A ju ka ndodhur që me fillimin e vitit shkollor të rikthehet dhimbja e kokës te fëmija juaj?

Shkolla nuk është e vetmja gjë që fillon në vjeshtë. Për shumë fëmijë stresi i rikthimit në klasë risjell dhimbje kokës dhe shqetësimin që ajo shkakton. 

“Është e zakonshme për prindërit që menjëherë të dëgjojnë fëmijët të ankohen për dhimbje koke në këtë periudhë të vitit”, thonë neuropediatrët. Cfarë e shton stresin tek fëmijët është ndryshimi i orareve të ditës së bashku me trysninë shoqërore dhe akademike.

2 modelet më të zakonshme të dhimbjes së kokës


Fëmijët janë të prekshëm nga migrena si dhe nga dhimbjet tensive ose kronike.

Migrena:


Prindërit mund të dallojnë me lehtësi dhimbjen migrenoze që po afrohet tek fëmija. Shenja të kësaj dhimbjeje të kokës të ashpër dhe rastësore janë:

- Zbehtësi në fytyrë
- Sillet si i bezdisur
- Shqetësohet nga drita dhe zhurma
- Refuzon ushqimin, ka të përzjera dhe të vjella

Për shumicën e fëmijëve, migrena përfundon brenda 2 orëve vetë ose me ndihmën e analgjezikëve të thjeshtë si ibuprofeni. Shumica e fëmijëve kërkojnë të flenë, gjë që ndihmon në përfundimin e episodit të migrenës.

Dhimbja Tensive ose Kronike e kokës


Këto janë dhimbje jo të forta, të shpeshta, thuajse ditë për ditë dhe nuk shkaktojnë të përziera ose të tjera simptoma si të migrenës dhe zakonisht zgjasin më shumë se 1 ditë.

Rreth 1% e të rinjve vuajnë nga dhimbjet e kokës kronike. Këta të rinj duket të jenë ekstremisht të ndjeshëm ndaj fillimit të shkollës dhe ngarkesa e stresi që sjell kjo e fundit duket se përjetohen në mënyrë të ekzagjeruar. Mjekët shpesh raportojnë një rritje të dukshme të numrit të pacientëve të moshës shkollore me dhimbje koke në javët e para të shkollës. 

Çfarë mund të bëjnë prindërit?


Mësojuni fëmijëve stile të jetës së shëndetshme. Sapo vëreni që dhimbja e kokës së fëmijës tuaj po fillon ta shqetësojë shpesh analizoni me hollësi zakonet e jetës së përditshme.

Për të zvogëluar mundësinë që dhimbja e kokës t`i shfaqet bëni këto ndërhyrje të fëmija:

- Jepini të hajë tre vakte në ditë shoqëruar me “mes-vakte” të lehta e të shëndetshme.
- Inkurajojini të pinë të paktën 6-8 gota me ujë në ditë.
- Nxitini të jenë aktivë fizikisht dhe të kryejnë ushtrime fizike të paktën 3 herë në javë
- Të bëjnë gjumë të mirë dhe të paktën 8 orë në natë
- Shtojini ushqyerjes së fëmijës fruta dhe perime, me drithëra dhe proteina bimore

Kujdes, mbani shënime sa herë i përdorni antidolorantë fëmijës tuaj. Mjekët sugjerojnë përdorim të kufizuar të preparateve, p.sh., ibuprofeni ose acetaminofeni (paracetamoli) mund të merren dy herë në ditë, për vetëm dy ditë në një javë. Nëse do t’ia përdorni më shpesh p.sh., tre ose katër herë në javë mund t`i ekspozoni fëmijët ndaj përkeqësimit të dhimbjes së kokës si pasojë e këtyre preparateve. 

Mbani në mendje se me kalimin e kohës marrja e preparateve kundër dhimbjes mund të bëhet shkas për probleme me tretjen si shqetësim në stomak apo inflamacion të mukozës së stomakut.

Kur duhet ta çoni fëmijën te doktori?


- Kur ka hyrë në një fazë që po përdor shpesh preparate kundër dhimbjes.
- Nëse shtohet numri i episodeve të dhimbjes ndonëse keni realizuar çdo këshillë të dhënë më lart.

Qoftë pediatri ose të mjeku i familjes apo edhe neurologët që merren me dhimbjet e kokës mund të jenë ata që t’ju ndihmojnë me këtë problem dhe me rikthimin e fëmijës në shkollë në mënyrë të suksesshme.

Virus apo bakter? Çfarë infeksioni ka fëmija juaj?


Si ta ndihmoni fëmijën të mos lag shtratin natën?