Për shumë njerëz ideja e të mbajturit në ndjekje një kancer i cili është diagnostikuar në kohë, kur ende është e mundur të kryhet nje ndërhyrje kirurgjikale, mund të duket e guximshme dhe shpesh e paarsyeshme.

Kur bëhet fjalë për kancerin e prostatës, mundësia e të mbajturit në ndjekje me kontrolle periodike, nuk është ndër opsionet më të prëferuara kur diskutohet trajtimi, edhe pse është një ndër opsionet në protokollet e trajtimit.

“Kur diskutohet për kancerin, mbizotëron mendësia se të bësh diçka është më mirë se të mos bësh asgjë.” thotë Dr. Kleida Mati, onkologe në MIA Clinic.

Për këtë arsye, shumë burra me kancer prostate me risk të ulët, që ndoshta kurrë nuk do kishin qenë të rrezikuar nga kanceri i prostatës, i janë nënshtruar trajtimeve invazive si prostatektomisë radikale, ku prostata dhe indet përreth hiqen kirurgjikalisht ose radioterapisë, ku rreze me energji të lartë përdoren për eliminimin e qelizave tumorale.

Edhe pse të dy llojet e sipërpërmendura të trajtimit janë efikase në trajtimin e kancerit të prostatës, ato shpesh mbartin efekte anësore të cilat mund të zgjasin shumë në kohë, duke përfshirë inkontinencën urinare dhe disfunksionin erektil.

Sipas protokolleve të trajtimit të kancerit të prostatës me risk të ulët, mbajtja në ndjekje duhet të jetë një zgjedhje e barabartë me prostatektominë dhe radioterapinë, sepse është parë se mbijetesa mesatare ndërmjet këtyre tre grupeve nuk ndryshon.

Definicioni për “risk të ulët” do të thotë që tumori është i lokalizuar në prostatë, ka një pikëzim Gleason më pak se 7 dhe PSA më të ulët se 10ng/ml. Rreth 20% e burrave të diagnostikuar me kancer prostate është në këtë kategori.

Kirurgjia nuk e rrit mbijetesën


Ndryshimet në protokollet e trajtimit kanë ardhur pasi studimet treguan se nuk kishte ndryshim në mbijetesë ndërmjet prostatektomisë, radioterapisë dhe ndjekjes aktive.

“Në fakt, për arsye se ndjekja aktive nuk ka efekte anësore mund ta kthej atë në zgjedhjen më të preferuar për personat me kancer prostate me risk të ulët” thotë Dr. Kleida.

“Ndjekja aktive duhet të bëhet me analiza të PSA ëdo 3 deri në 6 muaj; ekzaminim rektal DRE dhe rezonancë magnetike çdo 1 ose 2 vjet dhe biopsi të prostatës çdo 2 deri në 4 vjet. Trajtimi fillohet vetëm nëse shihet se sëmundja po progreson.” shton Dr. Kleida.

Megjithatë, edhe pse protokollet janë të qarta, shumë pacientë ndihen nervoz me mbajtjen në ndjekje dhe zgjedhin trajtim radikal edhe pse risku për progres është shumë i ulët.

“Diagnoza e kancerit është shumë ë stigmatizuar dhe me të drejtë shumë njerëz nuk mund të pranojnë idenë e të mos bërit asgjë. Por duhet diskutuar me ta hollësisht gjithë opsionet e trajtimit duke ju siguruar se nuk është e nevojshme t`i nënshtrohen trajtimit radikal dhe efekteve të padëshiruara qe ai mbart.” shprehet doktoresha.

Pavarësisht të gjithë fakteve, disa njerëz duan ta mbyllin historinë e tyre me kancerin e prostatës dhe zgjedhin trajtimin radikal, pavarësisht efekteve anësore.

Dr. Kleida Mati thotë “Secila nga zgjedhjet mbart një lloj risku. E rëndësishme është të diskutohen me pacientin gjithë opsionet e trajtimit dhe cilat do të ishin përfitimet nga secili. Kur pacienti është i mirë informuar, në bashkëpunim me mjekun mund të marr vendimin e duhur në lidhje me planin e trajtimit."



Lexo më shumë:


Kanceri i prostatës - A jeni të rrezikuar?