Me herët mendohej se fëmijët thjesht e humbisnin ADHD-në ndërkohë që zhvillohen e rriten. Por, tani e dimë që edhe pse ADHD fillon në fëmijëri, simptomat shqetësuese mund të vazhdojnë edhe në adoleshencë e më tej – përgjatë jetës së njeriut. Ndërkohë që duket sikur disa fëmijë e tejkalojnë çrregullimin (ose nuk kanë më simptoma që çojnë në dëmtim të funksionimit), pjesa më e madhe e fëmijëve me ADHD rriten si adultw me ADHD.

Edhe pse ADHD ka natyrë kronike, simptomat mund të shfaqen në mënyra të ndryshme përgjatë stadeve të ndryshme të jetës. Këto simptoma mund edhe të pakësohen me rritjen e individit – për shembull, hiperaktiviteti dhe nervozizmi mund të pakësohet me moshën.

ADHD-ja vazhdon të jetë e pranishme edhe në moshë të rritur


Studimet tregojnë se ndërkohë që simptomat mund të ndryshojnë me rritjen e moshës, njerëzit që kanë ADHD në fëmijëri zakonisht do të vazhdojnë të jenë të prekur prej kësaj gjendjeje edhe në moshë të rritur. Një studim që ndoqi fëmijët e diagnostikuar me ADHD edhe në moshë të rritur, gjeti se:

29% e njerëzve të diagnostikuar me ADHD në fëmijëri shfaqnin simptoma në moshë të rritur

81% e të rriturve me ADHD kishin gjithashtu të paktën edhe një çrregullim tjetër psikiatrik

Çrregullimet bashkëshoqëruese më të zakonshme, që u vunë re në moshë të rritur, përfshinin abuzimin me substancat, ankthin dhe depresionin.

Nga të gjithë fëmijët që morën pjesë në studim, vetëm 37.5% e tyre ishin pa simptoma ose pa pasoja negative në moshë të rritur. Rezultoi gjithashtu se pjesëmarrësit kishin më shumë rrezik për të përfunduar në burg dhe për të kryer vetëvrasje në moshë të rritur.


I diagnostikuar në moshë të vonë


Shumë njerëz me ADHD mund të mos diagnostikohen me ADHD deri në adoleshencë apo në moshë të rritur. Kjo është veçanërisht e vërtetë për ata me simptoma të mungesës së vëmendjes, të cilat janë më pak të dukshme krahasuar me simptomat e hiperaktivitetit dhe impulsivitetit.

Gratë dhe vajzat, në veçanti, kanë më shumë gjasa që të përjetojnë llojin e ADHD-së me pamjaftueshmëri të vëmendjes. Kjo shpesh nënkupton që ato diagnostikohen me vonesë. Studimet tregojnë se meqë këto simptoma bien më pak në sy, vajzat mund të zhvillojnë disa strategji të përballjes me to në mënyrë që t’i fshehin simptomat e tyre.

Ndonëse individët kanë menaxhuar me sukses simptomat në fëmijëri, vitet e adoleshencës dhe më vonë do të sillnin një rritje të kërkesave që kërkojnë vëmendje, planifikim, organizim dhe vetë-menaxhim, që e bëjnë bashkëjetesën me ADHD-në shumë të vështirë.

Njerëzit, të cilët janë diagnostikuar në adoleshencë apo në moshë të rritur ndjejnë një farë lehtësimi kur diagnostikohen, gjë që flet për prani sfidash përgjatë jetës. Është shpesh lehtësuese të mësosh se ka trajtime mjekësore, ashtu edhe strategji që mund të sjellin një ndryshim pozitiv. Për më tepër, të paturit e një diagnoze mund të hapë një derë për biseda të frytshme me prindërit, shokët dhe bashkëjetuesit.

Adoleshentë me ADHD


Adoleshentët me ADHD të pa trajtuar kanë pak mjete dhe burime për të menaxhuar simptomat. Si pasojë, ata janë më të prirur se bashkëmoshatarët e tyre, për të patur vështirësi në mbarëvajtjen e shkollës apo të veprimtarive jashtëshkollore. Ashtu si adoleshentët e tjerë, adoleshentët me ADHD fillojnë të largohen nga familjet dhe të bëhen më të pavarur - por me më pak vetëpërmbajtje, adoleshentët me ADHD janë më të prirur për t’u përfshirë në sjellje të rrezikshme.

Të gjitha këto sfida mund të çojnë në dëmtime dhe/ose në ulje të vetëvlerësimit. Adoleshentët me ADHD të pa trajtuar janë më të prirur për të përjetuar aksidente automobilistike, të kenë rezultate më të ulëta akademike, probleme me marrëdhëniet shoqërore, madje edhe abuzim me substancat.

Të rriturit me ADHD


Studiuesit kanë gjetur se ndryshimet strukturore në tru vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në moshë të rritur, madje dhe në rastet kur njerëzit që më parë ishin diagnostikuar me ADHD nuk plotësojnë më kriteret diagnostike për këtë çrregullim. Këto gjetje tregojnë se ndërkohë që me rritjen e moshës simptomat e ADHD bëhen më pak të dukshme, gjithësesi individët mund të përjetojnë një shumëllojshmëri ndryshimesh neurologjike, të cilat mund të ndikojnë mbi sjelljen e tyre.

Simptomat në moshë të rritur mund të jenë më të shumëllojshme dhe të paraqiten në forma më të zbutura – mund të përmendim disa shembuj:

- Çorganizim
- Vendimmarrje impulsive
- Ndjesi parehatie e brendshme
- Mungesë vëmendjeje
- Zvarritje e gjërave

Simptomat te të rriturit mund të jenë të ndryshueshme dhe të pranishme në formë më të zbutur – për shembull, ndjesi parehatie, vëmendje e shpërndarë, çorganizim, marrje impulsive e vendimeve etj. Edhe pse simptomat mund të jenë më pak të dukshme, ato sjellin po aq dëmtime. Për shembull, të rriturit me ADHD mund të hasin vështirësi në menaxhimin e detyrave në punë ose mund të përgjigjen impulsivisht ndaj disa situatave, të cilat kërkojnë vetëpërmbajtje dhe takt. Kjo mund të çojë në ndërrim të shpeshtë të punëve ose papunësi. Ata mund të kenë edhe vështirësi në ruajtjen e shoqërive afatgjata dhe marrëdhënieve romantike.


I diagnostikuar me ADHD, ky fëmijë ua kaloi të gjithë bashkëmoshatarëve në provime