e riskut për tumoret primarë të trurit janë ende të paqartë. Por një ndër faktorët e njohur është rrezatimi direkt i kokës - i cili mund të jetë i nevojshëm për trajtimin e gjendjeve të tjera shëndetësore si leucemia. Në shumicën e këtyre rasteve, përfitimet nga rrezatimi janë më të mëdha se risku që mbartin për zhvillim të tumorit primar në tru.

Tumoret e trurit mund të shfaqen në çdo moshë por më shpesh shfaqen në të rritur mbi moshën 50 vjeç.

Risku për tumore të trurit rritet edhe nëse keni një sistem imunitar të dobësuar, si psh. në pacientët me SIDA ose në ata që kanë kryer një transplant organi. E njëjta gjë vlen edhe nëse keni histori familjare me tumor në tru. Gjendjet e  mëposhtme vijnë si pasojë e mutacioneve gjenetike dhe mund të jenë të trashëgueshme:

- Sindormi Li-Fraumeni
- Neurofibromatoza tipi 1 dhe 2
- Skleroza tuberoze
- Sindromi Turcot tipi 1 dhe 2
- Sëmundja Von Hippel-Lindau

A shkaktojnë telefonat celularë tumor të trurit?


Pa dyshim kjo ka qenë një çështje e nxehtë kohët e fundit por studimet nuk kanë gjetur asnjë lidhje të qartë ndërmjet telefonave celularë dhe tumoreve të trurit. Nuk ka studime afat-gjata mbi përdorimin e telefonave celularë, megjithatë kjo është një çështje që po studiohet vazhdimisht.

Si zbulohen?


Mjekët zakonisht nuk bëjnë kontrolle rutinë për tumoret e trurit, siç bëhen zakonisht për lloje të tjera tumoresh. Zakonisht ato zbulohen me shfaqjen e simptomave të para. Lloji i trajtimit dhe efekti i tyre varen kryesisht nga lloji i tumorit, madhësia, lokalizimi dhe mosha e pacientit.

Diagnostikimi nis me një ekzaminim neurologjik, duke analizuar shikimin, ekuilibrin dhe reflekset - për të kuptuar më shumë mbi lokalizimin e tumorit.

Gjithashtu, do të rekomandohet ekzaminime imazherike si MRI, CT ose PET-CT.

Së fundmi do të rekomandohet biopsia për te identifikuar llojin histopatologjik te tumorit.

Si trajtohen?


Cdo trajtim ka efektet e tij anësore, ndaj nëse keni një tumor që rritet ngadalë dhe nuk shkakton probleme, trajtimi mund të mos jetë i nevojshëm që në fazën fillestare. Në këtë rast, do t`i nënshtroheni kontrolleve periodike për të parë nëse tumori po rritet apo po shkakton simptoma.

Kirurgjia është opsion i mirë nëse tumori është i arritshëm. Rasti më i mirë është nëse tumori është i vogël dhe mund të hiqet plotësisht. Por disa zona të trurit janë shumë delikate dhe eliminimi plotësisht i tumorit mund t`i dëmtojë ato. Megjithatë, në disa raste ndihmon edhe heqja e një pjese të tumorit.

Kimioterapia përdor barna të cilat vrasin qelizat kanceroze ose të paktën frenojnë rritjen e tyre. Mund të merret në shumë mënyra, në formën e kokrrave, injeksioneve ose të drejtuara direkt në tumor.

Rrezatimi përdor rreze-X ose burime të tjera rrezatimi me energji të lartë për të vrarë qelizat tumorale. Ndonjëherë, mund të aplikohet bashkë me kimioterapinë. Lloje të reja rrezatimi, si proton terapia ose rrezatimi i fokusuar, targetojnë shumë ngushtësisht tumorin për mos të dëmtuar zonat e tjera të trurit.

Terapitë e targetuara përdorin barna të cilat i drejtohen tipareve të caktuara të qelizave tumorale, duke evituar kështu qelizat e shëndetshme. Këto lloj terapish mund të përdoren vetëm në lloje të caktuara tumoresh dhe si çdo trajtim tjetër kanë efektet e tyre anësore.



Çfarë janë tumoret e trurit dhe nga se shkaktohen


7 llojet më të kurueshëm të kancerit


Çfarë është "Truri i Kimios"?