Nëse ka një çështje që nxit gjithmonë debat kur flitet për dietën e shëndetshme dhe riskun për kancer, është mishi i kuq. Frika e lidhur me mishin e kuq në vitet e fundit është ngulitur në mendjen tonë për shumë arsye, që nga cilësia e mishit, origjina e tij dhe kushtet në të cilat janë rritur kafshët. Të gjithë këta faktorë duket sikur e legjitimojnë frikën tonë për të ngrënë mish të kuq.

Në fakt, edhe pse në botë, po konsumohet gjithnjë e më pak mish i kuq (vic, qengj, derr), në Shqipëri konsumi i mishit të kuq është rritur në vitet e fundit nga 64 kg për frymë në 2009 në 70 kg për frymë në 2018.

Rënia e konsumit të mishit të kuq në botë përkoi edhe me skandalin e sëmundjes së “Lopës së çmendur”, çka shërbeu si një alarm për kompanitë prodhuese të mishit, për të rritur kontrollet mbi cilësinë e mishit. Por në Shqipëri, sipas të dhënave, rezulton se tregu vendas dominohet nga prodhimet vendase të mishit dhe se Shqipëria konsiderohet nga Bashkimi Evropian si një vend origjine jo i sigurt.

E megjithatë, globalisht, pavarësisht përpjekjeve për rritjen e kontrollit të cilësisë së mishit, duket sikur gjithë sulmet ndaj mishit të kuq, kanë lëkundur bindjen se ngrënia e tij mund të jetë e sigurt. Kjo edhe si pasojë e disa studimeve të cilat kanë lidhur ngrënien e mishit të kuq me riskun për zhvillim të kancerit kolo-rektal.

Disa nga evidencat që lidhin konsumin e mishit me kancerin dhe kryesisht atë kolo-rektal vijnë nga dy studime të vitit 2005, njëri prej tyre i kryer në Europë dhe tjetri në Sh.B.A. Studimi europian përfshiu ndjekjen e 470.000 individëve për 5 vjet. Nga këta, 5 vjet më vonë, 1,329 persona u diagnostikuan me kancer koloni. Sipas këtij studimi, personat që hanin 140 gram mish të kuq në ditë, ishin 33% më shumë të rrezikuar se ata që hanin sasi më të pakët mishi (mesatarisht rreth 30 gram në ditë).

Studimi amerikan përfshiu 148,610 persona të moshës 50-74 vjeçare. Në këtë studim, çdo person u pyet për zakonet dietetike para përfshirjes në studim dhe më pas u pyetën përsëri 10-11 vjet më vonë. Konsumi i shpeshtë dhe në sasi të madhe i mishit të kuq rezultoi i lidhur me riskun për kancer kolo-rektal.

Lista e studimeve që lidhin kancerin dhe kryesisht atë kolo-rektal me mishin e kuq është e gjatë, por edhe rezultatet e tyre janë shumë kontroverse.

Studime të kësaj natyre janë të vështira për të interpretuar pasi rezultatet mund të jenë të ndikuara nga faktorë të tjerë risku për kancer të cilat është e vështirë të merren në konsideratë në të gjithë studimet. Faktorët të cilët mund të ndikojnë në rezultatet e studimeve janë: pesha e individëve të përfshirë në studim, totali i kalorive të marra me ushqimin, përdorimi i alkoolit, duhanpirja, aktiviteti fizik, sasia e fibrave të përfshira në dietë dhe vitaminave.

Dyshimi mbi ndikimin e mishit të kuq lind edhe kur mendojmë se të gjithë konsumojmë të paktën 1 herë në javë mish të kuq. A jemi të gjithë të rrezikuar? A do të shpëtojnë vetëm vegjetarianët nga ky ndikim?

Në fakt, nuk është kështu. Edhe vegjetarianët preken pothuajse njësoj nga kanceri kolo-rektal (edhe pse risku për sëmundje kardiovaskulare është më i ulët), çka logjikisht të bën të mendosh se faktorët që ndikojnë janë të shumëllojshëm dhe se ndikimi i tyre në persona të ndryshëm është i ndryshëm.

