Çfarë është kanceri i mitrës?


Kanceri i mitrës ndodh kur qeliza normale të mitrës shndërrohen në qeliza malinje, të cilat rriten dhe shumohen në mënyrë të pakontrolluar. Mitra përbehet nga dy shtresa, shtresa e brendshme - hollë dhe shtresa e jashtme - e trashë (Figura 1.).
Figura 1.


Janë disa lloje të ndryshme të kancerit të mitrës, por shumica e tyre e kanë fillesën në shtresën e brendshme të mitrës. Kanceri i mitrës mund të zhvillohet te gratë e çdo moshe, por është më i shpeshtë te gratë pas menopauzës.


Cilat janë simptomat e kancerit të mitrës?


Simptomat më të shpeshta të kancerit të mitrës janë hemorragji vaginale, që do të thotë:

- Hemorragji ndërmjet cikleve menstruale (pra, jo gjatë periodave)
- Menstruacione më të shtuara se zakonisht
- Hemorragji në gratë pas menopauzës

Këto simptoma mund të shkaktohen edhe nga gjendje të tjera jo të lidhura me kancerin e mitrës. Por nëse keni ndonjë prej këtyre simptomave, duhet të konsultoheni menjëherë me gjinekologun.

A ka një ekzaminim për kancerin e mitrës?


Po. Nëse keni hemorragji vaginale, gjinekologu do të kryej një biopsi. Gjatë biopsisë, merret një mostër e vogël nga indi i mitrës dhe më pas shihet nën mikroskop për praninë ose jo të qelizave malinje.

Gjithashtu, mund të kryhet edhe një eko për të matur trashësinë e murit të mitrës.

Çfarë është stadifikimi i kancerit?


Stadifikimi i kancerit është një mënyrë që mjekët e përdorin për të përcaktuar shkallën e përhapjes së kancerit.

Trajtimi i duhur për ju do të varet nga stadi i kancerit dhe ritmi i tij i rritjes. Trajtimi gjithashtu varet edhe nga mosha e pacientes dhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Si trajtohet kanceri i mitrës?


Shumica e grave me kancer të mitrës i nënshtrohen kirurgjisë për heqjen e mitrës, vezoreve dhe tubave që lidhin vezoret me mitrën (tubat e fallopit). Kjo kirurgji quhet histerektomi. Gjatë kirugjisë, kirurgu sheh nëse zona të tjera ose organe përreth mund të jenë prekur nga kanceri.

Disa gra nuk do të kenë nevojë për trajtim të mëtejshëm pas histerektomisë, ndërsa të tjera mund të kenë nevojë për:

Kimioterapi
- Trajtm me barna për të eliminuar qelizat e mbetura tumorale.

Radioterapi - Trajtimi me rreze për të eliminuar qelizat e mbetura tumorale.

Çfarë ndodh pas trajtimit?


Pas trajtimit, fillojnë kontrollet periodike. Kontrollet periodike përfshijnë vizitën me mjekun onkolog dhe gjinekolog si dhe ekzaminime imazherike dhe analiza gjaku.

Gjithashtu duhet të jeni të vëmendshëm për gjakderdhje vaginale, dhimbje barku ose kollë që nuk përmirësohet. Flisni me mjekun tuaj nëse vini re ndonjë prej simptomave të përmendura pasi ato mund të jenë një shenjë e rikthimit të sëmundjes.

Çfarë ndodh nëse sëmundja rikthehet?


Nëse sëmundja rikthehet ose përhapet në pjesë të tjera të trupit, mund t`i nënshtroheni trajtimit me kirurgji, rrezatim ose kimioterapi.

Çfarë tjetër duhet të di?


Është shumë e rëndësishme të ndiqen gjithë këshillat dhe instruksionet e mjekut kurues, në lidhje me vizitat, testet e domosdoshme dhe rekomandime të tjera. Është e rëndësishme po ashtu, të flisni me mjekun tuaj për çdo efekt anësor apo shqetësim që jeni duke përjetuar gjatë trajtimit.

Sa herë qe ju rekomandohet një trajtim, mos harroni të pyesni për:

- Cilat janë përfitimet nga trajtimi?
- A do të më japë mundësinë te jetoj më gjatë?
- A do të reduktojë apo parandalojë simptomat?
- Cilat janë efektet anësore të trajtimit?
- A ka opsione të tjera përveç trajtimit?
- Çfarë ndodh nëse nuk mjekohem?


Kanceri i vezoreve - Çfarë duhet të dimë?