Si kirurge-onkologe që jam, merrem çdo ditë me paciente me kancer gjiri. Por kur dëgjova për herë të parë se edhe vetë vuaj nga kanceri i gjirit, u gjenda në një shok total. Ishte viti 2017. Askush nuk e ndjen veten të përgatitur të përballet me këtë diagnozë.

Zbulova një gjëndër në gjirin tim të djathtë gjatë një vet-ekzaminimi rutinë që bëja. Fillimisht mendova se duhet të ishte ndonjë kist ose fibroadenomë, meqenëse nuk kisha histori familjare për kancer gjiri.

Por kur e pashë që nuk po largohej brenda pak javëve, vendosa të bëj një sërë ekzaminimesh dhe një biopsi. Ngela pa fjalë kur më morën në telefon dhe më thanë që ishte kancer gjiri.

Si çdo grua, nuk e prisja fare këtë lajm. Ashtu si unë, u befasuan edhe familjarët edhe miqtë e mi. Burri im, motra dhe prindërit janë mjekë, çka e bënte më të thjeshtë bisedën dhe diskutimet me ta. Megjithatë, në anën tjetër, ata e dinin saktësisht atë që më priste dhe çfarë do më duhej të kaloja me trajtimin.

Pas diagnostikimit, menjëherë fillova të analizoj gjithë opsionet e mia dhe të ndërtoj një plan. Gjatë punës time kam parë rezultate të ndryshme të kirurgjisë për kancer gjiri, nga shenja shumë të dukshme në vendin ku është kryer operacioni deri në shenja pothuajse të padukshme, kur nuk mund të kuptohej kurrë që aty ishte kryer një ndërhyrje. Mbi të gjitha, e dija që kisha nevojë për mbështetje psikologjike dhe emocionale, për mos t`i kujtuar vetes çdo ditë që vuaj nga kanceri i gjirit.

Si përfundim, vendosa të bëj një tumorektomi dhe kirurgji onkoplastike - që përfshin edhe rikonstruksionin e një ose të dy gjinjve në kohën që hiqet masa tumorale - kjo për të minimizuar shenjën dhe ndryshimet fizike post-operatore.

Pa dyshim që, prioriteti im ishte të eliminoja kancerin dhe të sigurohesha që nuk do të mund të rikthehej, ose të paktën të minimizoja shanset e rikthimit të sëmundjes me aq sa është e mundur. Doja të isha aty për fëmijët dhe burrin tim.

Por gjithashtu, shumë e rëndësishme për mua ishte edhe të minimizoja ndikimin që do të kishte kirurgjia në trupin tim.

Nuk reshtja t`i përsërisja vetes atë që ju thosha gjithë pacienteve të mia: jemi në vitin 2017, tashmë ka opsione trajtimi.

Edhe pse mbijetesa është gjëja më e rëndësishme, do të doja shumë që të gjitha gratë të kuptonin se po aq e rëndësishme është edhe cilësia e jetës pas diagnozës dhe trajtimit. Duke e ditur se tashmë, shumica e grave i mbijetojnë diagnozës së kancerit të gjirit - do të thotë që efektet anësore të trajtimit, qoftë ato afat-shkurtra ose afat-gjata kanë rëndësi, sepse ndoshta do të na duhet të jetojmë me to për një kohë të gjatë. Rruga e trajtimit të kancerit të gjirit nuk është e lehtë - ajo mbart traumë emocionale, psikologjike, ashtu si dhe ndryshime fizike.

Kur isha duke vendosur për llojin e kirurgjisë që do t`i nënshtrohesha, kujtova një mikeshën time që kishte kryer mastektomi (heqje totale e gjirit), e cila më tha se pas ndërhyrjen nuk e ndjente më gjirin e rikosntruktuar, të cilin e ndjente vazhdimisht të mpirë.

Si një grua e re që përballej me këtë diagnozë, mendova të kaloja gjithë jetën time me këtë ndjesi, dhe kjo më tmerronte. Kjo më bëri të mendoj se ndoshta mastektomia nuk ishte opsioni më i përshtatshëm për mua.

Por unë, isha e mirë-informuar për probabilitetin e humbjes së ndjesive pas një mastektomie, por shumë gra nuk e dinë dhe e kuptojnë këtë kur është tepër vonë.

Mpirja mund të prek një sipërfaqe të konsiderueshme të kraharorit - duke e bërë të pamundur të ndjejmë prekjen apo temperaturën. Pra, edhe pse keni hequr një peshë të rëndë për sa i përket eliminimit të tumorit, efekte anësore të rëndësishme mund të mbeten aty.

Pasi përfundova trajtimin me kirurgji dhe radioterapi, isha me fat që trupi im nuk ndryshoi nga ai që ishte para operacionit, çka më ndihmoi shumë të shërohesha edhe psikologjikisht. Por unë e di, që kjo nuk ndodh për çdo grua.

Shpresoj shumë që një ditë të kemi një mënyrë për të parandaluar kancerin e gjirit, që askush mos të kaloj në këtë rrugëtim. Por deri atëherë, është shumë e rëndësishme që të gjitha gratë që përballen me këtë diagnozë, të njihen me gjithë opsionet e trajtimit dhe efektet anësore afat-shkurtra dhe afat-gjata që ato mbartin. Vetëm kështu do të jenë të përgatitura të marrin vendimin e duhur dhe përballen më së miri me diagnozën dhe jetën pas diagnozës.

Koha e trajtimit vlen për mbijetesën nga kanceri i gjirit.