Barnat që përdoren për trajtimin e kancerit fokusohen kryesisht në lokalizimin e tumorit në trup. Përveç eliminimit të qelizave kanceroze, këto barna dëmtojnë edhe një pjesë të qelizave të shëndetshme.

Duke qenë se trajtimi i kancerit me modelitetet e deritanishme të trajtimit si kimioterapia, radioterapia dhe kirurgjia, jo gjithmonë japin efektet e dëshiruara, përpjekjet janë të vazhdueshme për forma të tjera të trajtimit. Një ndër fushat më në zë, ku është zhvendosur edhe fokusi i studimeve mbi trajtimin e kancerit është mjekësia e preçize. Pra, trajtimi i kancerit sipas disa karakteristikave gjenetike që ai mbart.

Dita që kanceri do të trajtohet në këtë mënyrë, ku çdo person do të marrë trajtim të ndryshëm për tumorin që ka, edhe pse lokalizimi i tumorit mund të jetë i njëjtë, është shumë afër.

“Me një trajtim të mirë-përshtatur (personalizuar), barnat mund të targetojnë më mirë qelizat kanceroze, pa dëmtuar qelizat e shëndetshme. Kjo përkthehet në rezultate më të shpejta të trajtimit dhe me më pak efekte anësore.”, thotë Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe në MIA Clinic.

Dr. Mati
i përgjigjet disa pyetjve në lidhje më të rejat më të fundit në këtë fushë të trajtimit të kancerit.

Cilat barna mund të përdoren në trajtimin e tumoreve sipas mutacioneve gjenetike?


Deri më tani janë aprovuar rreth 50 barna që targetojnë muatacionet gjenetike në tumor. Njëkohësisht janë duke u zhvilluar studime për qindra barna të tjera që do të mund të përfshihen në trajtimin e personalizuar të kancerit.

Disa prej këtyre barnave kanë dhënë rezultat të shkëlqyera. Sot e kësaj dite ka persona që nuk do të ishin gjallë nëse nuk do të ishin trajtuar me këto barna. Dhe çdo ditë që kalon, mundësia e përdorimit të këtyre barnave rritet edhe më shumë, edhe për vende në zhvillim si Shqipëria.

Disa prej këtyre barnave si fillim, arritën të aprovoheshin vetëm për një lloj tumori me lokalizim specifik. Psh, mund të përmendim rastin e Pembrolizumabit (Keytruda), i cili si fillim u aprovua vetëm në pacientët me melanomë dhe kancer të mushkërisë. Por më pas FDA, e aprovoi Pembrolizumabin për përdorim në çdo tumor solid metastatik me disa karakteristika specifike molekulare.

Pembrolizumabi është një bar që hyn në klasën e barnave të imunoterapisë, të cilat si mekanizëm veprimi ndihmojnë sistemin imunitar që të luftojë qelizat kanceroze.


Për cilët lloje kanceri duhet të kryhen analiza gjenetike?


Analizat gjenetike duhet të jenë rutinë për pacientët me kancer të mushkërisë, kolonit dhe melanomës. Por, me zbulimin e barnave të reja, plot lloje të tjera kanceri po shtohen në listë për kryerje të analizave gjenetike. Parashikimi është që në 10 vitet e ardhshme, të gjitha llojet e kancerit do t`i nënshtrohen analizave gjenetike rutinë. Analizat gjenetike tashmë mund rekomandohet edhe për disa pacientë me kancer gjiri dhe ovari.

Për të kryer analizat gjenetike, shpesh mjafton materiali i marrë në biopsinë e parë, por kjo varet shume edhe nëse madhësia e materialit të marrë në atë biopsi mjafton për të kryer testet e nevojshme.

 Si shkaktohen mutacionet gjenetike?


Shpesh pacientët pyesin se si shpjegohet mutacionet gjenetike kur në familje nuk kane patur askënd të sëmurë me kancer. Por kanceri është një sëmundje multifaktoriale, një kombinim i rastësisë, gjeneve të trashëguara dhe stilit të jetesës. Nëse pini duhan ose ekspozoheni ndaj rrezatimit të dëmshëm psh., rrisni probabilitetin të shkaktoni mutacione gjenetike që mund të çojnë në zhvillim të kancerit.

Trupi ynë vazhdimisht krijon qeliza të reja - qeliza të shëndetshme por edhe qeliza me “defekt”. Në disa raste, këto defekte që i njohim si mutacione, janë të pa dëmshme dhe shfaqen për syrin tonë më ndryshime si në ngjyrën e flokëve apo të ndonjë tipari tjetër. Të tjera mutacione, mund të jenë shumë të dëmshme, aq sa të kenë potencialin të shkaktojnë kancer.

Përpjekjet për trajtimin e kancerit janë që ta eliminojmë atë me sa më pak efekte anësore dhe testet gjenetike janë duke hapur një derë në këtë drejtim.
Imunoterapia - e ardhmja e trajtimit të kancerit