Shumë faktorë mund të rrisn risku për kancer të gjirit, perfshirë këtu mosha, historia familjare, apo formacione të mëparshme prekanceroze si Karcinoma lobulare in situ (LCIS) apo hiperplazitë atipike.

Duke u bazuar në një vlerësim të hollësishëm të riskut, mjeku mund të rekomandojë terapi ose medikamente të ndryshme për të reduktuar gjasat e zhvillimit të kancerit të gjirit te gratë me risk të lartë.


Cilat gra përfitojnë nga parandalimi?


- Gratë me histori të karcinomës lobulare in situ ose hiperplazisë atipike.

- Gratë të cilat janë klasifikuar si risk i lartë për zhvillim të kancerit të gjirit.

- Gratë të cilat kanë prezente mutacionin BRCA.


Cilat janë barnat parandaluese?


Këto medikamente përfshijnë: Modulatorët selektivë të receptorëve të estrogjenit (SERM) si Tamoksifeni dhe Raloksifeni.

Një tjetër grup barnash, të quajtur inhibitorët e aromatazës (AI) si Letrozoli ose Exemestani, po ashtu, kanë treguar të jenë efikas në parandalimin e kancerit të gjirit, pavarësisht se ende nuk janë të aprovuar nga FDA për këtë indikacion.

Këto barna janë efikase vetëm në parandalimin e tumoreve të gjirit të cilat ushqehen nga hormonet. Tumoret të cilat ushqehen nga hormonet, identifikohen në bazë të prezencës së receptorëve hormonalë si – receptorët e estrogjenit (ER) dhe receptorët e progesteronit (PR).



Si veprojnë barnat antihormonale?


Barnat antihormonale veprojnë duke ndërvepruar me hormonet femërore të estrogjenit. SERM veprojnë duke bllokuar efektin e estrogjenit në indin e gjirit, ndërsa AI veprojnë duke bllokuar enzimën (aromatazë) që është përgjegjëse për prodhimin e estrogjenit në gratë postmenopauzante.


Sa efektivë janë në parandalim?


Modulatorët selektivë të receptorëve të estrogjenit (SERM)


Tamoksifeni


Shumë studime kanë vërtetuar efikasitetin e tamoksifenit në parandalimin e kancerit të gjirit.

Tamoksifeni i marrë cdo ditë, për 5 vjet redukton riskun për kancer gjiri me 1/3. Tamoksifeni mund të merret nga gratë para dhe pas menopauzës.

Raloksifeni


Raloksifeni indikohet në parandalimin dhe trajtimin e osteoporozës (ulje e densitetit kockor) në gratë postmenopauzante. Shumë studime kanë treguar se në gratë postmenopauzante me risk të lartë për kancer gjiri, raloksifeni redukton riskun për zhvillim të kancerit të gjirit hormon-pozitiv.

Në një studim krahësues të dy barnave Tamoksifen vs. Raloksifen (studimi STAR), është parë se tamoksifeni ka rezultuar lehtësisht më efektiv në parandalim të kancerit të gjirit, por efektet anësorë kanë qenë më të lehta në pacientët e trajtuara me raloksifen.


Kur janë të kundërindikuara këto barna?


Tamoksifeni dhe raloksifeni nuk rekomandohet të jepen në:

- Gratë me histori tromboze.

- Gratë nën trajtim me antikoagulantë.

- Gratë duhanpirëse.

- Gratë shtatëzena ose që planifikojnë një shtatëzëni, gjatë ushqyerjes me gji.


Gratë të cilat janë nën trajtim me tamoksifen, duhet të njoftojnë menjëherë mjekun nëse vërejnë:

- Simptoma gjinekologjike si gjakderdhje të pazakonta, presion, shtypje ose dhimbje pelvike.

- Simptoma të trombozës si enjtje të këmbës ose dhimbje, marrje fryme ose rrahje të shpeshta të zemrës.

Riksu për kancer gjiri mund të vlerësohet nga nje mjek onkolog dhe më pas të percaktohet se cili do të ishte plani më i mirë për parandalimin e kancerit të gjirit.



Lexo më shumë:

Kanceri i gjirit dhe mutacioni në gjeni përgjegjës BRCA. A mund të jeni mbartës?