Qelizat kanceroze janë unike për këdo që diagnostikohet me këtë sëmundje. Kjo është arsyeja pse trajtime të reja për kancerin e mushkërisë shënjestrojnë pjesë specifike të gjeneve ose të sistemit imunitar, të cilat ndryshojnë ose pësojnë mutacione.

Ky lloj i ri trajtimi, i quajtur imunoterapi, ndihmon sistemin tuaj imunitar për të luftuar kancerin, në të njëjtën mënyrë siç lufton infeksionet e ndryshme virale apo bakteriale.

Nxitja e sistemit imunitar


Rruazat e bardha të gjakut përbëjnë përgjigjen kryesore kundër mikroorganizmave ose qelizave jo normale - si ato që shkaktojnë kancer. Një tjetër mënyrë se si trupi ynë i lufton sëmundjet është me anë të antigjeneve.

Që nga viti 1970, studiuesit janë duke kërkuar për mënyra se si të ndihmojnë sistemin imunitar për të luftuar kancerin. Mjekët mendojnë se trupi ynë i konsideron qelizat kanceroze si të huaja në fillim dhe i lufton ato. Por, me kalimin e kohës, ashtu si insektet që zhvillojnë rezistencë ndaj pesticideve, edhe qelizat kanceroze ndryshojnë. Ato kthehen si në “të padukshme” ose “normale” për sistemin tonë imunitar dhe në këtë mënyrë, nuk luftohen më nga trupi ynë.

Imunoterapia ka për qellim të rikthej betejën kundër qelizave kanceroze - duke i eliminuar ato përfundimisht. E bën këtë në dy mënyra:

- Ndihmon sistemin imunitar të punoj më shumë
- Vendos një shenjë në qelizat kanceroze, në mënyrë që ato të bëhen të identifikueshme nga sistemi ynë imunitar

Kush mund të trajtohet me imunoterapi?


Për një kohë të gjatë, mjekët mendonin se imunoterapia nuk do të funksiononte për kancerin e mushkërise. Por vitet e fundit ka patur zhvillime shumë premtuese në këtë drejtim.

Dikur, opsionet e trajtimit për kancerin pulmonar kanë qenë shumë të limituara. Ato përshfinin kirurgjinë, kimioterapinë dhe rrezatimin. Por fatkeqësisht, kanceri i mushkërisë shpesh diagnostikohet në faza të vona, kur sëmundja është e avancuar, çka i redukton edhe më shumë opsionet e trajtimit. Por tashmë, imunoterapia dhe terapitë e targetuara janë kthyer në forma të zakonshme dhe shumë të rëndësishme të trajtimit. Megjithatë, në Shqipëri, trajtimi me imunoterapi dhe terapi të targetuara është ende jo i mundshëm gjerësisht.


Cilat lloje trajtimi janë të aprovuara?


Disa lloje trajtimi janë të aprovuara nga institucione ndërkombëtare si FDA ose EMA, shumë të tjera janë ende në faza studimore. Janë disa lloje trajtimi imunoterapie të aprovuara ose testuara në kancerin e mushkërisë:

Inhibitorët Checkpoint: Sistemi ynë imunitar është i balancuar në mënyrë të tillë që mos të jetë i hiperstimuluar dhe të sulmojë qelizat tona normale. Tumoret që prodhojnë një proteinë të quajtur PD-L1 shfrytëzojnë këtë veti të sistemit imunitar dhe e ngadalësojnë atë. Inhibitorët checkpoint veprojnë pikërisht duke ri-nxitur sistemin imunitar të identifikojë tumoret prodhuese te PD-L1 dhe t`i luftojë ata.

Antitrupat monoklonalë: Trupi ynë prodhon antitrupa për të luftuar substancat e huaja. Antitruptat monoklonalë prodhohen në laborator por funksionojnë në mënyrë të ngjashme me antitrupat e prodhuara nga trupi qe luftojnë qelizat kanceroze.

Vaksinat: Vaksinat mund të parandalojnë ose trajtojnë sëmundjen. Nuk janë ende të aprovuara nga FDA ose EMA, por disa prej tyre janë duke u testuar në studime të ndryshme.

Cilat barna përdoren deri më tani?


Barnat e aprovuara për përdorim në pacientët me kancer të mushkërisë janë:

Atezolizumab (Tecentriq)

Durvalumab (Imfinzi)

Nivolumab (Opdivo)

Pembrolizumab (Keytruda)

Antitrupat monoklonalë të aprovuar për trajtim të kancerit të mushkërisë përfshijnë bevacuzimabin (Avastin) dhe ramucirumabi (Cyramza). Këto barna pakësojnë nutrientët që nxisin krijimin e enëve të gjakut që mundësojnë rritjen e tumorit. Të tjera barna të ngjashme janë shumë u testuar në studime klinike.

Si merren këto barna?


Në përgjithësi, këto barna merren në mënyrë intra-venoze. Trajtimi mund të bëhet gjatë hospitalizmit ose ambulatorisht. Efektet anësore vijnë si pasojë e mbi-nxitjes së sistemit imunitar. Ato mund të jenë:

- Ethe/temperaturë
- Lodhje
- Rash
- Diarre
- Dhimbje në kyçe dhe muskuj
- Nauze/te vjella

Ndonjëherë këto barna funksionojnë më shumë seç duhet dhe sistemi imunitar stimulohet më shumë. Kjo mund të çojë në efekte anësore serioze si inflamacion në mushkëri, mëlçi, veshka, tiroide, hipofizë ose të shkaktojë çrregullime autoimune që dëmtojnë organe ose gjëndra. Në këto raste, duhet njoftuar sa më shpejtë mjeku kurues, pasi sa më shpejt këto çrregullime trajtohen aq më e thjeshtë është të kalohen.

Imunoterapia është një ndër trajtimet më premtuese të dekadave të fundit. Tashmë është një armë efektive në luftën kundër kancerit të mushkërisë e cila nga viti në vit po përmirësohet.

Rishikuar nga Dr. Kleida Mati - Nëntor 2020