Nëse jeni diagnostikuar me një fibroadenome, nuk duhet të frikësoheni. Nuk është kancer. Këto formacione janë ndër sëmundjet më të shpeshta beninje të gjirit. Në shumicën e rasteve ato mund të reduktohen dhe zhduken pa nevojën e ndërhyrjeve mjekësore.


Çfarë janë fibroadenomat?


Fibroadenomat janë tumore beninje të gjirit, të cilat ndryshe nga kanceri i gjirit që zmadhohet dhe mund të përhapet në organe të tjera, fibroadenomat edhe nëse zmadhohen qëndrojnë në gji. Shkaku i formimit të tyre është i lidhur kryesisht me hormonet femërore, duke qenë se ato shfaqen nga mosha 15-35 vjeç, gjatë shtatëzënisë ose gjatë trajtimit me estrogjen dhe zhduken pas menopauzës.

Në përgjithësi ato janë të vogla, nga 1-2 cm dhe rrallë herë kalojnë 5 cm.

Zakonisht, fibroadenomat nuk shkaktojnë dhimbje dhe shpesh mund t`i ndjeni si nje formacion I lëvizshëm poshtë lëkurës.




Cilat janë simptomat?


Meqenëse, zakonisht nuk shkaktojnë dhimbje, ajo çfarë mund të ndjeni si fillim është vetëm prania e një formacioni në gji. Në shumë raste, për shkak të përmasave të vogla, ato evidentohen vetëm pas kryerjes së një eko gjiri apo mamografie rutinë. Ndryshe nga kanceri i gjirit, fibroadenomat nuk shkaktojnë ënjtje të gjirit, skuqje ose irritim në gji.

Kush preket nga fibroadenoma?


Fibroadenomat janë shumë të shpeshta. Shume gra nuk e dinë që mund të kenë një fibroadenomë, pasi shpesh ato janë të vogla dhe te vështira për t`i identifikuar me vetekzamimin. Ato më shpesh shfaqen në moshën nga 15-35 vjeç, gjatë shtatëzënisë dhe ushqyerjes me gji. Disa studime kanë treguar se gratë të cilat kanë histori familjare me kancer gjiri, janë më shumë të predispozuara për të pasur fibroadenomë. Në përgjithësi ato shfaqen si formacione solitare, por në 10-15% të grave me fibroadenomë, ato mund të jenë më të shumta në numër dhe mund të rishfaqen.


Si diagnostikohen fibroadenomat?


Nëse ndjeni një formacion në gji, duhet të konsultoheni menjëherë me një mjek. Mjeku do të kryej një ekzaminim fizik dhe më pas do të kryej edhe ekzaminimet e nevojshme imazherike. Në varësi të moshës, mund të jetë e domosdoshme kryerja e një eko gjiri apo mamografie.

Në bazë të rezultateve të ekzaminimeve imazherike, mjeku do të vendos nëse do të duhet edhe kryerja e një biopsie për konfirmim të diagnozës.


Si trajtohen fibroadenomat?


Nëse fibroadenoma është me përmasa të vogla mund të mbahet në ndjekje, shpesh ndodh që ato të reduktohen me kohen dhe në këto raste nuk është e nevojshme të kryhet një ndërhyrje kirurgjikale.

Po ashtu, nëse fibroadenoma shfaqet gjatë shtatëzënisë ose gjatë ushqyerjes me gji, rekomandohet të mbahet në ndjekje, deri sa niveli hormonal të rikthehet në nivel normal.

Nëse fibroadenoma rritet me kohën, mjeku mund t`ju rekomandoj ndërhyrjen kirurgjikale. Në këtë mënyrë do të konfirmohej plotësisht nëse është një fibroadenomë.


Çfarë rekomandohet për ndjekjen në vazhdim?


Shumica e grave nuk kanë nevojë për asgjë më shumë se testet depistuese rutinë. Megjithatë kjo varet nga madhësia dhe lloji i fibroadenomës, ndaj shpesh mjeku vlerësues përcakton dhe mënyrën dhe shpeshtësinë e vizitave ne vazhdim.

 Fibroadenomat rrisin lehtësisht riskun për kancer gjiri, por nëse nuk keni histori familjare me kancer gjiri apo faktorë të tjerë të njohur risku, mundësia për kancer gjiri është e ulet.

Megjithatë, është e rëndësishme të ndiqen me rigorozitet vizitat te mjeku dhe ekzaminimet depistuese, pavarësisht riskut individual për zhvillim të kancerit të gjirit.

Për të lexim të mëtejshëm:


Roli i dietës në kancerin e gjirit