Ne nuk hamë të gjithë të njëjtin mish


Kur flasim për mishin, mendojmë se flasim për të njëjtën gjë, por në fakt nuk është kështu. Po të krahasojmë një racion mishi (100 gram) amerikan me një francez për shembull, racioni amerikan përmban 300 kalori dhe ai francez 150 kalori. Nëse do ta zbërthejmë më tej në nutrientë, në racionin francez gjejmë 28% proteina dhe 4% yndyra, ndërkohë racioni amerikan përmban 16% proteina dhe 24,9% yndyra. Pra, rreth 6 herë më shumë yndyrna në versionin “amerikan” të mishit.

Pra, kur hamë mish të kuq, hamë diçka krejt të ndryshme nga të dy anët e Atlantikut. Dhe ndryshimet nuk janë vetëm nga njëri kontinent në tjetrin, por edhe nga njëri shtet në tjetrin e shpesh herë edhe nga krahina të ndryshme brenda të njëjtit shtet.

A e gatuajmë mishin të gjithë njësoj?


Përsëri përgjigja është jo. Amerikanët psh. e preferojnë mishin në zgarë ose barbecue. Po ashtu, ata preferojnë që mishi të jetë i pjekur mirë ose mesatarisht, çka rrit nivelin e karcinogjenëve. Në Europë, mishi preferohet i zier ngadalë ose i pjekur pak, çka ul nivelin e karcinogjenëve. Në Europë gjithashtu, mish preferohet edhe ne formën tartarit ose karpaços, ose i përzierë nëpër tava perimesh.

Pra, përsëri po kuptojmë që në vende të ndryshme, mishi i kuq që hamë është i ndryshëm.

Disa këshilla praktike në lidhjen me mishin e kuq janë:

  • Kontrolloni origjinën e mishit dhe zgjidhni mishin e kafshëve të ushqyera në mënyrë natyrale.
  • Nëse hani mish të skuqur, mos e skuqni gjatë dhe mos përdorni asnjëherë vaj në të cilin keni skuqur më parë.
  • Shmangni mishin e zgarës dhe zgjidhni mënyra të tjera të gatimit.
  • Hiqni dhjamin nga mishi para se ta gatuani.
  • Shoqëroheni racionin e mishit gjithmonë me perime dhe kryesisht me gjethe jeshile.


Çfarë e bën mishin e kuq të rrezikshëm?


Shumë hipoteza janë shtruar mbi arsyen pse mishi i kuq shkakton kancer. Një ndër më interesantet lidhet me hemoglobinën e gjendur në gjakun e mishit të kuq. Hemoglobina e cila i jep ngjyrën e kuqe gjakut (rruazat e kuqe të gjakut), transporton oksigjenin nga mushkëritë  në indet periferike.

Hemoglobina përbëhet nga tre komponentë: molekula e hemit, proteina globulinë dhe molekula e hekurit. Atë çka dimë, është se molekula e hemit nxit formimin e N-nitroso komplekseve, të cilat janë shumë toksike dhe potencialisht karcinogjene. Ndërsa, hekuri ndikon ne formimin e radikalëve të lirë reaktiv, të cilët mund të dëmtojnë ADN-në dhe të nxisin mutacione karcinogjene. Gjithashtu, hekuri stimulon çlirimin e substancave pro-inflamatore të cilat nxisin formimin e enëve të gjakut (të cilat mund të ndikojnë në furnizimin me gjak të një tumori).

Një mënyrë për të shmangur këtë risk është ndjekja e disa praktikave të vjetra të cilat largojnë gjakun nga mishi para se ta gatuajnë - edhe kjo një këshillë praktikë për t`u shtuar në dietën tuaj kundër kancerit.


Si përfundim, ajo çka duhet të kuptojmë është se të gjitha informacionet që na prezantohen duhen parë nga një perspektive kritike. Është e rëndësishme të kuptojmë më shumë mbi llojin e studimit, vendin ku është kryer studimi, faktorët që janë marrë në analizë dhe çfarë mund të ketë ndikuar rezultatet. Mbi të gjitha, asnjëherë nuk duhet të harrojmë se kanceri është një sëmundje multi-faktoriale, ku dieta përbën vetëm 20% të faktorëve të cilët mund të ndikojnë në zhvillimin e tij.

Kleida Mati
Onkologe - MIA Clinic



Rekomandimet e fundit mbi stilin e jetesës dhe parandalimin e kancerit